Edhe pas këtij sezoni Skënderbeu vazhdon të jetë skuadra e parë shqiptare që renditet më lart në klasfikimin e UEFA-s për klube.


Korçarët edhe pse kanë humbur 6 pozicione krahasuar me një sezon më parë duke rrëshkitur në vendin e 204-t, i lënë pas të gjitha klubet e tjera shqiptare dhe për këtë arsye janë edhe skuadra e kampionatit shqiptar me koeficientin më të lartë në kompeticionet europiane.


Falë ecurisë së mirë në Europë në 5 vitet e fundit që kulmoi me atë kualifikim historik në grupet e Europa Leagues përpara 2 sezonesh Skënderbeu nuk ka rivalë në këtë klasfikim special krahasuar me klubet e tjera të kategorisë Superiore.


Kukësi kampion në fuqi edhe pse ka fituar disa pozicione në renditjen e re pozicionohet plot 73 vende pas korcarëve, pra i 277-ti. Partizani ndërkohë falë ecurisë pozitive vitin e kaluar në Champions League dhe Europa League, ka ngjitur plot 82 shkallë dhe aktualisht mban vendin e 333-të në renditjen e UEFA-s


Skuadra e 4-t shqiptare është Laci që pozicionohet e 366-ta, e ndjekur nga Teuta, Flamurtari dhe Tirana që pozicionohen disa vende poshtë kurbinasve. Bardheblutë që do të sfidojnë pas disa ditësh Maccabin e Tel Avivit në turin e parë kualifikues të Europa Leagues mbyllin klasfikimin e skuadrave shqiptare në Europë, me Tiranën që renditet e 393-ta.


23 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)