Radio televizioni "Ora News" futet në garë për të shpallur i pari rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Ora News" ka nënshkruar kontratën me kompaninë më të madhe italiane të sondazheve të opinionit, "IPR Marketing", për të publikuar katër sondazhe për zgjedhjet, si dhe të realizojë një exit poll të "IPR Marketing". Firmosja u realizua në sallën e konferencave të radio televizionit "Ora News", në orën 9:30, midis presidentit Ylli Ndroqi dhe drejtorit të përgjithshëm, doktor Antonio Noto. Drejtori i përgjithshëm i "Ora News", Alfred Peza, në konferencën për shtyp që u mbajt me rastin e firmosjes së kontratës mes RTV "Ora News" dhe "IPR Marketing" për sondazhet për zgjedhjet, deklaroi se kjo kontratë parashikon realizimin e sondazheve dhe exit-polleve. "Kontrata parashikon realizimin e katër sondazheve. Pas katër sondazheve, më 28 qershor, në ditën e zgjedhjeve, ‘IPR Marketing‘ dhe ‘Ora News‘ do të realizojnë exit poll-in", u shpreh Peza. Sipas drejtorit të përgjithshëm të "Ora News", kontrata me "IPR Marketing" është afatgjatë, që nuk përfundon me sondazhet e zgjedhjeve. "Kjo kontratë rrit kulturën e sondazhit në Shqipëri", u shpreh Alfred Peza. Ai bëri me dije se vendimi për sondazhin është marrë që në fund të vitit të kaluar prej stafit të këtij televizioni.