Kategoria Superiore startoi të shtunën fazën e dytë të saj me tri ndeshje dhe 7 gola të shënuar. Një fitore minimale e Kukësit në “Zeqir Ymeri” dhe dy barazime në Kavajë e Ballsh. Dy kryesuesit ecin kësisoji me të njëjtin hap, duke marrë nga një pikë në këtë “stacion” të garës dhe ruajtur distancën prej 3 pikësh mes tyre. Me Skënderbeun të parin, në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Teuta vjen e dyta dhe 20 pikë. Në të tilla kushte, “djemtë e detit” janë teorikisht të arritshëm nga Vllaznia dhe Partizani, nëse i fitojnë ndeshjet e tyre përkatëse 24 orë më pas. “Festival” golash ka dhuruar pjesa e parë në Ballsh. Vetë rezultati 2-2, i cili u mbijetoi edhe 45 minutave të dyta, tregon spektaklin e lojës sulmuese të të dyja palëve, që ndaluan njëra-tjetrën. 

KATEGORIA SUPERIORE, JAVA 12
TË SHTUNËN
BYLISI-TEUTA 2-2
Golat: Kuli 20, 38′ / D.Xhafaj 15′, Dosti 34′
Gjyqtar: R.Sadiku, R.Preca, E.Bicaku
KUKËSI-LUSHNJA 1-0
Golat: Smajli 70′
Gjyqtarë: B. Ziri, E.Veseli, Sh.Ziri
BESA-SKËNDERBEU 1-1
Golat: Sefa 45′, Shkëmbi 86′
Gjyqtarë: L.Jemini, R.Cokaj, E.Doda
TË DIELËN
FLAMURTARI-VLLAZNIA (13:00)
LAÇI-TIRANA (13:00)
PARTIZANI-KASTRIOTI (14:00)
BESA-SKENDERBEU 1-1 Superiorja, pasi përmbylli 11 javët e para të saj me garë sportive, problematika të përhershme të futbollit tonë, rrokada trajnerësh, por edhe me një kryesues të vetëm: Skënderbeun, nisi kështu “aktin e dytë” të kampionatit. Kuqebardhët e Mirel Josës, kampionët e vendit në fuqi, e fillonin fazën e dytë të kampionatit me 3 pikë më tepër se ndjekësit më të afërt, durrsakët e Teutës, por kalendari i vinte përballë një transferte delikate, edhe pse në Kavajë kishin triumfuar rregullisht në katër vitet e fundit. Pjesa e parë është luajtur e hapur, me sulme dhe kundërsulme të shumta të të dyja palëve, teksa rastin e parë për gol e kishte Ribaj në minutën e 11-të. Fieraku driblon bukur mbrojtjen verdhezi nga e djathta dhe del i vetëm me portierin vendës, godet rreptë, por pret me këmbë “gardiani” vendës. Sfumohet kësisoji një mundësi optimale e korcarëve për të kaluar në epërsi. 

Ky sinjal nuk i ka tulatur të besuariut e Mergjyshit, përkundrazi, i ka motivuar më shumë ata në përpjekjet për të shënuar. Berisha kthehet në një problem të madh për prapavijën e kampionëve me driblimet e tij, ndërkohë që krijon hapësira veprimi për partnerin e sulmit, Fatjon Sefën. Shtatlarti lushnjar nuk do të falte në funditn e 45 minutave të para, duke e devijuar bukur me kokë pasimin e përpiktë të Bathës nga e djathta dhe duke prekur rrjetën e Shehit. 

Në këtë mënyrë, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me epërsinë minimale të Besës, e cila shfaqi më tepër grintë e dëshirë për suksesin, ndërkohë që korcarët alternuan lojën nga krahët dhe u munduan të shfrytëzojnë shtatlartësinë e Pejicit, me krosimet e gjata që adresoheshin për tek ai, por mbrojtja kavajase është treguar në lartësinë e duhur. Pjesa e dytë mbetet një lojë e ballancuar, me kuqebardhët të detyruar të barazojnë, por ndalen nga portiere Bejte, në formë të shkëlqyer. Po ashtu, zhvendosja në ofensivë e tyre krijon hapësira te zona e Shehit, cka mundohet të shfrytëzohet nga verdhezinjtë. 

Këta të fundit mendojnë tashmë të mbrojnë epërsinë minimale, por edhe ta ndëshkojnë kundërshtarin duke dalë me shpejtësi në kundërsulm. Antagonizmi sa vjen e shtohet me kalimin e minutave, ndërkohë që Josa bën dy zëvendësime të shpejta. Futet në lojë Morina dhe Radas, në përpjekje për t’i dhënë një tjetër impuls repartit të përparmë dhe rritjen e mundësive për të shënuar. Mirëpo, goli i barazimit do të vinte nga këmbët e arta të kapitenit korcar afër fundit të ballafaqimit. Përmes goditjes së dënimit, nga një largësi prej 20 metrash, Shkëmbi realizon një eurogol dhe eviton humbjen e të tijve.

 Megjithatë, barazimi ndaj Besës, pas humbjes pararendëse në Ballsh, nuk është ndonjë rezultat optimal, nuk e përmbush më së miri kthesën e kërkuar nga Josa dhe presidenti Takaj. Sidoqoftë, vlen për të ruajtur distancën prej tri pikëve me durrsakët, që barazuan nga ana e tyre në “Adush Muca”. Të pakënaqur kanë mbetur verdhezinjtë e Mergjyshit, të parafundit në klasifikim, vend të cilin do të tentojnë ta braktisin javë pas jave, por jo duke lënë pikë në fushën e tyre si kësaj here. Një triumf ndaj kampionëve në fuqi do të ishte shtysa e nevojshme morale dhe psikologjike për kavajasit, që të jenë më të sigurtë në pjesën vijuese të garës, ku mbijetesa në Superiore do të jetë një makth për ta, por edhe për disa skuadra të tjera. Sepse vetë skema e përcaktuar tashmë, që bien direkt katër skuadra nga elita e futbollit shqiptar, e zgjeron rrethin e të ashtuquajturit “fund i ftohtë” i klasifikimit. 

BYLIS-TEUTA 2-2 Durrsakët kishin udhëtuar drejt Ballshit me një trajner të ri në krye, italianin Sorrentino, i cili debutonte në stolin e Teutës në një transfertë sa delikate, aq edhe të vështirë. Barazimi 2-2 mund të konsiderohet me mjaft vlera për udhëtuesit, aq më tepër që kanë kaluar dy herë të parët në avantazh, pa llogaritur këtu faktin se u arrit pikërisht aty ku Skënderbeu do të dilte i mposhtur dy javë më parë. C’është e vërteta durrsakët janë shfaqur mjaft të plotë dhe agresivë në lojën e tyre.

 Aq sa i kanë befasuar mallakastriotët duke kaluar dy herë në epërsi në pjesën e parë. Fillimisht i ka zhbllokuar shifrat e bardha goleadori vlonjat Daniel Xhafaj, por pa vonuar shumë kavajasi Kuli ka rikthyer ekuilibrin rezultativ. Loja zhvillohet krejtësisht e hapur, ndaj edhe rastet në portat respektive nuk mungojnë. Për pasojë, 45 minutat e para do të prodhonin edhe dy gola të tjerë (katër gola në total). Dosti do të shënonte për rezultatin e përkohshëm 2-1 në portën ballshiote, por nuk pajtohet sërish kavajasi Kuli me këtë situatë, derisa kompleton dopietën e tij personale dhe barazon shifrat. 

Gjithcka mbetet e hapur për pjesën e dytë, ku skuadrat tendosen maksimalisht në kërkim të fitores, e cila është tejet e lakmueshme për durrsakët, në ndjekje të kreut, por edhe ballshiotëve, që s’duan ta ndiejnë makthin e fundit të renditjes. Mesa duket lojtarët i kishin mbaruar golat para pushimit 15-minutësh, duke mos realizuar dot tjetër dhe lënë në fuqi ekuilibrin rezultativ. Një pikë që i shkon përshtat Teutës, e cila frenon rënien e lirë që kishte nisur (me dy humbjet radhazi, ndaj Kastriotit dhe Partizanit), por edhe i jep njëfarë kënaqësie trajnerit Italian Sorrentino, që debutoi në futbollin shqiptar në stadiumin e Ballshit. 

KUKESI-LUSHNJA 1-0 Në ditën e parë të javës së 12-të të Superiores, e cila luhet të shtunën dhe të dielën, vec dy kryesuesve, që gjendeshin në transferta, luajti edhe Kukësi i Shensojit. Në një kohë me shi, që s’ka pushuar tërë lojës, por fatmirësisht nuk ka krijuar pengesa në tapetin artificial të stadiumit, kuksinët janë bërë protagonistë të rasteve të shumta të humbura. Njëri pas tjetrit, Popovic, Hoxha, Cikalleshi, Progni, Allmuca e të tjerë, e kanë kthyer në “tabelë qitjeje” portën e Spahos, por pa mundur dot ta prekin rrjetën e tij. Mungesa e shënjestrës në goditje, por edhe ngjeshja e lushnjarëve në prapavijë, e ka mbajtur të paprekur rrjetën e miqve në pjesën e parë. 

Kësisoji, të dyja palët kanë përveshur mirë mëngët në kërkim të zhbllokimit të rezultatit në 45 minutat e mbetura. Më së shumti kanë këmbëngulur kuksianët, të cilëve u interesonte vetëm fitorja, ndërsa lagunarët janë munduar t’i bëjnë hyzmetin edhe një barazimi. Përpjekjet e pafundme të vendësve janë materializuar nga goli i lezhjanit Smajli, i cili atë që s’e bëjnë sulmuesit dhe mesfushorët, merr përsipër ta kryejë vetë në minutën e 70-të. Ish-futbollisti i Vllaznisë, pas një galopimi të gjatë nga mbrojtja e tij, arrin të depërtojë në mbrojtjen kundërshtare dhe të godasë rreptë, tokazi. 

Portieri mik, Spaho, zhytet më kot, sepse topi ndalet në rrjetën e tij. Shpërthen stadiumi i Kukësit, janë në delir rreth 3 mijë tifozët vendës, të cilët kishin qëndruar me zemër në dorë, në pritje të golit të epërsisë. 20 minutat e mbetura kanë qenë sërish të kontrolluara nga nënkampionët e vendit, që e kanë thelluar këmbënguljen e tyre, por pa u zhbilancuar në prapavijë. Trajneri Shensoji i udhëzon të tijtë të mos lejojnë asnjë boshllëk para portierit Koci, duke parë që lushnjarët nisin të reagojnë tashmë, duke e lënë ngujimin e gjatë në prapavijën e vet. Me fat mund të konsiderohet kësaj here skuadra verilindore, e cila i kishte bërë një përmbyllje pozitive fazës së parë, me dy fitore radhazi, duke rikthyer optimizmin në grupin e lojtarëve, qetësinë e nevojshme në stafin drejtues, por edhe rigjetur oreksin e madh për t’iu bashkuar sa më parë kreut e luftuar për titullin kampion. 

Një objektiv i parashtruar qartë nga presidenti Gjici, por që u daravit javë pas jave në kampionat, kur nënkampionët shtonin konfuzionin dhe krizën e vet. “Kokë turku” për të dalë nga “tuneli pa dritë” u bë edhe trajneri Armando Cungu, i cili i kishte udhëhequr kuksianët në debutimin rrëzëllitës e mbresëlënës, rekord për ekipet shqiptare, në Kupat e Europës. Kalimi i tre tureve në Ligën e Europës bëri që verilindorët të mos pushonin asnjë ditë në verë, të mos zhvillonin dot një fazë përgatitore, ndaj pasojat (lodhja fizike e psikologjike) nisën të ndjeheshin në kampionatin kombëtar. 

Që nga java e parë në Lushnjë, kur u thye pas një paraqitjeje të paharrueshme në Europë. Faza e parë i pozicionoi të besuarit e Shensojit në vendin e 6-të, ndërsa e dyta i vinte përballë një “hakmarrjeje” që në start: Lushnjës. Qoftë për rivalitetin e ashpër që ka ekzistuar mes këtyre dy skuadrave në Kategorinë e Parë dy edicione të shkuara, qoftë për humbjen që u shkaktuan lagunarët verilindorëve në “Roza Haxhiu”. Parë kështu, edhe ky ballafaqim nuk mbetej aspak prapa dy të tjerëve, që kjo e shtunë i konsumoi paralelisht në Ballsh dhe Kavajë. Me këtë trepikësh, skuadra e Shensojit ngjitet shumë në klasifikim, teksa pozicionohet e treat përkohësisht, me 18 pikë, një më shumë se Vllaznia dhe partizani, që do të luajnë 24 orë më pas ndaj vlonjatëve dhe krutanëve. 

Ndeshjet e së dielës
Tri ndeshje të tjera të javës së 12-të të Superiores do të luhen të dielën, në dy orare të ndryshme. Flamurtari-Vllaznia dhe Laci-Tirana startojnë në orën 13:00, ndërsa Partizani do t’i sfidojë krutanët me start nga ora 14:00 në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë e Vlorës kanë rigjetur veten në fund të fazës së parë, duke marrë disa fitore radhazi dhe iu larguar sadopak fundit të ftohtë të renditjes. Po ashtu, ata kanë luskin e të luajturit në fushën e tyre, pasi e konsumuan dënimin 4-javor të Disiplinës, ndaj sytë e të besuarve të Gjokës janë drejtuar nga trepikëshi i radhës. I cili do t’i ngjiste ata në mesin e artë të renditjes. 

Me mungesa të rëndësishme në formacion, sikurse është kapiteni Veliu, megjithatë nuk do ta kenë të lehtë ndaj Vllaznisë. Kuqeblutë e Canajt kanë befasuar në 11 javët e shkuara, edhe pse skepticizmi i fillimit të sezonit ishte tejet i madh. Vendi i tretë që mbajnë në klasifikim shkodranët tregon se kanë forca e mundësi të konsiderueshme për t’u përballur denjësisht me cdo kundërshtar, edhe në transferta. Parë kështu, Vllaznia s’mund të konsiderohet kurrsesi “pengesa” e duhur për të rikonfirmuar vijimësinë pozitive të kuqezinjve. E kundërta, që mbart ngjyrat kuqeblu, nuk do të përbënte asnjë çudi. 

Tirana e krizës së madhe, e pozicionit të papajtueshëm për tifozërinë bardheblu (vendi i fundit) do të kërkojë të “yshtet” në një qytet me kishën e shenjtë, Shna Ndoun. E provoi këtë gjë Kukësi para tri javësh dhe i rezultoi për mbarë, ndaj me këtë besytni ushëtojnë drejt kësaj transferte edhe 24 herë kampionët e vendit. Mirëpo, tej besimit religjioz, në futboll luhet me “këllqe”. Ato u kanë munguar në shkallën e duhur kryeqytetasve në fazën e parë, ndaj jo më kot kanë vetëm 10 pikë dhe mbyllin renditjen e Superiores. Ndërrimi i trajnerit, ikja e Dedes dhe ardhja e Gallos, nuk ka dhënë asnjë efekt.

 Përkundrazi, Gallo regjistron tri humbje radhazi në stolin bardheblu, në po aq ndeshje sa i ka drejtuar ata në kampionat, kështu që fusha e Lacit do të jetë një gjykim edhe për të. Sepse me humbje e me dështime të njëpasnjëshme s’mund ta ruajë pozicionin aktual, por as të japë shpresë për ta mbajtur në elitën e futbollit shqiptar skuadrën rekordmene të titujve të fituar. Sepse mbijetesa është objektivi i kësaj Tirane, rreziku madhor i saj, duan apo nuk duan drejtuesit më të lartë të këtij klubi, që s’po i japin drejtim situatës kritike të bardhebluve. Tërë këto llogari kthehen në një ekuacion me shumë të panjohura po të kihet parasysh kundërshtari: Laci i Stavri Nicës, që në shtëpi nuk fal kënd. 

17 pikët që kanë kurbinasit në mbyllje të fazës së parë u japin të drejtë atyre të besojnë e shpresojnë të ngjiuten më lart se vendi i pestë në renditje, me qasje zonën europiane. Një “stacion” i lakmueshëm dhe i shijueshëm për bardhezinjtë në edicionet e fundit. Triumfi në startin e fazës së dytë do të ishte prova më e mirë dhe domethënëse në këtë drejtim, ndaj Laci i ka paralajmëruar hapur bardheblutë; se i pret vetëm humbja në Lac. Aty ku nuk do të gjejnë dot “kishë për t’u falur”. 

Partizani i vendit të katërt luan kundër krutanëve të Kastriotit në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”. Pas disa javësh në krizë rezultatesh (tri humbje radhazi), skuadra e Hasan Likës duket se e gjeti “dermanin” para dy javësh, kur mundi pastër 3-0 Teutën. Pikërisht në mbyllje të fazës së parë, të kuqtë bënë “kurban” skuadrën që mbajti javë pas jave kreun e Superiores, por në dy javët e fundit i “shkau këmba”. Loja, përvec rezultatit, e Partizanit në atë ndeshje është oguri më i mirë se të rikthyerit në Superiore do të vijojnë në rrugën e rezultateve pozitive, me sens drejtimi kreun. Krutanët, edhe pse kanë emra cilësorë në përbërje, nuk kanë bindur në 11 javët e shkuara të kampionatit. 

Madje zhgënjimet kanë qenë të tilla, sa trajneri Ramadan Ndreu dha dorëheqjen pas humbjes në shtëpi me Lacin. Vendi i tij është zënë nga beratasi Kristaq Mile, i cili përbën të renë e vetme te Kastriotit, që jep sadopak shpresë për ndryshim të situatës dhe qëndresë ndaj të kuqve. Sidoqoftë, do të jetë fusha e lojës, ajo që do t’u japë përgjigje pikëpyetjeve të të dyja palëve.
Sfidantët e javës së 12-të nën “diktatin” e bilbilave 

Partizani-Kastrioti
Ndeshja e fazës së parë midis Kastriotit dhe Partizanit ishte e para për legjendën 14 herë kampione, pas “turneut” katër sezonesh në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Të kuqtë shpërthyen, fituan 2-0. Ndeshja e kësaj jave është revanshi për krutanët. Gjatë fazës së parë, edhe Partizani dhe Kastrioti humbën nga 3 e fituan vetëm një herë në 4 ndeshjet e fundit, duke i humbur e të tjerat. Megjithatë, nënkampionët e Kategorisë së Parë renditen në vendin 3-4, me 17 pikë. Krutanët kanë vetëm 12 pikë dhe ndodhen në zonën “e kuqe”. Ndeshja e parë midis tyre në Krujë është një “histori e mbyllur”. 

Ajo ditë ishte historike për Partizanin e ri. “Debutonte” në Superiore pas 4 sezonesh me një fitore 2-0, që vështirë të parashikohej. Ndeshja e kthimit në Tiranë është një “kapitull” i pahapur. Dy takime, që nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin. FSHF mund të caktojë përsëri si gjyqtar të takimit të javës së 12-të Enea Jorgjin (i parapëlqyer nga Partizani), por mund të caktojë edhe një gjyqtar tjetër të parapëlqyer nga Kastrioti. Me Jorgjin në gjykim, fazën e parë Partizani i fitoi të tria ndeshjet që ai i gjykoi kryeqytetasit e kuq në udhëtim. Madje, gjyqtari elbasanas nuk pati rastin ta “urdhëronte” Partizanit ta rifillonte ndeshjen nga mesi i fushës, pasi nuk pësoi asnjë gol.

 Përveç Enea Jorgjit, në 3 ndeshje të Superiores, Partizanin e ka gjykuar edhe shkodrani Ditmar Jubica. Por, jemi të sigurt se Partizani nuk e ka më qejf gjykimin e tij. Ndoshta, ngaqë Jubica “nuk e la të fitonte” në Tiranë ndaj Flamurtarit, apo që fërshëlleu për humbjen në Lushnjë ndaj myzeqarëve, apo në atë në Korçë, ndaj kampionëve të Skënderbeut. Por, as Jorgji dhe as Jubica nuk kanë gisht në bëmat e të kuqve. 

Edhe Kastrioti është përballur në fazën e parë me gjykimin e 3 ndeshjeve nga i njëjti gjyqtar, me dy prej tyre: Bardhyl Pashaj dhe Kridens Meta. Me të dy këta gjyqtarë, Kastrioti është mundur nga dy herë dhe ka arritur nga një fitore. Duhet përmendur se krutanët, gjatë fazës së parë nuk e kanë njohur barazimin. Veçoria e 4 humbjeve të tyre është interesante, humbet në shtëpi me ekipe të “rangut” të saj dhe fiton në dy udhëtime tepër të vështira, duke i shkaktuar Teutës dhe Flamurtarit të vetmet humbje në shtëpi. Por, për ndeshjen në fjalë, “Euroclubindex” favorizon Partizanin me 49% mundësi për fitore, kundrejt 25% për Kastriotin. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR PARTIZANIN DHE KASTRIOTIN
PARTIZANIN JAVA KASTRIOTIN
Enea JORGJI 1 Enea JORGJI
Remzi SADIKU 2 Lorenc JEMINI
Laver ALLA 3 Kridens META
Enea JORGJI 4 Ardian BEQIRI
Ditmar JUBICA 5 Kridens META
Enea JORGJI 6 Emirjon SINO
Lorenc JEMINI 7 Bardhyl PASHAJ
Ditmar JUBICA 8 Olsi SOKOLI
Bardhyl PASHAJ 9 Kridens META
Ditmar JUBICA 10 Bardhyl PASHAJ K
ridens META 11 Bardhyl PASHAJ 

Kukësi-Lushnja
Shikojmë tabelën e renditjes pas fazës së parë. Të 8 kolonat, Kukësi dhe Lushnja i kanë krejtësisht të njëjta! Qëndrojnë në “mesin e artë” me nga 15 pikë në vendet 6-7. Në Lushnjë fituan vendësit 1-0. Kuksianët vinin nga një turne historik për futbollin tonë, me 8 ndeshje të forta të shkallës europiane. Asnjë ekip në Shqipëri nuk ka arritur të zhvillojë kaq ndeshje në Kupat e Europës në një sezon. Ndeshja në Lushnjë, me sa u pa, ishte “e tepërt” për kuksianët. Gjyqtari i parë, që gjykonte dyshen më të re shqiptare në Superiore, ishte Bardhyl Pashaj. 

Kuksianët nuk e kanë “parë” më Pashajn në ndeshjet e tyre. Kuksianët kanë një veçori me gjyqtarët, në 11 javët e para, e kanë gjykuar 9 gjyqtarë. Vetëm Laver Alla e ka gjykuar Kukësin dy herë. Herën e parë si pritës, kur i mundi 3- 1 Vllaznia (rezultati real). Pas kësaj ndeshjeje, nënkampionia bëri si shtëpi stadiume të ndryshme përreth, pasi u ndëshkua nga FSHF-ja dhe humbja u shndërrua në 0-3. Dhe sërish si pritës shfaqet gjyqtari Alla, por kësaj here në Laç, kur barazoi 1-1 me Besën. Dy herë i ka gjykuar kuksianët edhe Lorenc Jemini, por në fusha kundërshtare, ku “heronjtë shqiptarë” në Kupat e Europës humbën një nga ndeshjet të “Jeminit” (në Korçë) dhe fituan tjetrën (në Vlorë). 

Ndaj lushnjarëve, për kuksianët do të jetë ndeshja e tretë në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Në stadiumin e tyre, verilindorët kanë fituar vetëm ndeshjen e fundit ndaj Tiranës. 5 gjyqtarë i kanë gjykuar në fazën e parë të dy sfidantët e kësaj jave. Lushnjarët ndoshta pëlqejnë të gjykojë Edvin Hoxha, nëse kujtojnë barazimin në Ballsh. Ishte e vetmja pikë lushnjare në udhëtimet e fazës së parë. Më “konstant” në rezultatet e Lushnjës në fazën e parë ka qenë gjyqtari Jemini: 3 herë i ka gjykuar në stadiumin e tyre, 3 barazime. Të tria 1-1. Kuksianët kanë një “kredit” të mirë nga “ECI”, pasi u jep atyre 79% fitore. Lushnjarëve u jepet 11 herë më pak! Të shohim grackat e mundshme të trajnerit lushnjar Artan Bano për nënkampionët, të cilët nuk i janë larguar synimit të tyre për një Kukës europian.. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR KUKËSIN DHE LUSHNJËN
KUKËSIN JAVA LUSHNJËN
Bardhyl PASHAJ 1 Bardhyl PASHAJ
Laver ALLA 2 Emirjon SINO
Lorenc JEMINI 3 Enea JORGJI
Emirjon SINO 4 Lorenc JEMINI
Kridens META 5 Andi KOÇI
Enea JORGJI 6 Lorenc JEMINI
Edvin HOXHA 7 Bardhyl PASHAJ
Laver ALLA 8 Ditmar JUBICA
Lorenc JEMINI 9 Andi KOÇI
Olsi SOKOLI 10 Lorenc JEMINI
Ditmar JUBICA 11 Kreshnik CJAPI 

Besa-Skënderbeu
Besa e fillon fazën e dytë me gjysmën e pikëve që ka grumbulluar Skënderbeu. Ajo e fillon fazën e dytë, pasi e mbylli me fitore ndeshjen e fundit të së parës. Skënderbeu bëri të kundërtën, e humbi ndeshjen e javës së 11-të. Fazën e parë, në Korçë fituan minimalisht vendësit. Gjyqtari Emirjon Sino nxori aq kartonë të verdhë (3) sa nxori edhe të kuq (3). Më e dëmtuar doli Besa, prej së cilës Sino nxori jashtë lojës dy futbollistë.

Skënderbeu e fillon fazën e dytë me synimin e vetëm: fitimin e titullit kampion për të 4-ën herë radhazi. Kampionët janë më të sigurt se kavajasit kanë dyfishin e pikëve. Besa nuk është ndonjë ekip dhe aq i fortë, por ama në shtëpi ka arritur 3 fitore në 5 ndeshje. Nga gjyqtarët, Besa “ëndërron” gjykimin e Remzi Sadikut, i cili ka regjistruar dy fitore nga 1-0 ndaj dy rivaleve legjendare, Vllaznia dhe Tirana. Por, nuk do të pranonin të jenë nën gjykimin e Enea Jorgjit, i cili e mbylli takimin e javës së 4-t në Kavajë 0-1. Nga ana tjetër Skënderbeu, duke qenë se ka më shumë siguri në lojë, duket sikur dhe nuk parapëlqen gjyqtarë të veçantë. Kampionët janë ekipi, i cili është gjykuar nga më shumë gjyqtarë fazën e parë -10! Vetëm Kridens Meta i ka gjykuar korçarët në dy ndeshje udhëtuese, ku kanë fituar dhe humbur. Për “Euroclubindex”, Besa ka vetëm 21% shanse ta fitojë ndeshjen, kurse Skënderbeu 54%. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR BESËN DHE SKËNDERBEUN
BESËN JAVA SKËNDERBEUN
Emirjon SINO 1 Emirjon SINO
Edvin HOXHA 2 Kridens META
Kridens META 3 Lorenc JEMINI
Enea JORGJI 4 Ditmar JUBICA
Lorenc JEMINI 5 Andi KOÇI
Laver ALLA 6 Bardhyl PASHAJ
Lorenc JEMINI 7 Kreshnik CJAPI
Laver ALLA 8 Remzi SADIKU
Remzi SADIKU 9 Kridens META
Lorenc JEMINI 10 Ditmar JUBICA
Remzi SADIKU 11 Enea Jorgji 

Laçi-Tirana
Erdhi koha që edhe 24 herë kampionët e Shqipërisë, Tirana, të shkojnë në një qytet të industrializuar dekada më parë… si skuadra e fundit e Superiores. Tirana e K75K ka vetëm 3 fitore deri tani, të tria në kryeqytet me të njëjtin rezultat, 1-0. Bardheblutë kanë vetëm një barazim, edhe atë në Tiranë, atë të javës së parë me Laçin, 0-0. Ndeshja e radhës është një revansh, në një klimë aspak të mirë sportive për legjendën. Tirana ka shënuar vetëm 4 gola në 11 ndeshje! A ka ndodhur më parë kjo? Është hera e parë që bardheblutë e mbyllin fazën e parë duke shënuar vetëm 4 gola! Pritet që ndoshta Tirana të bëjë surprizën për të gjetur ritmin, ndryshe… Tetë sezone më parë, Laçi u shkatërrua tërësisht. Ishte sezoni 2004-2005. Në 36 ndeshje, kurbinasit barazuan vetëm 2, vetëm 2 pikë, me një golavarazh negativ minus 111 gola, si asnjë ekip në gjithë historinë e futbollit shqiptar.

 Laçi nuk u pa më në Superiore për disa sezone, por nuk u “shua”. Atë sezon, Tirana ishte një superekip, 84 pikë, si asnjë në historinë e futbollit shqiptar. Kurbinasit kthehen në Superiore në sezonin 2008-2009. Laçi K70K bëhet ekipi i parë shqiptar, i cili arrin të përfaqësohet në kupat e Europës, që në sezonin e parë të rikthimit në Superiore! Këtë “rit” e vazhdoi edhe sezonin e shkuar. Në 11 ndeshjet e fazës së parë, duket se Laçi ka bërë lojëra luftarake dhe i ka detyruar edhe ekipet kundërshtare të bëjnë një gjë të tillë. Fakt për t’u shikuar është numri i kartonëve të dhëna në 11 ndeshjet e kurbinasve. Në të gjitha ndeshjet, gjyqtarët kanë akorduar në secilën prej tyre, 4 deri më 6 kartonë të verdhë. Laçi ka qenë nën “kontrollin” e 9 gjyqtarëve gjatë fazës së parë. Vetëm Alla dhe Sokoli e kanë gjykuar nga dy herë. Gjyqtari i këtij takimi? Vështirë se ndeshjen e radhës në Laç ta gjykojë Olsi Sokoli. Në javën e 10-të, Sokoli ka akorduar 11-metërsh në dëm të kurbinasve në minutën e 96-të. Laçi humbi takimin me Kukësin 1-2! Me Bardhyl Pashajin, kurbinasit fituan në Krujë. 

Por ama, sezonin e kaluar u mundën në Laç nga Flamurtari, pikërisht nga “gabimet” e Pashajit. Kështu thuhet gjithnjë nga humbësit, sidomos kur luajnë në shtëpi. Tirana nuk do të ketë preferenca për gjyqtarët. Tre gjyqtarë i kanë gjykuar bardheblutë në dy ndeshje: Jubica, Sino dhe Jorgji. Vetëm me Emirjon Sinon, Tirana i ka fituar të dy takimet. Ditmar Jubica i ka “nxjerrë” nga fusha të mundur tiranasit në të dy transferat, ku i ka gjykuar. Enea Jorgji është në “barazim”. “Horoskopi” i ECI parashikon si fitues: Laçi 52%, Tirana 23%. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR LAÇIN DHE TIRANËN
LAÇIN JAVA TIRANËN
Laver ALLA 1 Laver ALLA
Remzi SADIKU 2 Emirjon SINO
Enea JORGJI 3 Kreshnik CJAPI
Olsi SOKOLI 4 Ditmar JUBICA
Emirjon SINO 5 Edvin HOXHA
Laver ALLA 6 Emirjon SINO
Kreshnik CJAPI 7 Lorenc JEMINI
Kridens META 8 Enea JORGJI
Edvin HOXHA 9 Remzi SADIKU
Olsi SOKOLI 10 Enea JORGJI
Bardhyl PASHAJ 11 Ditmar JUBICA 

Bylisi – Teuta
Ballshiotët janë në dilemë, cili nga tre gjyqtarët që i ka gjykuar nga dy herë në fazën e parë do të jetë më i preferuar, nëse ata do të caktoheshin në sajë të preferencave? Të tre gjyqtarët në fjalë kanë qenë të vlefshëm për ballshiotët. Me Enea Jorgjin, ata mundën korçarët në Ballsh, por u mundën në kryeqytet nga Tirana. Me Lorenc Jeminin si gjyqtar, Bylisi i fitoi të dyja ndeshjet, pa harruar faktin që në shtëpi ballshiotët nuk janë mundur këtë sezon. Kridens Meta “përzgjidhet” si favorit i tyre me gjykimin e dy barazimeve në dy fusha “të mëdha kampionësh”, 2-2 në Vlorë dhe 1-1 në Shkodër. 

Cila mund të jetë ana tjetër e medaljes së gjyqtarëve të papreferuar statistikisht për Ballshin? Vështirë ta gjejmë… Në javët e para të këtij sezoni, Teuta e kishte “shpërngulur” fushën e vet në stadiumin “Besa” të Kavajës në katër takime pritëse. Të parët, që durrsakët i pritën si miq në stadiumin e Kavajës, ishin pikërisht ballshiotët tek i mundën 2-1. 

