Sfida e parë midis dy trajnerëve kroatë, Slishkovic i Tiranës e Kovacic i Flamurtarit, u fitua nga tekniku i bardhebluve 3-1, por futbollisti i artë i ndeshjes ishte Migen Memelli, i cili realizoi të tre golat e rekordmenëve shqiptarë, duke u shndërruar në një "Indrit Fortuzi" të ri për 23-herë kampionët.
Tirana, pas fitores së katët rresht në pesë javët e para – barazoi vetëm në javën e parë kundër Vllaznisë - po dëshmon javë pas jave, se është e aftë ta udhëheqë e vetme kampionatin e 70-të Kombëtar, duke dhënë sinjale të frikshme se synon dy trofetë sezonalë, që i munguan edicionin e kaluar futbollistik.
Trajneri Bllazh Slishkovic, i cili i ka shndërruar stërvitjet e Tiranë në një rebus me vete pas "dyerve të mbyllura" për tifozët e "spiunët" e rivalëve të radhës, kërkoi nga lojtarët e tij zhbllokimin sa më shpejt të rezultatit.
Mbrojtësi shqiptaro-kroat Lekë Kcira, i avancuar në krahun e majtë të sulmit të Tiranës, harkoi drejt zonës, e aty Migen Memelli kërceu fuqishëm me kokë, duke mposhtur portierin e talentuar të Flamurtarit, Shpëtim Mockën. 1-0 në minutën e 16-të. Goli i tretë sezonal i sulmuesit pogradecar pas rikthimit të tij nga Suedia.
Pas gati 15 minutash, Flamurtari arriti të barazojë me anë të kroatit Marinkon në të 31', i cili realizoi një gol identik për nga ekzekutimi, duke e cuar me kokë topin në këndin e pambuluar nga portieri veteran Blendi Nallbani.
Gjashtë minuta më pas, në të 37', një ndërhyrje e parregullt e kroatit të Flamurtarit, kapitenit Branko Panic, ndaj Memellit, solli edhe ndëshkimin e tij me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq, duke e lënë për më shumë se 50 minuta trajnerin Slavko Kovacic me dhjetë lojtarë.
Me fillimin e pjesës së dytë, ishte Migen Memeli që nuk arriti të shenjestrojë katërkendëshin vlonjate, por ish-sulmues i Bran Bergenit, shfrytëzoi në maksimum një asist i Jetmir Sefës, duke penetruar me zgjuarsi në murin e mbrojtjes së Flamurtarit e duke goditur rreptësisht me të majtën e për të shënuar golin e dytë në minutën e 58-të.
Kjo ishte dita e Memellit, pasi sulmuesi bardheblu shënoi sërish pas një asisti të Sefës edhe golin e tretë të Tiranës e të tretin e tij në këtë takim në minutën e 61-të.
Për Migen Memellin ky ishte goli i tij i pestë në pesë takime, duke marrë edhe kryesimin e golashënuesve, i ndjekur nga Sinani e Dhembi (të dy nga tre gola).
Tirana pati shumë mundësi për të realizuar gola të tjerë, por Memelli u tregua shumë zëmërgjerë, duke dashur të ndihmojë shokët e tij të ekipit për të shënuar edhe ata.
Në minutën e 72-të Daniel Xhafaj humbi një rast të artë pas asistimi të Abraham, ndërkohë që Agolli në të 73' e Sefa në të 78' nuk mundën ta shtynin topin në rrjetë.
Në të 78' Migen Memelli u zëvendësua nga Ergys Sorra, duke u larguar nga përshëndetjet frenetike të ultrasve bardheblu. Në minutën e 83' Florenc Arapi pati mundësinë të shënoj, por topi i goditur prej tij me thembër u përplas në mbrojtjen vlonjate.
Pjesa e tjetër e lojës, përfshirë edhe katër minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari nuk prodhuan asgjë për t mbetur në kronikën e lojës.
Te vecantat
Memelli
Sulmuesi korcar ishte dhe heroi i takimit. Migen Memelli jo vetëm që shënoi 3 gola në takimin Tirana-Flamurtari, por me 5 golat e shënuar mori edhe kryesimin e golashënuesve.
Tafaj
Alban Tafaj, drejtori teknik i Tiranës, u largua me karton të kuq nga bankina, pas sinjazimit të gjyqtarit të katërt Jemini, arbitri Taullahu e largoi atë në minutën e 51-të.
Simulimet
Lojtarët e Flamurtarit simuluan shpesh pas kontakteve fizike me kundërshtarët e tyre, me synimin për të kursyer minuta lojë, duke e tepruar e duke u bërë qesharakë në stadium.