07/09/2009 Seanca e parë parlamentare, PS-ja pjesë e saj
Partia Socialiste do të jetë sot në sallën e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për të bërë me dije lidhur me kushtet që duhet të plotësojë mazhoranca kundrejt procesit zgjedhor. Ndërkohë nga qëndrimi i kampit të djathtë ndaj këtyre kërkesave kushtëzohet pjesëmarrja në Parlament e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Një vendim i tillë u mor dje gjatë një takimi informal mes kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama, dhe mbështetësve të tij në këtë parti, pjesë e grupit të punës të konstituar pikërisht në këtë takim. Kështu, lidershipi i Partisë Socialiste zbardh hapat e parë të strategjisë së vet në rrugën e deklaruar për transparencën e zgjedhjeve. Bazuar në vendimin e grupit kuvendor të PS-së për të bojkotuar institucionin e Kuvendit deri në plotësimin e kushteve të vëna nga kjo parti, takimi i djeshëm mësohet të ketë mandatar një nga deputetët socialistë të këtij grupi për të qenë pjesë e seancës së parë parlamentare, me qëllim bërjen me dije të listës së gjatë të kushteve të kësaj partie për të gjithë parlamentarët shqiptarë. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se grupi i punës i ngritur pikërisht përë këtë çështje, ka mandatar deputetin Pandeli Majko për të radhitur sot në Parlament kërkesat e socialistëve për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë në këtë takim si dhe në marrjen e një vendimi të tillë mungoi ajo pjesë e aparatit drejtues të PS-së të njohur tashmë si kundërshtarë të Ramës. Në këtë mënyrë, bojkoti i socialistëve do të përfundojë vetëm nëse plotësohen kushtet që ata do t’i paraqesin Kuvendit dhe maxhorancës. Në mbledhjet e zhvilluara gjatë ditëve të fundit kryesia e PS-së dhe grupi kuvendor socialist vendosën për të bojkotuar Kuvendin, pasi në gjykimin e tyre ky është një institucion me legjitimitet të cunguar. Nga ana tjetër, ishte vetë kreu në detyrë i kësaj partie ai që përveç bërjes me dije të qëndrimit të PS-së përballë institucionit të Parlamentit shkoi më tej duke nënvizuar dhe një tjetër moment, atë të një aksioni shumëplanësh. Për rrjedhojë, nëse socialistët nuk do të marrin atë përgjigje që presin nga kushtet e vëna për mazhorancë, atëherë paralajmërohen të tjera zhvillime në spektrin politik, por këto jashtë sallës së Kuvendit, duke mos përjashtuar këtu dhe manifestimet qytetare për organizimin e të cilave ka bërë thirrje vetë kreu Rama. Ndërkohë në këtë pikë Rama ka ftuar dhe të tjera parti, jo vetëm të spektrit të majtë, që të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve.
Kushtet e PS-së
Socialistët kërkojnë një hetim parlamentar, ku maxhoranca të mos përfshihet në miratimin e këtij komisioni. Insistojnë në hapjen e kutive të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës, verifikimin e të gjithë atyre drejtuesve të institucioneve të maxhorancës që kanë vënë në funksion të fushatës dhe votimit asetet publike për të favorizuar PD-në dhe aleatët e saj në fushatën elektorale që sapo u mbyll. Po kështu, PS-ja i kërkon maxhorancës dhe Parlamentit zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi, duke i kërkuar qeverisë të garantojë transparencë të plotë për procesin hetimor të vrasjes së tij dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë. Ata kërkojnë rikthim të menjëhershëm të të gjithë atyre që u hoqën nga puna pas 28 qershorit për shkak se kontribuan për PS-në në këto zgjedhje.