08/09/2009  Mbyllet sezoni i vjeshtës për provimet e lirimit, notat publikohen para datës 11 shtator


Nxënësit që vlerësohen me notë kaluese do të pranohen në shkollat e mesme


Rezultatet e provimit të lirimit për sezonin e vjeshtës në lëndën e matematikës do të publikohen brenda pak ditësh. Këto nota do të jenë vendimtare për nxënësit, të cilët, nëse vlerësohen kalues, do të pranohen në shkollat e mesme, që do të çelen më 14 shtator 2009, në të kundërt humbasin vitin. Specialistët hartues të tezave kanë publikuar dhe skemën e vlerësimit për 25 pyetjet që përmbante ky test, të cilat do t’i gjeni më poshtë të detajuara. Ndërsa për lëndën e gjuhë-leximit vlerësimet pothuajse kanë mbaruar dhe janë gati për t’u shpërndarë nëpër shkollat përkatëse.


Regjistrimet


Specialistët hartues të tezës kanë pohuar se nxjerrja e notave të arritura nga nxënësit në këto provime do të bëhet në një kohë të shpejtë, kjo me qëllim që të mos penalizohen me humbje të vitit shkollor për ata që do t’i marrin këto provime. Këta të fundit menjëherë sapo të mësojnë notën e tyre duhet të paraqiten pranë shkollave të mesme për t’u regjistruar sipas llojit të studimeve. Prej ditësh në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar ka iniciuar periudha e regjistrimeve për vitet e para, të cilat çelen pas një viti mungesë për shkak të reformës së ndërmarrë në arsimin e detyruar. Megjithatë, afati i pranimeve të kërkesave sipas profileve dhe shkollave zyrtarisht do të jetë i hapur deri më 11 shtator. Pas kësaj date është pohuar se nuk do të ketë më regjistrime. Përjashtim në këtë rast do të bëhet vetëm për nxënësit që nuk kanë marrë ende notat e provimeve të lirimit, duke qenë se u është dashur t’i nënshtrohen sezonit të vjeshtës për t’i rikuperuar ato.


Struktura


Gjimnazi me kohë të plotë në vitin e ri shkollor do të fillojë i mbështetur në dokumente të reja shkollore, si: planet e reja mësimore, korniza e re kurrikulare e gjimnazit, programet dhe standardet lëndore si dhe udhëzuesit lëndorë. Në vitin shkollor 2009–2010, në mbështetje të gjithë procesit të reformimit të sistemit arsimor parauniversitar, do të fillojë të zbatohet për herë të parë struktura e re kurrikulare e gjimnazit e përbërë nga dy pjesë kryesore: kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje të detyruar dhe të lirë. Kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë. Kurrikula me zgjedhje në klasën X gjimnaz do të përfshijë lëndët: Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore, gjuhë e huaj (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht) Lëndë me zgjedhje të lirë janë përforcimi në matematikë, letërsi, fizikë dhe biologji.