25-09-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Mehmet Elezi: “Enigma e vëllezërve siamezë”, 2011
 
Libri i kujtimeve të Mehmet Elezit hapet me disa përballje me Ramizin, me Lenka Çukon, por edhe me Nexhmije Hoxhën. Mendimi i kryetarit të rinisë, për pluralizmin partiak, ishte bërë i njohur. Sekretari i parë i KQ. të BRASH-it ishte nuhatur mirë. Skuthët përçonin idetë e shprehura në intimitet. Qyshkur ishte zgjedhur në krye të kësaj organizate (1982) M.Elezi iu përkushtua “Zërit të Rinisë”. Acarimi me ata të mëdhenjtë, në rrjedhë të kohës, vinte në rritje. Në maj të vitit 1986, Lenka Çukos i kishte dështuar një mbledhje shtatë orëshë me akuza që nuk iu pranuan. Nexhmijes, në maj të vitit 1989, Elezi i ishte shmangur një takimi, të mëtuar nga ajo.
Sinqeriteti i memorialistikës zakonisht vihet në dyshim kur përmenden të vërteta pa dëshmitarë, të mbyllura. Por autori i këtyre kujtimeve i thotë të vërtetat e veta përballë një numri të pranishmish, dëshmitarë të atyre ngjarjeve të ethshme.
Me vullnetin që e karakterizon, ai është prodhimtar edhe në publicistikën dhe në sprovat (5 vepra), në poezi (4 vëllime), në prozë (9 libra). Por mua më duket se kontributi i tij në standardin gjuhësor është nga më interesantët. Dhe habiten ata toskë, që vërejnë një përdorues aq të përpiktë të toskërishtes, me një saktësi të shkallës së epërme, nga një person i veriut të skajshëm. Elezi e përdor paskajoren me lehtësi të jashtëzakonshme. Dhe me sukses të paarritshëm – do të thosha.  Ndonëse e ka shprehur se baza e shqipes është e dhunshme dhe ka dorën e diktatorit Hoxha, që e quante veten të aftë që të vendoste për gjeologjinë, për minierat, për artet, për muzikën e ku të di unë..., ndonëse në Korçë, në Liceun Klasik francez, nuk i vinte as te këmbët dijetarit Selman Riza. Për këtë kemi shkruar. Duhet të rikujtojmë se gjuhëtarët kosovarë e sfiduan E. Hoxhën, kur vendosi që të kishim dy standarde të ndryshme për të njëjtin komb. Kjo duhet thelluar nga të gjithë gjuhëtarët, por edhe nga dashamirët e gjuhës shqipe, duke lexuar me kujdes “Gjuha shqipe në bunker?” (2005).
***
Në asimetrinë e marrëdhënieve Alia, Gjoni, Lazri, mendimi i shumëkujt na qenka se renditja duhej bërë duke vënë Sofokli Lazrin të parin! Paçka se pa funksione, ishte njeriu më i fuqishëm në hije! Njeriu që s’kishte thënë asnjë fjalë të mirë për Ramizin. Ndonëse Ramizi vetëm e lavdronte, ky tregohej shpërfillës: - Si thua tia,- i telefonon profesori, si thua tia, edhe ambasadorët t’i kemi pa parti? (Autori fjalën profesori e përdor kurdoherë, në mënyrë ironike, në kursiv! - Po nuk e kam vetëm me tia unë. E kam edhe me Ramizin! (Pa asnjë “shoku” përpara). Autori i veprës ngre pyetjen: Atëherë në cilat Lugje të Verdha  kullosin dhitë e egra të profesorit, që ia ruajnë forcën në brirë, siç ia ruanin Mujit? Një mundësi mund të ishte mosnjohja. Ramizi nuk e njihte në thelb. Sipas arsyetimeve, kjo nuk qëndron (Lexuesi le t’i shohë  vetë këto arsyetime). Mundësia e dytë: Kompleks inferioriteti? I Sofos ndaj Ramizit, apo anasjellas?! E para, e pabesueshme: Sofoja është një aparatçik i mykur i prapaskenës, Ramizi është politikan dredharak me shumë përvojë... Mbetet një mundësi tjetër, e tretë: A mos, vallë, ata të dy lidhen nga një krim i përbashkët, që e dinë vetëm ata të dy? Një e fshehtë që e mban peng R. Alinë? E fshehtë që i ka shndërruar në vëllezër siamezë? Do të rrojnë së bashku ose, së bashku, do të gropohen! Lisi kur bie, bie me gjithë hije. Po cili është lisi dhe cila është hija? (Janë fraza me bukuri të rrallë letrare).
Tani më duhet të citoj një fragment të gjatë, fjalë për fjalë, se jemi përballë një epilogu tragjik: “Pra, mos ata të dy i lidh bashkëfajësia e një krimi të hershëm ose edhe më të vonë? Që bën gjumin borëtor nën pllakën e rëndë të sekretit shtetëror? Gjumin guaskor nën tërheqjen ikanake të dallgëve politike të situatave të caktuara? Ose më thjesht: që verbohet me dhunë nën terrin e trashë të ndonjë kthine të ngujuar frymëzënëse të ngrehinës që quhet shtet? Për shembull, ata të dy kanë qenë për studime në ish-Bashkimin Sovjetik. E atje ishte një peshkatar kryemjeshtër për ujërat e turbullta të vendit tonë e më gjerë. Ishte KGB-ja e famshme. Ka ndenjur ajo pa hedhur grepin mbi këta peshq të freskët, njomëzakë të ardhur prej brigjeve të trazuara të Adriatikut? Në mos e paçin hedhur më përpara  Miladinët e Dushanët me shokë. Se fillimi është më i hershëm. Masakra e Tivarit është njëra prej tyre që flasin shumë. Që klithin, piskatin. Në raport me numrin e hershëm të popullsisë shqiptare në Kosovë, krimi në Tivar është më i lemerishëm se Katini shungullues!
Cili prej të dyve, Sofokliu a Ramizi ka qenë peshk më i madh e më i vyer për kuzhinën sovjetike asokohe? Më drejtpërdrejt (në qoftë se...): cili ka qenë shefi tek i cili falej më i vogli, cili ka qenë kryesori që filtronte informacionet dhe i përcillte urdhrat vartësit për llogari të KGB-së? (...) Kam parë në shtyp se njëri nga djemtë e Enver Hoxhës e paskësh akuzuar Nexhmijen, si njeri në shërbim të rusëve, Kaq mjafton të drynojnë gojën, Politbyroja mund të quhet ndryshe kukullbyroja”. (...) Pyetjet nuk vdesin, na kujton Neruda (...), Përgjigjet e tyre mund t’u dhembin varreve.  

...