OSBE





Pasi kujtoi raportin paraprak të OSBE-së, mbi përmirësimet në zgjedhje, sipas misionarit Volfgang Grosruk dhe ekipit të tij, Zhoao Soaresh tha se “pretendimet për manipulim që u paraqitën nga opozita duhet të shqyrtohen gjithashtu”




Zhoao Soaresh (Joao Soares) Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, tha dje, se duhet të shqyrtohen të gjitha pretendimet e opozitës për manipulime, referuar zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të shkuar. Presidenti Soaresh tha gjithashtu, se duhet që zgjedhjet të hetohen me hollësi dhe në mënyrë të plotë nga Kuvendi. Soaresh i bëri deklaratat pasi bisedoi në Vjenë me kryetarin e zgjedhur tri herë radhazi të Partisë Socialiste opozitare të Shqipërisë, Edi Rama, dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Unë përshëndes shprehjen e vullnetit nga të dyja palët për të marrë pjesë në një komision parlamentar, që do të kryejë një investigim të plotë dhe të hollësishëm të zgjedhjeve në respektim të Kushtetutës dhe vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, - u citua Soaresh. Qartësisht, nëpërmjet një deklarate të publikuar zyrtarisht nga OSBE, u theksua qëndrimi i presidentit Soaresh mbi zgjedhjet dhe që iu përmbajt linjës së pasprocesit të 28 qershorit, që në deklaratën paraprake paszgjedhore të 29 qershorit vlerësonte që zgjedhjet patën përmirësime, por gjithashtu u vunë re dhe shkelje. “Misioni i OSBE-së u kryesua nga zëvendëspresidenti i AP-së së OSBE-së, Volfgang Grosruk (Wolfgang Grossruck), një deputet me shumë përvojë. Duke vënë në dukje përmirësimet, ai dhe ekipi që kryesonte renditi një numër çështjesh të rëndësishme që duhet të shqyrtohen. Pretendimet për manipulim që u paraqitën nga opozita duhet të shqyrtohen gjithashtu”, - u citua Soaresh. Sipas të njëjtës shprehje të qëndrimit, Soaresh ka thënë se misionarët e OSBE-së hartuan raportin zgjedhor me vlerësimin se ishin bërë përmirësime apo “shënuan një progres të dukshëm”, por po ashtu edhe se “këto përmirësime u errësuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vëna re gjatë fushatës, të cilat minuan besimin e publikut tek procesi zgjedhor”. Për “përmirësime” Soaresh iu përmbajt raportit mbi regjistrit zgjedhor dhe procedurave të identifikimit, si dhe miratimit të një kuadri ligjor të përmirësuar. Sakaq, Soaresh tha se deputetët opozitarë duhet të kthehen në Kuvend. “Në interes të stabilitetit dhe për të vazhduar më tej dialogun dhe ripajtimin, u bëj thirrje kandidatëve të zgjedhur të pranojnë menjëherë mandatet e tyre në parlament”, - tha ai. “Kjo është sigurisht thelbësore, pavarësisht ndonjë ankese që mund të ketë. Deputetet e zgjedhur duhet të hyjnë në parlament, sepse në rast të kundërt, ekziston rreziku që javën e ardhshme ata të humbasin mandatin e tyre” - raportoi televizioni “Top Channel” (TCH). Ndërkaq, agjencia e lajmeve “NOA” theksoi sipas saj fjalët e Soareshit, se “humbja e mandateve të deputetëve do të ishte e tmerrshme, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit në vende si Shqipëria”. Qëndrimin e Soareshit e rikonfirmoi më pas Klas Bergman, drejtor për Komunikimin të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Bergman bisedoi me rrjetin televiziv “News 24” në Tiranë. “Dyshimet për parregullsi të paraqitura nga opozita duhen hetuar”, - u citua Bergman. Ai shtoi se deklarata e Soareshit u bën thirrje deputetëve të opozitës të zënë vendet e tyre në Kuvend: “Në interes të stabilitetit të vendit u bëhet thirrje të gjithë deputetëve të opozitës të zënë vendin në Kuvend. Duhet të ketë një hetim të hollësishëm të zgjedhjeve”. Bergman u bëri thirrje palëve të angazhohen për të zgjidhur këtë moment delikat të politikës në Shqipëri. “TCH” raportoi gjithashtu, se për çështjen e zgjedhjeve, sipas materialit që shpërndau Kuvendi (pas takimeve me Topallin), folën zëvendëspresidentët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aderholds dhe ai i Austrisë, Grosruk. “Unë inkurajoj çdokënd të ndryshojë qëndrim, të njohin qeverinë dhe të kthehen në punë. Nga informacionet që kam marrë prej kolegëve të mi dhe këtu në OSBE, mund të them se zgjedhjet ishin korrekte dhe nuk kishte asgjë nga ato që dikush mund t’i quajë parregullsi”, - u citua Aderholds. Kurse Grosruk tha sipas të njëjtit burim: “Së pari mendoj se opozita duhet të kthehet në parlament, të marrë pjesë në debate dhe pastaj të ngrihet komisioni hetimor për procesin zgjedhor sipas ligjit dhe Kushtetutës. Nuk mund të kërkoj unë hapjen e kutive të votimit, kur ligji dhe Kushtetuta nuk e lejon këtë. Kështu që mua më duhet të pranoj ligjin dhe Kushtetutën”.





