Prej disa ditësh ai gjendet në Berlin, ku ka zhvilluar takime me rëndësi në Bundestagun gjerman, madje aq të vlefshme sa për tia deleguar drejtimin e protestës para Parlamentit të enjten, Edi Palokës.


Dhe nga zemra e Gjermanisë, Basha nuk mund të largohej pa dhënë një mesazh të fortë për shqiptarët dhe për qeverinë e Edi Ramës, të cilën kërkon ta rrëzojë me protesta.


Në Evropë nuk shkohet me hilera, nuk shkohet me gënjeshtra, nuk shkohet me një shtet të kapur nga krimi. Shkohet me vlera, me të vërteta, me një shtet të çliruar nga keqqeverisja dhe me një Parlament të zgjedhur nga populli shqiptar. Kur bie vota e lirë ka rënë demokracia.


Ishte ky sinjali i Bashës edhe për BE që tregon se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ideja për largimin e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.


Ndër të tjera, kreu i PD në intervistën e tij për Deutche Welle u pyet nëse opozita do të rikthehet në Parlament, por në mënyrë kategorike theksoi në përgjigjen e tij se nuk ka kthim pas.


Sipas tij synimi është vendosja e sistemi demokratik funksional në shërbim të qytetarëve dhe për këtë, u shpreh se gëzon mbështetjen e partnerëve gjermanë.


Largimi nga Parlamenti ndodhi pas shterimit të çdo mundësie për të zgjidhur në mënyrë institucionale këtë krizë të thellë legjitimiteti. Ju kujtoj që partnerët gjermanë në Bundestag dhe qeverinë gjermane i njohin këto probleme. Gjërat jo vetëm nuk kanë ndryshuar por janë përkeqësuar. Dalja e opozitës nga Parlamenti është një dalje pa kthim, kriza politike është reale por është një mundësi e madhe jo thjesht për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin por për tu dhënë shqiptarëve një sistem demokratik funksional që u shërben atyre dhe jo partive. Kam besim të madh që ky transformim që tashmë ka nisur, do të ketë mbështetje nga të gjithë shqiptarët e ndershëm. Në institucionet gjermane kemi gjetur mbështetje për këtë gjendje transformuese, tha Basha.