Mund të jemi në  dimër, por problemet e Premier League në këtë periudhë nuk vijnë nga bora, por nga një substancë tjetër e bardhë. Sipas “The Sun”, një lojtar i rëndësishëm i kategorisë kryesore të futbollit anglez (pjesë e kombëtares) është larguar nga një klub nate mbrëmjen e Krishtlindjes pasi është kapur duke konsumuar kokainë dhe një kolegu tjetër të këtij të fundit i ka ndodhur e njëjta gjë në një festë tjetër.


Edhe pse Federata Angleze e Futbollit ka kërkuar që raste të tilla të raportohen nga dëshmitarët e mundshëm, duke theksuar se rastet e dopingut në futbollin anglez janë “të rrallë”, duket e qartë se në Premier League ekziston një problem me pluhurin e bardhë…


Këtë e ka konfirmuar për “Independent” Ivan Waddington, profesor në Universitetin e Chester që bën gjithmonë studime në lidhje me përdorimin e drogës në bashkëpunim me shoqatën angleze të futbollistëve. Dhe eksperti ka konfirmuar se: kokaina në futbollin anglez është shumë e përhapur.


“FA nuk e merr seriozisht antidopingun, edhe pse do ta mohojnë një gjë të tillë. Edhe klubet nuk i marrin seriozisht testet që zhvillojnë lojtarët e tyre. Por, në të njëjtën mënyrë si federata, edhe klubet do të thonë se kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Waddington. Me pak fjalë, problemi është në bazë. Futbollistët konsumojnë kokainë (por edhe marijuanë), sepse e dinë se nuk do të zbulohen?


Waddington mendon se kështu është dhe ka përdorur rezultatet e studimeve të tij, që bazohen nga pyetësorë anonim të bërë nga futbollistët, si shembull. “Në të gjitha studimet tona futbollistët profesionistë na kanë thënë se përdorimi i drogës për qejf është shumë i përhapur. Nuk ka asnjë dyshim mbi këtë. Drogat më të përdorura janë kokaina dhe marijuana”.


“Por në testet antidoping është shumë e lehtë të zbulohen këto dy substanca. Dhe ne e dimë se pjesa më e madhe e futbollistëve i konsumon, sepse na e kanë thënë vetë ata. Atëherë, pse nuk zbulohen?”. Një pyetje që mund të marrë përgjigje tani që lajmet për lojtarët që konsumojnë kokainë po shtohen.


5 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)