Policia nuk i merr denoncimin anëtarit të PS-së që u dhunua nga komisioneri i 28 qershorit

Debatet për zgjedhjet në fshatin Ruzhdie zbresin nga Parlamenti, ku luftohet me batuta, në bazë ku luftohet me grushte. Paraditen e së hënës debatet për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit çuan në përplasje fizike mes Pëllumb Myrtajt dhe Isuf Kamberajt, i pari anëtar i PD-së, ndërsa i dyti i PS-së.


Ngjarja e ka zanafillën të dielën, kur në një televizion të Tiranës u shfaq intervista e Isuf Kamberajt. Ai tregoi dje se disa ditë më parë, gazetarja e emisionit televiziv “Bypass show” i ka marrë intervistë si banor i Ruzhdies. “Më pyeti nëse isha pro hapjes së kutive apo jo. Unë i thashë se isha pro hapjes. Pyetja tjetër ishte nëse ka pasur persona që votuan dy herë dhe unë i thashë: Ndoshta. Pikërisht kjo intervistë u bë motiv i dhunës”, tha dje Isuf Kamberaj, ndërsa dilte nga Posta e Policisë së Patosit, ku kishte shkuar për të denoncuar dhunën.


Ai tregoi se dje, në orën 08:00 të mëngjesit, kishte shkuar në një dyqan në qendër të fshatit Ruzhdie, që ndodhet përballë komunës. Teksa dilte nga dyqani i ka shkuar pranë Pëllumb Myrtaj, komisioner i PD-së në zgjedhjet e qershorit, i cili duke i kujtuar deklaratat që kishte dhënë në televizion e ka qëlluar me grushte dhe shqelma.


“Më qëlloi barbarisht në fytyrë. Jo vetëm Pëllumbi, por edhe vëllai i tij, Rrapoja më dhunoi. Pasi më lanë përmbys në shesh, duke mërmëritur, vazhdonin të më kërcënonin”, tregoi Isuf Kamberaj për “Shqip”.


Pas ngjarjes ai iu drejtua menjëherë Komisariatit të Policisë së Fierit, por pas takimit që mori me drejtuesit e policisë, ata e dërguan pranë Postës së Policisë Patos, që mbulon edhe Komunën e Ruzhdies. Së bashku me vëllain dhe babanë, Isuf Kamberaj, bëri denoncimin në Patos, por shefi i rajonit e dërgoi të kryente aktin e ekspertizës te mjeku ligjor.


Rreth orës 14:30, disa orë pas ngjarjes, i dhunuari ishte duke u sorollatur sa në polici dhe te mjeku ligjor, ndërkohë që autori i dhunës vijonte aktivitetin e tij të lirë. Për ironi të fatit, as mjeku ligjor nuk e ka kryer aktin e ekspertizës.


“Më tha që ishte nisur për në Tiranë dhe nuk mund ta bënte ekspertizën sot. Kjo më bën të dyshoj që shteti nuk do drejtësi, pasi ende ai që më rrezikoi jetën vijon të jetë i lirë, ndërsa mua më sorollatin sa andej-këndej”, tha Kamberaj.


Zyrtarisht, shefi i Komisariatit të Policisë së Fierit tha për gazetën “Shqip” se ecuria e hetimeve do të tregojë nëse do të ketë masë arresti ndaj Pëllumb dhe Rrapo Myrtajt.


Ndërkohë dega e organizatës së PS-së Ruzhdie ka dërguar informacionin për këtë rast drejt selisë së PS-së në Tiranë. Kryetari i kësaj organizate, Murat Zazaj, tha se ngjarja e djeshme është vazhdimësi e dhunës që kanë nisur të ushtrojnë eksponentët e PD-së në fshat, pas vizitës së Sokol Olldashit aty.


“Vizita e tij ka nxitur vëllavrasje. Që nga e premtja të ashtuquajtur demokratë të Ruzhdies kanë nisur ofensivën në fshat. Po bëjnë kërcënime publike kundër përfaqësuesve të PS-së”, thotë një nga krerët e PS-së së fshatit.


Isuf Kamberaj është një anëtar i thjeshtë i PS-së, me profesion bujk. Ai është anëtar i partisë më të madhe opozitare që nga viti 1992 dhe familja e tij njihet si e majtë në zonë.


Ndërsa Pëllumb Myrtaj është anëtar i hershëm i PD-së, madje vëllai i tij, Xhevahir Myrtaj është kryetar i PD-së për Ruzhdien dhe kryetar i këshillit të kësaj komune. Sipas socialistëve, Pëllumb Myrtaj punon si taksist pa licencë, por merr edhe një rrogë në kompaninë “Albpetrol”. Socialistët e fshatit nuk lënë pa përmendur edhe faktin se kreu i PD-së së fshatit është zgjedhur në këtë post pas daljes nga burgu. Ai u arrestua së bashku me kunatin e tij, Afrim Zeqirin, ish-shef i Komisariatit të Tepelenës, pasi pajisën me pasaporta me të dhëna të falsifikuara disa persona të kërkuar nga drejtësia.








#