Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për ish-prokurorin e Pukës Pëllumb Premçi, ish- sekretaren Liljana Shkjau dhe ish-kancelaren Meliha Kuka, avokatët Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi dhe shoferin e Prokurorit të Pukës, Dëfrim Premçi.
Nga hetimi tejet intensiv i Njësisë Task-Force të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka nisur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pas pamjeve të dhëna pak ditë më parë në një emision investigativ, është arritur të provohet se shtetasit e mësipërm të përfshirë në pamjet filmike, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në kundërshtim me disa përcaktime ligjore.
Sipas Prokurorisë Prençi, Kukaj dhe Shkjau akuzohen për kryerjen e veprës penale Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, Dashi për Moskallëzimi i krimit, Dëfrim Prençi për veprën penale Mashtrim dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik dhe Xhurxhi për Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik.
Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon hetimi për të sqaruar pozicionin e saktë dhe përgjegjësitë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në këtë vepër të dyshuar korruptive.
5 zyrtarët dhe shoferi i Prokurorit u arrestuan sot nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar n bashkpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe më pas u transferuan drejt kryeqytetit.
Konkretisht, personat e sipërpërmendur dyshohet se në bashkëpunim me njri-tjetrin, kanë ndërhyrë në proçedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga Arrest me burg në Detyrim paraqitje me qëllim përfitimin e shpërblimit financiar.
Në pamjet e transmetuara në një emision investigativ, shfaqeshin sekretarja e kryetarit të Gjykatës së Pukës, Liliana Shkjau dhe kancelarja e Gjykatës së Pukës, Meliha Kuka, të cilat merrin në emër të gjyqtarit të çështjes, Shtjefën Lleshi dhe prokurorit Pëllumb Prençi, pesëqind mijë lekë të reja për të ndryshuar masën e sigurisë për një të pandehur nga arrest në burg pa afat në detyrim për paraqitje.
Nderkohe, disa ditë parë KLD-ja liroi nga detyra edhe kreun e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi. Ndërkaq, burime nga Ministria e Brendshme thanë se, hetimet janë të hapura, janë përfshirë më shumë se 10 persona.