Nga EDUARD ILNICA


Korçarët fitojnë me dy gola diferencë, por pësimi i golit mund ti rrezikojë. Trajneri Ndreu ia faturon humbjen gjykimit


 


SKENDERBEU – KASTRIOTI   3-1

Shënues: Plaku 10, Radas 17, Bratiç 53 / Inkango 11


SKENDERBEU: Shehi, Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Fagu (Kërçiku 77), Bratiç (Biskup 88), Allmuça, Shkëmbi (Orelesi 63), Muzaka, Xhafaj, Plaku. Trajner: S. Levi.


Kartonë të verdhë: Radas, Plaku, Arapi


KASTRIOTI: Halili, Caca, Pashaj, Malakarne, Cetkoviç (R. Hoxha 73), Sefa, Alikaj (Sekseni 35), Muçollari, Turdiu, Inkango, Xhihani (Ognianoviç 34). Trajner: R. Ndreu.

Kartonë të verdhë: Turdiu, Sefa, Sekseni


Gjyqtarë: E. Sino, I. Tartari (Fier), N. Rrapaj (Patos)


 


Radiografia


8- Zbritje e shpejtë e korçarëve. Muzaka nga e djathta e sulmit fut një top të saktë për Plakun, që me kokë e dërgon topin në rrjetë. 1-0 për Skënderbeun.


10- Vetëm 90 sekonda më vonë, Inkango rrotullohet bukur në hyrje të zonës korçare, edhe pse ka mbulimin e një mbrojtësi, gjuan dhe shifrat barazohen në 1-1.


12- Miqtë kërkojnë të befasojnë sërish. Është Sefa që ekzekuton fuqishëm një goditje dënimi nga larg, por grushton Shehi.


16- Goditje dënimi për Skënderbeun, 17 metra larg portës së Kastriotit. Kapiteni Shkëmbi gjuan fuqishëm dhe topi përplaset te këmbët e një mbrojtësi, pasi kthehet në lojë, është Radas që shkarkon të majtën e tij, duke e dërguar topin në rrjetë. 2-1 për vendësit.


28- Mundësia e parë shënimi për vlonjatin Xhafaj, që në hyrje të zonës mike gjuan dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.


44- Kombinim i bukur, Shkëmbi-Fagu jashtë zone dhe është ky i fundit, që e çon topin mbi traversën e Halilit.


47- Për vlonjatin Daniel Xhafaj është një tjetër ndeshje e pafat. Pasi futet në zonën mike në krahun e majtë, gjuan me të majtën dhe është shtylla e djathtë pingule që ndal miqtë nga pësimi i golit të tretë.


52- Goditje nga këndi për kuqebardhët. Shkëmbi çon një top në zonë dhe Bratiç me kokë e dërgon topin për herë të tretë në rrjetën krutane.


76- Zbritje e shpejtë e Skënderbeut. Muzaka kërkon të çojë një top për te Xhafaj, por vetëm në momentin e fundit është kapiteni i miqve Caca që largon topin që po shkonte drejt vlonjatit, që ishte i vetëm me portën e boshatisur.


81- Është vlonjati Xhafaj që driblon katër futbollistë miq, nxjerr të lirë Kërçikun dhe ky i fundit i vetëm përballë portierit mik bën më të vështirën, gjuan jashtë.


83- Është Muzaka që këtë herë nxjerr të lirë brenda zonës mike Orelesin, që përballë Halilit bën më të vështirën, ia përplas topin në këmbë portierit mik, teksa kishte mundësinë më të mirë për të shënuar.


87- Xhafaj që provon në hyrje të zonës të shkarkojë të djathtën e tij, por këtë herë grushton Halili.


 


Një fitore e merituar e Skënderbeut, që pothuajse kalon korçarët në finale. Por futbolli ka gjithnjë surpriza, pasi kujtojmë që një fitore 2-0 e krutanëve më 18 prill në Krujë mund të nxirrte Kastriotin për herë të parë në historinë e tij në finale.


Në fakt, djemtë e Ndreut u futën në lojë me atë barazim shumë të shpejtë, por nuk arritën më pas, ku dy golat e mëpasëm të Skënderbeut, sfumuam atë gol të Inkangos. Korçarët kanë kënaqur ata pak tifozë të pranishëm, por shumë shpejt këta ekipe do të ndeshen sërish, të dielën, kësaj radhe në Krujë dhe për kampionat. Sigurisht që do të jetë tjetër histori.


Pjesa e parë Nis me tre gola për 17 minuta lojë, duke dëshmuar nivelin e kënaqshëm të të dyja skuadrave. Fillimisht ka shënuar Skënderbeu, në minutën 10-të me Sebino Plakun, ndërkohë që një minutë më pas është kundërpërgjigjur Inkango për krutanët, që barazon shifrat. Gjithçka ndodh si pasojë e një loje tërësisht të hapur, me sulme sa në njërën portë, aq edhe në tjetrën.