Presidenti i Këshillit të Europës



çaushollë në krye të delegacionit për zgjidhjen e krizës



Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë njoftoi se një mision i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të mbërrijë në Shqipëri për të zgjidhur krizën politike në vend. Sipas njoftimit, delegacionin do ta udhëheqë Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlud çaushollë dhe në përbërje do të jenë kryetarët e pesë grupeve të parlamentarë në Këshillin e Europës. Në delegacion do të jenë gjithashtu të dy reporterët për Shqipërinë, Dejvid Uillshajër dhe Jako Lakso. Njoftimi zyrtar thotë se misioni do të jetë në Tiranë në datat 22-23 shkurt për të biseduar me presidentin, kryetaren e Kuvendit, kryeministrin, drejtuesit e partive dhe diplomatët ndërkombëtarë. Sipas të njëjtit njoftim, misioni vjen për të “mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojë presidentin Bamir Topi në rolin e tij si ndërmjetës dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”. Drejtuesit e pesë grupeve parlamentare janë Luca Volontè (EPP/CD), Andreas Gross (SOC), Anne Brasseur (ALDE), David Wilshire (EDG) dhe Tiny Cox (UEL). Misioni i KE-së ka planifikuar do të flasë përpara gazetarëve në 23 shkurt (ora 10.30) në hotel “Rogner”.





SHBA: Mbështetje Topit për dialogun


Kosova, marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrimi europian ishin në qendër të bisedimeve të presidentit Bamir Topi në Zagreb. Nënsekretari i Shtetit, Xhejkob Lju, tha se mbështeste zotin Topi në përpjekjet për dialog politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike. Zoti Topi dhe nënsekretari Lju thanë se tryeza politike është hap konkret dhe pozitiv që dëshmon vullnetin e palëve për gjetjen e zgjidhjes konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. E njëjta temë është në plan të parë edhe në takimin e presidentit me komisionerin e zgjerimit europian, Stefan Fyle. Ndërkaq, Topi i tha Ljusë se Shqipëria u është mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për rolin e jashtëzakonshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për mbështetjen dhe ndihmën në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike dhe anëtarësimin në NATO. Presidenti Topi tha se pas pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik e demokratik, Ballkani është projektuar drejt integrimit euroatlantik. Presidenti ndau të njëjtin mendim me nënsekretarin Lju mbi rolin e moderuar të Shqipërisë në rajon dhe shqiptarët si faktor paqeje dhe stabiliteti. Topi bisedoi edhe me presidentin në largim të Kroacisë, Stipe Mesiç. Presidentët Topi dhe Mesiç e vlerësuan pavarësinë e Kosovës si çast historik që ka ndryshuar përfundimisht realitetet politike në Ballkan, duke e ndarë nga mentalitetet dhe hijet e së shkuarës së trazuar dhe se e ka futur rajonin në rrugën pa kthim drejt së ardhmes euroatlantike.




Qeveria



Berisha: “Pyetësori”, provim për të gjithë


Shqipëria, sipas kryeministrit Sali Berisha, në dy muajt e fundit ka bërë punë të frytshme dhe intensive si kurrë më parë në përgatitjen e një dokumenti. Kryeministri foli mbi përgjigjet që institucionet po i japin “Pyetësorit” të Komisionit Europian. Kryeministri që diskutoi me qeverinë 7 kapituj të “Pyetësorit”, tha se ky dokument përbën një lloj provimi për të gjithë. Berisha tha se kjo është vetëm një e pesta e të gjithë pyetjeve që europianët presin përgjigje nga Shqipëria përpara se të hartohet “Opinioni” mbi gatishmërinë e vendit për të filluar negociatat për statusin "kandidat" për anëtarësim në Bashkimin Europian. Berisha theksoi se puna e bërë deri tani në këta dy muaj ka qenë e bollshme. Kryeministri shtoi se përgjigjet e “Pyetësorit” duhet të dorëzohen sa më shpejt: “është jashtëzakonisht e rëndësishme që, me përqendrimin maksimal, të punohet për kapitujt e tjerë, që në afatin më të parë të mundshëm ta paraqesim materialin e përfunduar në Komisionin Europian materialin e përfunduar. Kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij “Pyetësori” që përbën një lloj provimi për të gjithë”. Kapitujt që u shqyrtuan sot janë: lëvizja e lirë e punëtorëve, prokurimi publik, peshkimi, politikat e transportit, politikat ekonomike dhe monetare, politikat e transportit transeuropian dhe doganat.



Rama: Kthehemi në Kuvend, por për hetim të plotë të zgjedhjeve



Kryetari i PS, Edi Rama, duke iu referuar deklaratës së kreut të Asamblesë së OSBE-së, tha se hetimi parlamentar mbi zgjedhjet e 28 qershorit duhet të jetë i pakushtëzuar. Rama tha para mediave mbrëmë, se opozita është e gatshme të kthehet në Kuvend, sapo kryeministri Sali Berisha të lejojë hetimin e plotë të zgjedhjeve. “Deklarata zyrtare e publikuar në faqen e OSBE-së bën thirrje për një hetim parlamentar bazuar në Kushtetutë për zgjedhjet. Me presidentin Soaresh ramë dakord se hetimi parlamentar nuk mund të kushtëzohet. Ai shprehu bindjen se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe unë i shpreha vullnetin për t’i dhënë fund bojkotit sapo Berisha të lejojë hetimin”, - tha ai. Sipas Ramës, kriza politike në Shqipëri ka nisur për shkak të qëndrimeve të qeverisë dhe ka nënvizuar se PS është gati të kontribuojë në dhënien fund të saj nëse transparenca e zgjedhjeve do të jetë e pakushtëzuar. “Ne jemi në bojkot, sepse demokracia është në krizë, fundi i së cilës fillon me transparencën e pakushtëzuar të zgjedhjeve. Tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe OSBE ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen”, - tha ai. Rama kërkoi gjithashtu që Berisha të dëgjojë ndërkombëtarët për të zgjidhur krizën. “I bëj thirrje kryeministrit Berisha që të dëgjojë kambanat që bien nga të katërta anët”, - tha Rama.