Shukri XheliliGjykata nuk ka pranuar mëshirën e ish-kreut të Bashkisë së Dibrës, i akuzuar për korrupsion pasiv 


HETIMET


Dëshmia – Vajza u ka thënë hetuesve se gjithçka e kishte bërë me vetëdije për ta diskredituar ish-kreun e bashkisë, pasi prej muajsh e bezdiste me telefon dhe nëpërmjet rrjetit social Facebook


Filmimet – Para hetuesve, vajza ka thënë se filmimet i kishte bërë me celular, pamje të cilat më pas i kishte kaluar në një kartë memorie, të cilën ia ka dorëzuar medias që i transmetoi pamjet


Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda nuk ka pranuar mëshirën e Shukri Xhelilit, ish-kreut të Bashkisë së Dibrës, i akuzuar për korrupsion pasiv, pas publikimit të skandalit seksual, ku ai i kërkonte favore seksuale një vajze në këmbim të vendit të punës. Mbrojtja e tij kishte kërkuar që të vendosej një masë tjetër sigurie, për shkak se klienti i tyre nuk ishte i rrezikshëm. Avokatët kërkuan që Xhelili të hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje. Gjithsesi, këto kërkesa nuk u pranuan nga gjykata, e cila tha se vepra penale që rëndon ndaj këtij ish-zyrtari parashikon si masë minimale arrestin me burg. Tashmë, avokatët kanë edhe një shkallë tjetër të gjyqësorit, për të kërkuar lirimin e klientit të tyre, që është Gjykata e Lartë. Avokatët thanë se do të synojnë lirinë edhe bazuar në praktikat e Gjykatës së Lartë, si rasti i vendimit të videoskandalit Meta-Prifti dhe rasti Dibra-Albatros, Kolegji Penal ka mbajtur një qëndrim korrekt duke mos i pranuar si provë. Ky do të jetë edhe argumenti me të cilën do i kërkohet Gjykatës së Lartë të lirojë Xhelilin.


Gjithsesi, duke qenë një çështje e ndjeshme, drejtësia zor se mund t’i japë lirinë Shukri Xhelilit, aq më tepër që edhe vetë vajza ka dëshmuar në prokurori se kryetari i Bashkisë së Dibrës më ngacmoi në bashki dhe më pas më ftoi në hotel në Tiranë.


Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda rimori në pyetje 20-vjeçaren Anisa A. E shoqëruar nga nëna e saj, ajo u përball me hetuesit e çështjes, megjithëse mësohet se ajo ishte e traumatizuar pas publikimit të videoskandalit. Burime nga prokuroria pohojnë se ajo i qëndroi kallëzimit ndaj ish-kreut të Bashkisë së Dibrës. Vajza u ka thënë hetuesve se gjithçka e kishte bërë me vetëdije për ta diskredituar ish-kreun e bashkisë, pasi prej muajsh e bezdiste me telefon dhe nëpërmjet rrjetit social Facebook duke i kërkuar takim. Para hetuesve, vajza ka thënë se filmimet i kishte bërë me celular, pamje të cilat më pas i kishte kaluar në një kartë memorie, të cilën ia ka dorëzuar medias që i transmetoi pamjet. Burimet thonë se edhe nëna e vajzës 20-vjeçare është pyetur nga hetuesit e cila ka shpjeguar se vajza i kishte treguar për të gjitha bisedat me kreun e bashkisë, por që nuk i kishte treguar për filmimin e bërë. Nëna e vajzës mësohet se ka kërkuar ndihmë psikologjike nga prokurorët, pasi e bija është e traumatizuar.


Sipas akuzës, për tu punësuar në bibliotekën e Peshkopisë, 20-vjeçarja Anisa A., do të duhej që më parë të dilte me vetë shefin që e punësoi, Shukri Xhelilin. Për të marrë rritje rroge apo të fitonte punë në një kënd të posaçëm që Xhelili e hapi veç për të, sërish 20-vjeçarja duhej të takohej me bosin në ndonjë hotel në Tiranë. Të paktën ky ishte thelbi i gjithçkaje që u shfaq më 12 maj në televizionin Ora News. Pjesa pasuese ka veç reagime, ku spikat ai i Teftës, bashkëshortes, e cila tha se do të jem deri në vdekje bashkëshortja e Shukriut, duke shtuar se e mbështeste fuqimisht dhe kishte besim tek ai, duke nënkuptuar edhe një komplot politik. Babai i vajzës tha se Shukriu më ka borxh gjakun dhe ndihet i kërcënuar familjarisht, ashtu siç pohuan të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, të cilët kërkuan mbrojtje.