Televizioni publik italian Rai është përfshirë së fundmi nga një skandal mediatik në qëndër të të cilit janë akuzat ndaj banalitetit e vulgaritetit të përdorur gjatë një emisioni të kanalit Rai 1 transmetuar ditën e shtunë më datë 18 mars 2017.


Në rubrikën “Flasim të shtunën” të emisionit “La vita in diretta” drejtuar nga prezantuesja e njohur Paolo Perego,  merret në analizë tema se pse meshkujt italianë preferojnë gjithnjë e më shumë femrat nga Europa e Lindjes.


Në një material të përgatitur nga autorët e këtij programi, ilustrohet me anë të një grafiku “vlerat e shtuara” që kanë femrat e Europës Lindore në krahasim me femrat italiane.


Nën titullin “Kërcënimi vjen nga lindja. Pse meshkujt preferojnë të huajt” e me nëntitulin “Janë grabitëse burrrash apo bashkëshorte perfekte?”, autorët e programit “La vita in diretta” rendisin 6 motivet pse italianët zgjedhin femrat e lindjes;


1- Janë të gjitha nëna e pas lindjes rekuperojnë një trup të mermertë.


2- Janë të gjitha seksi e nuk përdorin as pizhima e as tuta.


3-  Falin tradhëtinë.


4-  Janë të gatshme të komandohen nga burri i tyre-


5- Janë shtëpiake përfekte e që të vogla kanë mësuar punët e shtëpisë-


6-  Nuk ankohen, nuk të vihen pas e nuk varin turinjtë.


Këto 6 motive u komentua në studion e programit nga të ftuar të rëndëishëm si drejtorë mediash, gazetarë, aktorë e modele.


Por menjëherë pas transmetimit të emisionit, në rrjetet sociale u kritikua ashpër, banaliteti e vulgariteti me të cilët u identifikuan femrat e lindjes e marrëdhëniet e tyre me meshkujt italianë.


“Një shembull i keq i klisheve e stereotipeve të një shoqërie feudale që hedh poshtë shekuj të tërë betajash civile për të emancipuar figurën e femrës” u shpreh mbi këtë ngjarje senatori Francesco Verducci, zëvëndës president i komisionit të mbikqyrjes së RAI.


Shoqëria jonë është shumë më përpara e njeh si tek femrat ashtu dhe tek meshkujt të drejtën e lirinë e vetëdijshme për të zgjedhur mënyrën e tyre të sjelljes; për të qënë seksi apo për të veshur pizhame, për t’u nervozuar ndaj tradhtisë apo për të gatuar. Autorët e “një masakre” të tillë duhet të japin dorëheqjen.”


“Të bëhen publik emrat e autorëve të e të largohen nga puna së bashku me prezantuesen Perego” replikon përmes twitter shkrimtarja e njohur italiane Silvia Ballestra.


“Ndjehem e turpëruar, e nervozuar dhe e habitur nga niveli i ulët e tonet seksiste e raciste të përdorura në emision” ka deklaruar gjithashtu dhe Rita Borioni, historiane arti dhe anëtare e këshillit administrativ të RAI.


Ndërsa drejtori i kanalit televiziv RAI 1 me një notë zyrtare i ka kërkuar të falur publikut italian për c’kanë dëgjuar e parë në rubrikën “Flasim të shtunën” të emisionit “La vita in diretta”.



/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter