Skënderbeu kalon me sukses provën në Berat, ku përveç fushës së përmbytur, e një kundërshtari mjaft të vështirë, i rezistoi edhe entuziazmit të tifozëve vendas, që ndoqën për herë të parë pas 10 viteve në stadiumin e tyre një ndeshje në elitën e futbollit shqiptar. Korçarët fituan 4-2 përballë Tomorit, në një takim të luftuar dhe me ritëm të lartë. Sfida nisi në mënyrën më të mirë për Skënderbeun, që zhbllokoi rezultatin vetëm pas 10 minutave lojë, me një 11-metërsh të fituar nga Plaku. Pavarësisht protestave të lojtarëve beratas te vijërojtësi Rexha dhe kryesori Jemini, Shkëmbi ekzekutoi saktësisht nga pika e bardhë. Tomori kërkon të reagojë dhe sulmon me të gjitha forcat, duke vënë disa herë në vështirësi portierin Shehi, ndërsa Bakiu në dy momente shpërdoron në mënyrë të pabesueshme mundësitë e krijuara. Megjithatë, sulmuesi shlyen gabimet në të 34-ën, kur I vjedh një top Bicit që pretendonte faull dhe mposht portierin Orges Shehi, duke krijuar iluzionin se Tomori nuk do të dilte duarbosh nga kjo ndeshje. Megjithatë, ishte radas në të 41-ën ai që shuan entuziazmin e vendasve, me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore. Por, Tomori nuk dorëzohet dhe reagon në fraksionin e dytë të lojës, duke rikthyer ekuilibrin në të 61-ën me Çarls Ofeje: lojtari I afruar në merkaton e janarit shfrytëzon një rrëmujë në zonën kundërshtare dhe e dërgon topin në rrjetë me një goditje potente. Megjithatë, Skënderbeu ka klas dhe grintë dhe këtë e konfirmon në të 65-ën, me golin e tretë të realizuar nga Gjergji Muzaka, që bën gjithçka mirë dhe shënon. Mesfushori i Kombëtares shqiptare shënon sërish 4 minuta më pas, duke vulosur shifrat përfundimtare 4-2. Korçarët rezistuan edhe pse kanë luajtur për mbi 15 minuta në inferioritet numeric, pas kartonit të kuq të mbrojtësit Bici. Me këtë triumf, skuadra e Levit ngjitet në kuotën e 29 pikëve dhe tashmë ka vetëm 3 pikë më pak se Teuta kryesuese dhe 1 nga Tirana e vendit të dytë. Në takimin tjetër të së dielës, Pogradeci ka fituar me barazuar 1-1 me Kastriotin. Në takimin e luajtur në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, liqenorët kaluan të parët me avanhtazh me një 11-metërsh të kapitenit Çerepi. Miqtë barazuan kur mungonin vetëm 7 minuta nga mbyllja e takimit, ndërsa më parë portieri Petrovski i Pogradecit kishte neutralizuar një 11-metërsh.