Rigjetja e qetësisë dhe rezultateve në kampionat, barazimi në El Classicon e parë të Kupës së Mbretit, por edhe fitorja ndaj Ajaxit në Champions, kanë bindur drejtuesit e Realit të Madridit, që të konfirmojnë Santiago Solarin në stol edhe për sezonin e ardhshëm.


Tekniku argjentinas po fut në rrugën e duhur një sezon të nisur në mënyrë të tmerrshme nga ish trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, ndërsa ka përfshirë në formacion edhe disa elementë të rinj si Vinicius dhe Reguilon.


Por konfirmimi i Solarit hap skenarë të rinj edhe në merkaton e verës, pasi disa prej futbollistëve aktualë të Realit nuk shihen me sy të mirë nga argjentinasi dhe do të kërkojnë një tjetër strehim për sezonin e ardhshëm.


Në krye të listës qëndron fantazisti spanjoll Isco, i cili nuk e gjen veten aspak në skemat e Solarit dhe sa herë që është thirrur në apel, nuk ia ka dalë të lërë gjurmë, duke humbur besimin e trajnerit dhe skuadrës.


Për Iscon kanë shprehur interes shumë skuadra, përfshi këtu Juventusin, Chelsean dhe Manchester Cityn, të cilat janë gati të paguajnë deri në 80 milionë euro për kartonin e spanjollit, ndërsa tashmë topi është në fushën e Perez, që pritet të thotë fjalën e fundit.


Një tjetër futbollist që nuk do të ketë të ardhme në Madrid, nëse konfirmohet Solari, do të jetë edhe mbrojtësi i majtë brazilian, Marcelo. Ky i fundit po ndan vendin e titullarit me të riun Reguilon, teksa Solari beson më shumë te djaloshi spanjoll, i cili është më i kujdesshëm në aspektin difensiv.


Për Marcelon është folur vazhdimisht se dëshiron ti bashkohet Ronaldos te Juventusi, ndërsa edhe bardhezinjtë janë gati të përmbyllin me sukses këtë operacion, por fillimisht duhet të shesin patriotin e tij, Alex Sandron.