Lushnja provoi më të mirën e saj në përballjen me kryesuesit e kampionatit, por nuk ia doli të merrte një rezultat pozitiv, në takimin që ngriti siparin e javës së 15 të Superiores.


Me rezultatin 1-3 u mbyll takimi i luajtur në stadiumin Roza Haxhiu, ku lufta sportive mes dy skuadrave që ndajnë ekstremet e tabelës së klasifikimit ishte shumë e lartë.


Korçarët u imponuan me cilësinë e lojës së tyre, edhe pse terreni ishte i rënduar nga reshjet. Vetëm pas 4 minutash lojë, James Adeniyi kaloi në avantazh korçarët.


Goli nuk i stepi të besuarit e Hysen Dedjes dhe i zakonshmi Faton Sefa, në minutën e 29 vendosi barazinë në rezultat. Në limitin e pjesës së parë, Gavazaj riktheu korçarët në avantazh.


Përpjekjet e Lushnjës në pjesën e dytë ishin maksimale, por Skënderbeu ishte shumë i fortë për ta. Në një aksion të vrullshëm, minuta e 81-të ka parë portierin Spaho të tentojë të ndalojë Muzakën, arbitri ka sinjalizuar goditje dënimi dhe një karton të kuq për Spahon. Dyshimet e lushnjarëve krijuan edhe moment nervozizmi.


Goditja e dënimit e ekzekutuar nga Radas ishte e pakapshme për mbrojtësin Canka, që mori vendin e portierit Spaho, ndërsa Lushnja kishte kryer të gjitha zëvendësimet.


Frymëmarrje për Vllazninë


Pas dy humbjeve radhazi dhe eliminimit në Kupë, Vllaznia rikthehet te fitorja, e këtë e bën ndaj një prej skuadrave surprizë të sezonit, Kamzës.


Formacioni kuqeblu ka mundur në Shkodër, me rezultatin 3-2 Kamzën.


U duk gjithçka e lehtë për formacionin e drejtuar nga Ernest Gjoka, shumë i kritikuar javën e fundit, kur në minutën e 18 erdhi goli i parë i takimit. Ishte Andi Ribaj, që shfrytëzoi një kundërsulm për të ndryshuar shifrat e takimit.


Përpjekjet e Kamzës në pjesën e parë ishin modeste, ndërkohë që Vllaznia e rriti epërsinë me Cinarin, që në minutën e 47 shënoi golin e dytë.


Ky avantazh sikur e qetësoi më shumë se çduhet Vllazninë, që lëshoi pak në lojë. Nga kjo situatë përfitoi Plaku, për të shkurtuar diferencën në minutën e 49.


Gjoka i dha besim një prej talenteve të skuadrës shkodrane, Kalasë, që shënoi edhe golin e tretë. Goli i Imerit në minutën e 78 shërbeu vetëm për statistikë.


Me këtë rezultat, Vllaznia kapërcen në klasifikim Luftëtarin, me dy pikë më shumë, në pritje të përballjes që gjirokastritët do të kenë të dielën me Partizanin.


Renditja


Pas këtyre takimeve, Skënderbeu shkon në kuotën e 34 pikëve, duke e çuar në +9 distancën nga Flamurtari ndjekës, ndërsa Vllaznia bën një hap të rëndësishëm përpara, pasi shkon në vendin e 8, me 15 pikë, po aq sa ka edhe Teuta e vendit të 7.