Rosell kërkon trajnerin brazilian pas përfundimit të Kampionatit Botëror


Skolari - Disa vite më parë, trajneri brazilian deklaroi se do të ishte ëndërr e çdokujt të ulej në stolin e Barcelonës


Luis FelipeLuiz Felipe Skolari mund të ulet në pankinën e Barcelonës duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Ky është lajmi i bujshëm që është përhapur me shpejtësi gjatë ditës së djeshme, duke shtuar kësisoj spekulimet për të ardhmen e Gerardo Martino në drejtimin e ekipit katalanas. Nuk ka ende një ofertë zyrtare apo një diskutim mes palëve, por që tani hipotetizohet se Sandro Rosell është gati të firmosë me brazilianin sapo të përfundojë Kampionati Botëror, atëherë kur edhe Martino do të kthehet në vendlindje, pasi është i pakënaqur me eksperiencën e tij europiane.


Gjithçka ka nisur me një prononcim të gazetarit sportiv anglez Graham Hanter, i cili në një emision të Sky Sports ka përhapur këtë hipotezë të bujshme. A do ta përmbushë Martino kontratën e tij te Barcelona deri në fundin e saj? Kam dyshime që jo. Mendoj se synimi i presidentit Rosell është të afrojë Skolarin pas përfundimit të Kupës së Botës, ishin fjalët e gazetarit anglez, që cilësohet një specialist i merkatos së kampionatit spanjoll dhe ka shumë burime pranë klubeve të mëdha.


Lajmi më pas është përhapur me shpejtësi në Spanjë dhe në Brazil, vende ku kjo hipotezë e hedhur është dukur më se e natyrshme. Pakënaqësia e Martinos me eksperiencën e tij te Barcelona dhe kryqëzimi mediatik që i bëhet atij sa herë që katalanasit nuk shkëlqejnë, kanë bërë që ky i fundit të diskutojë me të njohurit e tij rreth kthimit në vendlindje. Për këtë arsye, edhe presidenti Rosell ka vendosur që të shohë që tani opsionet më të mira në qarkullim, me Skolarin që ka qenë gjithmonë një nga të preferuarit e tij. Në Spanjë janë të sigurt se nëse Skolari nuk do të ishte duke drejtuar Brazilin, ai do të ishte ulur që në fillimin e sezonit në stolin e katalanasve, ndaj mundësia që Rosell ta kontaktojë pas Botërorit është më se reale.


Zërat për afrimin e Skolarit vijnë në të njëjtën ditë kur Gerardo Martino dhe Lionel Mesi janë takuar në Rosario, vendlindja e tyre në Argjentinë. Të dy kanë kaluar Krishtlindjen pranë familjeve të tyre dhe kanë caktuar ditën e djeshme për një takim ku pritej të diskutohej vetëm riaftësimi i Pleshtit dhe afatet e kthimit të tij në fushën e lojës në fillimin e janarit. Por, me sa duket, tema ka ndryshuar edhe mbi të rejat e fundit që kanë shpërthyer në media, sepse dihet që Mesi është sponsori kryesor që Martino të ulet në stolin e Barcelonës. Sido që të shkojë situata në klubin katalanas, Martino dëshiron të etiketohet si fitimtar dhe për këtë arsye, i ka kërkuar bashkëkombësit të tij një fazë të dytë të sezonit sa më spektakolare, në mënyrë që edhe nëse ikën në qershor, ta bëjë me kokën lart.


Pikërisht afrimiteti i Mesit me Martinon dhe fakti që Skolari gjithmonë ka cilësuar Kristiano Ronaldon si futbollistin më të mirë në botë dhe jo argjentinasin, kanë bërë që emërimi i mundshëm i brazilianit të shihet me skepticizëm në Spanjë. Tashmë të gjithë janë të qartë se për të mbijetuar te Barcelona, duhet ti pëlqesh Mesit, i cili vazhdon të mbështesë fuqimisht Martinon, ndërsa Skolari aktualisht nuk gjendet mes preferencave të tij të para.


Ky shkrim Skolari në stolin e Barcelonës? Tata Martino takohet me Mesin u publikua me pare te Gazeta SHQIP.