Dhe nuk vonon shumë, pasi në 17-ën, korçarët e shohin veten sërish në epërsi, kësaj here për 2-1, teksa Radas ka përfunduar në rrjetën e Halilajt atë top të kthyer nga muri mbrojtës i miqve, në momentin e ekzekutimit të goditjes së dënimit nga Shkëmbi. Korçarët sulmojnë në ballë të gjerë, kanë më së shumti kontrollin e terrenit dhe të topit, gjenden në mënyrë të vazhdueshme në gjysmëfushën mike, ku janë tepër ngacmues me dyshen Plaku-Xhafaj.


Ky duet është vendosur në majë të repartit ofensiv vendës, i asituar në detyrat e veta nga krahët, prej Muzakës dhe Allmuçës. Kastrioti kundërpërgjigjet në këtë drejtim me Inkangon dhe Xhihanin, që të dy mjaft të lëvizshëm dhe problematikë për mbrojtjen kuqebardhë. 30 minutat e para konsumohen në këtë linjë loje, ndërkohë që me kalimin e këtij pragu, Skënderbeu është bërë më edhe më i rrezikshëm.


Shkëmbi, Muzaka, Xhafaj dhe Plaku e bombardojnë nga të gjitha pozicionet portën mike, por nuk arrijnë dot të jenë efikasë, sa për mungesë shënjestre të tyre, por edhe për meritë të portierit Halili. Ky presion i madh e detyron trajnerin Ramadan Ndreu të bëjë lëvizjet e para në formacion. Nxjerr sulmuesin Xhihani, disi i dëmtuar, për të hedhur në fushë një mbrojtës, malazezin Ognianoviç, ndërsa një minutë më pas aktivizon edhe Seksenin për Alikajn. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-1.


Pjesa e dytë Korçarët vijojnë të jenë tepër kërkues e ngulmues në gjysmëfushën krutane, ku sulmojnë me forca të shumta, jo vetëm me dy sulmuesit, Xhafaj e Plaku. Goli i tretë do të vinte nga një mesfushor mjaft aktiv në fushë, pikërisht nga Bratiç. Një hezitim në markimin e kroatit nga Turdiu, i ka dhënë mundësinë futbollistit kuqebardh të vihet në pozicion të volitshëm dhe të konkretizojë golin e tretë, që shton sigurinë.


Megjithatë, ka ende minuta lojë për të dyja palët. Duke e parë veten në epërsinë e tre golave, trajneri Levi i orienton të tijtë të jenë më të kujdesshëm në detyrat difensive, me qëllim që të mos pësojnë gol tjetër, pasi kjo do të ishte në dëm të kampionëve të vendit në fuqi për kthimin. Në funksion të kësaj gjëje, Levi nxjerr nga fusha e lojës kapitenin Shkëmbi, që ka shpenzuar shumë energji dhe nuk ka më freskinë e duhur fizike, për të përforcuar mesfushën me një lojtar të një natyre tjetër.


Në vend të fantazistit aktivizohet një lojtar shkatërrues, si Orelesi. Tashmë digës korçare në mesfushë i shtohet edhe një forcë e freskët, për ta bërë kësisoj tepër të vështirë daljen në sulm të krutanëve.


Të cilët, pavarësisht se janë në disavantazh, nuk është se reagojnë fort. Madje, trajneri Ndreu duket sikur përkujdeset të mos pësojë më tepër në Korçë, teksa në minutën e 73-të nxjerr nga loja sulmuesin malazez Cetkoviç, për të aktivizuar mbrojtësin Rigers Hoxha. Ky zëvendësim i përzien letrat te Kastrioti, sepse Inkangos në sulm i bashkohet tashmë Turdiu.


Qëllimi i trajnerit mik është i qartë, të kapet në kundërsulm Skënderbeu, i cili nuk harron të jetë vizitor i rregullt i mbrojtjes krutane, sepse një gol i katërt do të ishte shumë qetësues për juglindorët, do ta bënte thuajse të sigurt kualifikimin për në finale. Në këtë kahje bën lëvizjen e vet edhe trajneri Levi, që hedh në fushë këmbëshpejtin Kërçiku, në vend të Fagut, duke dëshmuar se do ta thellojë edhe më avantazhin.


Mund ta kishin bërë këtë gjë fare mirë vendësit në minutën e 83-të, teksa Muzaka merr krahun e majtë të sulmit të vet, shkon deri në zonën krutane, por tregohet altruist, duke e pasuar topin në kahun tjetër, tek Orelesi, që përballë portës së Kastriotit bën më t