SARANDE - Kontrolli i bagazheve në terminalin e udhëtarëve në Portin Detar të Sarandës kryhet tashmë me anën e një skaneri elektronik. Kjo pajisje që kap vlerën e rreth 39 mijë dollarëve është dhuratë e ambasadës amerikane. Një lehtësi më shumë për sigurinë dhe shpejtësinë e përpunimit të bagazheve të udhëtarëve vihet re ditët e fundit në terminalin e udhëtarëve në Sarandë. Këtë sjell skaneri elektronik që ka nisur të funksionojë prej disa ditësh në terminalin e udhëtarëve të trageteve në Portin e Sarandës. Duke e modernizuar këtë shërbim në terminalin e udhëtarëve u jepet fund vonesave dhe kryerjes së kontrollit të bagazheve të udhëtarëve duke i hapur ato një për një. Kryerja e kontrollit të tyre në mënyrë elektronike, duke kaluar nëpër skanerin e montuar së fundi rrit sigurinë e kontrollit për çdo objekt që gjendet nëpër bagazhe. "Përmbajtja e tyre pasqyrohet në ekranin e instaluar në pikën e kontrollit, duke ruajtur ndërkohë privatësinë si dhe u merret shumë më pak kohë policëve të shërbimit dhe qytetarëve", shprehet për gazetën drejtorja e degës së doganës në Sarandë, Elsa Gjini. Skaneri i instaluar në Portin e Sarandës e bën këtë terminal ndër më modernët në vend. sh.d