Qeveria e Skocisë ka publikuar një raport në lidhje me rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike në Skoci nga ku ka bërë të ditur se vendit të tyre do t’i duhen çdo vit 20 mijë emigrantë të rinj. Duke parë këtë mundësi, ku në Skoci do të kërkohen për 30 vite nga 20 mijë emigrantë shtesë, shqiptarët mund të përfitojnë nga kjo kërkesë e shtetit skocez. Sipas këtij studimi, fuqia punëtore në Skoci do të bjerë me 15 për qind në vitin 2040, çka do të thotë një nevojë urgjente për krah pune për të garantuar rritjen ekonomike. Nevoja e emigrantëve në Skoci është vlerësuar së tepërmi kohët e fundit pasi raporti ka vërejtur se 9 për qind e popullsisë, e cila është e përbërë nga emigrantë për nevoja punësimi, sjellin 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria skoceze, duke parë këto të dhëna, ka hartuar edhe planin ambicioz për rritjen e emigrantëve në këtë vend. Nga ana tjetër edhe ekonomistët kanë paralajmëruar se rënia e fuqisë punëtore do të çojë në ulje të prodhimit industrial, ndërtimeve si dhe peshkimit, tepër vitale për ekonominë skoceze. Një tjetër shqetësim që kanë hasur ekonomistët në Skoci, është edhe afrimi i emigrantëve. Skocia nuk preferohet shumë nga emigrantët evropiano-lindorë, si polakët për shembull, për shkak se kanë mundësi fitimi më shumë në vende të tjera të BE-së. Sipas tyre, nga Skocia janë larguar 26 mijë emigrantë vitin e kaluar dhe parashikohet që emigracioni të bjerë me 8 mijë persona në 5 vitet e ardhshme. “Ndërkohë që mosha e popullsisë fillon të bjerë, atëherë tregu fillon një rënie dhe ekonomia bëhet më pak konkurruese”, - është shprehur Kim Swales, profesor në Universitetin e Strathclyde dhe autori i librit “Emigracioni do të tregojë ç’do të ndodhë në ekonomi në 20-30 vitet e ardhshme”. Tashmë në Skoci duket se po kërkohen gjithnjë e më shumë nga ekspertët e ekonomisë politika lehtësuese për emigrantët që kërkojnë të punojnë në këtë vend. Sipas tyre, mungesat e krahut të punës do të jenë fatale për ekonominë skoceze, ndaj dhe masat qeveritare ndaj lehtësirave duhet të jenë më efikase dha afatgjata. Për sa i përket emigracionit, vendet perëndimore kanë format e tyre të inercisë. Në vendet e vjetra anëtare të BE-së për shembull, kundërshtia midis të brendshmëve dhe të jashtmëve ka shkaktuar një debat intensiv. "E mesmja globale kërkon risigurim", - shkruan ekonomisti i Harvardit dhe ish-sekretari i thesarit të SHBA-së, Leri Samers. Ai i referohej ankthit të provuar nga rrogëmarrësit në ekonomitë e kamura nën presionin e konkurrencës aziatike. Deduksioni është shumë i qartë: Ata që kanë punë do të bëjnë gjithçka munden me qëllim që t'i mbajnë ato edhe në qoftë se kjo pengon një funksionim normal të tregjeve. Në Evropën Lindore presioni nga lart mbi pagat do të ketë gjasa të vazhdojë në vitet që vijnë. Me të vërtetë, pagat mund të rriten më shpejt se parashikimi për shkak të ndikimit të migracionit të fuqishëm. Rritja në paga do të ndihet si në sektorin privat ashtu dhe në atë shtetëror. Po të ndodhë kjo, mund të dilnin efekte negative të padëshirueshme. Rritja e pagave, po qe e pashoqëruar me rritjet e duhura të rendimentit, do të bëjë që inflacioni të zvarritet ngadalë në ngjitje përsëri dhe të shpjerë në deficite më të mëdha kërcënuese të jashtme. Ndërkohë, për herë të parë, tregjet evropiane lindore të punës po fillojnë të ushtrojnë presion për të pranuar punëtorët imigrantë. Rritja e mungesës së punës është parë në fusha të ndryshme, së bashku me normat e rritjes tepër superiore të PKB-së, të krahasuara me Evropën e vjetër. Ndoshta nuk është rastësore atëherë që Polonia dhe vendet baltike kanë hapur tregjet e tyre ndaj punëtorëve nga Evropa Lindore.