Teuta i fitoi të katra ndeshjet pritëse në Kavajë! Gjyqtari Edvin Hoxha mund të njihet si “favorizues” i durrsakëve. Jo vetëm për dy penalltitë që u akordoi ndaj Besës në javën e dytë (përfundoi 2-2). Hoxha i ka gjykuar durrsakët tri herë gjatë fazës së parë, që të tria në Kavajë, ku Teuta shënoi nga 2 gola, duke fituar dy ndeshje. Dy gjyqtarë i kanë gjykuar durrsakët nga dy herë. Nën “komandën” e Ditmar Jubicës, durrsakët i fitojnë 2-1 të dyja ndeshjet pritëse në fushën asnjanëse të Kavajës. Ndryshe qëndrojnë raportet kur i ka gjykuar Kridens Meta, i cili e ka përfunduar lojën me një fitore dhe një humbje të thellë ndaj Partizanit. Euroklubindeks “favorizon” Ballshin me 42 % fitore, ndërsa Teutën me 31 %, që mund të “përkthehet” në një ndeshje me të tria rezultatet brenda. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR BYLISIN DHE TEUTËN
BYLISIN JAVA TEUTËN
Ditmar JUBICA 1 Ditmar JUBICA
Lorenc JEMINI 2 Edvin HOXHA
Laver ALLA 3 Ditmar JUBICA
Olsi SOKOLI 4 Emirjon SINO
Lorenc JEMINI 5 Edvin HOXHA
Kridens META 6 Lorenc JEMINI
Edvin HOXHA 7 Kridens META
Enea JORGJI 8 Remzi SADIKU
Andi KOÇI 9 Edvin HOXHA
Kridens META 10 Bardhyl PASHAJ
Enea JORGJI 11 Kridens META 

Flamurtari – Vllaznia
Vlonjatët do të presin shkodranët me synimin e tyre të vetëm, të barazohen me ta në pikë, edhe pse të dy ekipet kanë nga 5 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Vlonjatët duket se e kanë kaluar atë çoroditjen jo të vogël që u solli masa e FSHF-së, tek i hoqën një trepikësh të marrë ndaj Skënderbeut në javën e dytë. Ekipi vlonjat u lëkund shumë, por presidenca dhe stafi teknik vlonjat nuk u luhatën nga synimi i tyre për të qenë pretendentë. Me tri fitore radhazi në tri ndeshjet e fundit, Flamurtari do të ishte krah Vllaznisë dhe Partizanit me nga 17 pikë. 

Kuqezinjtë mund ta arrijnë këtë kuotë nëse i mundin përsëri shkodranët. Tani janë miqtë që kanë dështuar në dy ndeshjet e fundit kur kanë marrë vetëm një pikë. Vlonjatët janë gjykuar vetëm nga 6 gjyqtarë. Jeminin dhe Metën i kanë pasur në nga tri ndeshje dhe Jubicën në dy ndeshje. Me Lorenc Jeminin, vlonjatët “janë në rregull” statistikisht se kanë fituar dy dhe humbur një ndeshje. Ndërsa me Metën kanë grumbulluar vetëm 1 pikë në tri ndeshje, edhe pse kanë fituar një ndeshje që Flamurtari e humbi më pas në tavolinë, por për fajin e vetë vlonjatëve. Shkodranët janë gjykuar në dy ndeshje fazën e parë nga tre gjyqtarë. Me të tre ka qenë nga një ndeshje pritëse dhe nga një udhëtuese. 

Me Bardhyl Pashajin, shkodranët kanë qenë “kontraversalë”, humbasin në Shkodër me Skënderbeun dhe fitojnë në Tiranë me Partizanin. Me Kridens Metën dhe Lorenc Jeminin, Vllaznia ka marrë vetëm nga një pike. Me Jeminin e kanë filluar kampionatin me humbje, pikërisht në Shkodër ndaj Flamurtarit, por marrin një pikë të vështirë në Lushnje. Me Metën në gjykim, shkodranët u mundën në Durrës, kurse në Shkodër barazojnë me ballshiotët, pasi ishin në disavantazh 0-1. Gjyqtarët “më të mirë” për shkodranët në ndeshjet udhëtuese, sipas statistikave, janë Bardhyl Pashaj dhe Laver Alla, që përfundoi ndeshjen Kukësi – Vllaznia 1-3, por që u “konvertua” në 0-3 për sjellje antisportive të sportdashësve kuksianë. “Euroklubindex” nuk u jep shpresa shumë shkodranëve të trajnerit vlonjat Astrit Canaj në takimin e Vlorës. Përqindja e fituesit të mundshëm të “përllogaritjeve 3- vjeçare” është: Flamurtari 66%, Vllaznia 14%. 

JA GJYQTARËT QË KANË GJYKUAR FLAMURTARIN DHE VLLAZNINË
FLAMURTARIN JAVA VLLAZNINË
Lorenc JEMINI 1 Lorenc JEMINI
Kridens META 2 Laver ALLA
Ditmar JUBICA 3 Kreshnik CJAPI
Ardian BEQIRI 4 Lorenc JEMINI
Ditmar JUBICA 5 Emirjon SINO
Kridens META 6 Bardhyl PASHAJ
Lorenc JEMINI 7 Kridens META
Kridens META 8 Olsi SOKOLI
Lorenc JEMINI 9 Bardhyl PASHAJ
Enea JORGJI 10 Kridens META
Kreshnik CJAPI 11 Remzi SADIKU 

(m.s/panoramasport/BalkanWeb)