Ali Sowe me një dygolësh dhe James Adeniy i dhanë fitoren 3-1 me përmbysje Skënderbeut përballë Teutës në Korçë. Edhe pse durrsakët e nisën mirë sfidën, duke e gjetur golin me Anel Dedic me 11-metërsh në minutën e 20-të, dolën të humbur nga kjo transfertë.


Ali Sowe barazoi shifrat në të 35-ën dhe pas shumë përpjekjesh shënoi të dytin personal në minutën e 81-të. Teuta u hodh në sulm në minutat e fundit por pësoi edhe të tretin me autor James Adeniy. Skënderbeu e mbyll 2017-ën në vendin e parë në kuotën e 37 pikëve, 9 më shumë se Flamurtari i vendit të dytë.


Kamza, surpriza e këtij sezoni, futet në krizë rezultatesh. Skuadra e Ramadan Ndreut pësoi humbjen e tretë radhazi dhe të dytën në shtëpi përballë Flamurtarit, që realizoi 3 gola në këtë transferë.


Ardit Hoxha ndëshkoi kamzalinjtë që në minutën e 20-të, ndërsa në fund të pjesës së parë Victor Juffo përfitoi nga topi i mbetur në zonë dhe thuasje nga vija e 16-metrave mposhti portierin Halilaj për herë të dytë. Në kohën shtesë Tangara vulsoi takimin me golin e tretë për kuqezinjtë dhe të parin personal në Superiore.


Rezultati më i papritur i javës së 16-të të Kategorisë Superiore u shënua në sfidën e Zeqir Ymerit. Luftëtari i Hasan Likës vetëm një javë pasi shkatërroi 5-0 Partizanin, bën një tjetër mrekulli, këtë radhë ndaj Kukësit në transfertë. Bluzinjtë mposhtën me rezultatin 1-2 kampionët në fuqi, që zhgënjejnë sërish përballë publikut vendas, duke u detyruar tia lënë vendin e dytë Flamurtarit dhe të tretin Laçit. Kristal Abazaj befasoi fillimisht portierin Enea Kolici në fund të pjesës së parë, pas një pasimi të saktë të marrë nga mesfusha. Sapo nisi fraksioni I dytë, Rroca përfitoi nga hezitimi i mbrojtjes verilindore dhe godet portën, me Kolicin që këtë radhë nuk është në lartësinë e detyrës, me topin që pasi I përplaset në duar përfundon në rrjetë.


Elis Bakaj rihap sfidën me 11-metërsh në minutën e 65-të, penallti e kontestuar nga vendasit. Lojtarët e Kukësit në minutat e fundit arritën të goditnin edhe shtyllën, por pa mundur të shmangin humbjen, që ishte e pesta në këtë sezon. Kjo disfatë i zhvendos kampionët në fuqi në vend të pestë.


Partizani bën të harrohet disi humbja turpëruese me Luftëtarin, pasi mposhti me rezultatin 3-1 Vllaznisë në Selman Stërmasi, duke e futur ekipin shkodran në një krizë të thellë rezultatesh. Pa u mbushur 9 minuta lojë Labinot Ibrahimi, i harruar nga mbrojtja kuqeblu realizoi një gol të bukur në shtyllën e dytë pas një skeme perfekte në momentin e ekzekutimit të një goditjeje standarde nga Batha. Reagimi i Vllaznisë ishte shumë i shpejtë me Eraldo Çinarin që barazoi në të 11-ën, pasi iu shmang mbulimit të Ibrahimit.


Partizani nuk mund të pajtohej me këtë rezultat dhe kërkoi me ngulm fitoren edhe në pjesën e dytë, me golin e dytë që erdhi nga këmbët e Gerhard Prognit, me një goditje të saktë në hyrje të zonës rrafsh me tokën.


Partizani e hipotekoi fitoren në minutën e 83-të me Jurgen Bardhi, që u shërbye nga Progni dhe pasi shmangu edhe portierin Sherri realizoi me zgjuarsi të tretin.


Lushnja dështon në misionin e saj për të marrë pikë në fushën e Laçit. Kurbinasit fituan me rezultatin 2-1 në një sfidë me mjaft rivalitet, ku vendosi goli me kokë i Myrto Uzunit në pjesën e dytë. Sfida në fakt nisi shumë mirë për skuadrën e Mezanit, që kaloi në avantazh që në minutën e 2-të me Reginaldon, por 3 minuta nga përfundimi i pjesës së dytë, Fatjon Sefa ktheu ekulibrat në rezultat. Në pjesën e dytë kurbinasit rikthyen avantazhin me Uzunin në minutën e 77-të, ndërsa Xhixha realizoi golin e 3-1 në kohën shtesë. Kjo fitore e ngjit Laçin në vendin e tretë.


22 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)