Pero Pejiç ka firmosur për Skënderbeu. Sulmuesi kroat ka nënshkruar dje për një shifër që nuk i kalon 55 mijë euro (25 mijë euro më pak nga sa i pat ofruar Flamurtari), si dhe do ketë një bonus prej 5 mijë eurosh, nëse korçarët fitojnë titullin kampion. “Kjo është dita e parë e imja te Skënderbeu. Pas takimit me presidentin, ku kemi rënë dakord me kushtet e kontratës, sot (dje) nisa stërvitjen. Jam takuar me shokët e ekipit dhe më pëlqen atmosfera në klub. Besoj se nëse ruhet grupi, apo aq më mirë, nëse bëhen përforcime të tjera, mund të fitojmë gjithçka dhe të përmbushim objektivat”, ka pohuar lojtari. Ndërkohë, sot klubi korçar do të prezantojë edhe trajnerin e ri, i cili është Mirel Josa. Ky i fundit do ta marrë nga sot drejtimin e ekipit kampion të Shqipërisë dhe të fillojë menjëherë përgatitjen për takimin e radhës kundër Tiranës, takim i vlefshëm për Superkupën e Shqipërisë.