19/12/2008  Për fshatin shtesa do të jetë 20 për qind, përshkallëzohet për përfituesit në qytete


Ekspertët hartojnë projektligjin e plotë, i cili pritet të votohet në Kuvend


Ekspertët e qeverisë kanë nisur punën për realizimin e vendimit për rritjen e pensioneve në fshat dhe në qytet për vitin e ardhshëm. Në një deklaratë të dy ditëve më parë Kryeministri Berisha ka theksuar se “rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet”. Ndërkohë mësohet se dhe kjo rritje do të jetë e përshkallëzuar për përfituesit në qytet apo dhe për ata që janë në pension invaliditeti apo një tjetër formë nga pensionet e vjetërsisë.


Rritja


Skema për rritjen e pensioneve do të nisë të zbatohet në muajin maj të vitit të ardhshëm. Ndërsa vendimi pritet të miratohet në fillim të muajit shkurt, për t’i lënë më pas mundësinë ISSH-së të përgatisë tabelat përkatëse sipas rillogaritjes së pensionit që përfitohet. Gjithsesi, pensionistët e fshatit do të kenë një rritje prej 20 për qind. Kjo duke vijuar me ritmin e rritjes më të lartë për pensionet në fshat. Një veprim i tillë do të sjellë një shtesë minimalisht 1000 lekë për këto kategori dhe maksimalisht në 1400 lekë. Kjo për faktin se pensioni minimal në fshat ka arritur në 5000 lekë. Ndërsa pensionet në fshat do të kenë një rritje minimale 10 për qind dhe rritje maksimale prej 15 për qind. Kjo duke u dhënë një shtesë më të madhe pensioneve minimale dhe një shtesë më të ulët pensioneve maksimale. Gjithsesi, sërish rritja e këtyre pensioneve do të jetë 1000 deri 1400 lekë minimalja, duke qenë se pensioni minimal është 10 000 lekë, dhe rritje maksimale prej 2000 lekë.


Zbatimi


Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar fondi i posaçëm për rritjen e pensioneve dhe të pagave në vend. Ndërsa ekspertët shtojnë se në gjysmën e dytë të vitit mund të ketë dhe një tjetër rritje. Kjo e varur nga fitimi ose jo i zgjedhjeve si dhe nga niveli i arkëtimeve të të ardhurave prej taksave vendore apo doganore. Nëse sërish do të kemi një tejkalim të parashikimit të të ardhurave, ekspertët shpresojnë një tjetër rishpërndarje të këtij fondi edhe nëpërmjet rritjes së pensioneve.


Shpërblim për administratën


Në tremujorin e parë të vitit 2009 qeveria do të miratojë vendimin për rritjen e pagave në administratën shtetërore. Do të jenë rreth 100 mijë punonjës që do të përfitojnë nga kjo skemë. Ndërsa rritja e pagave do të kapë nivelin nga 7 për qind deri në 15 për qind. Burimet kanë bërë të ditur se sërish do të mbesin pagat në sistemin shëndetësor ato në arsim dhe në forcat e rendit që do të kenë shtesat më të larta. Kjo si për shkak të prioritetit të vendosur për ta, ashtu dhe duke sjellë një tjetër sistem në sektorët ku korrupsioni për shkak të mungesës së të ardhurave cilësohet në nivele më të larta. Dhe me këtë synohet thithja e personave më të aftë.


Minierat në protestë


Ndërkohë që ekspertët janë duke diskutuar mbi rritjen e pensioneve, janë minatorët ata që kanë nisur sërish grevën për të drejtat e tyre. Në kërkesat e tyre theksohet rishikimi i moshës së daljes në pension dhe i viteve të punës që duhet të kenë nën tokë, ashtu dhe niveli i shpërblimit nga puna e kryer në vite në minierë.