Nga Eduard Zaloshnja


Gjatë javës që sapo u mbyll, zhvillova një sondazh kombëtar, të komisionuar nga revista Follow Business Albania (http://www.followbusinessalbania.com/index.php/fba-polls/ ). Sondazhi u përqendrua tek inisiativa e opozitës shqiptare për bllokimin e zgjedhjeve, në rast se kryeministri Rama nuk pranon kërkesën e saj për qeveri teknike. Kampioni përshiu 1000 të anketuar të rastësishëm në të gjithë Shqipërinë, dhe u ripeshua para llogaritjeve të rezultateve, në mënyrë që ta përfaqësonte sa më mirë elektoratin brenda vendit, si nga pikpamja politike, ashtu edhe demografike. Maskimumi i marzhit të gabimit statistikor për këtë sondazh ishte plus/minus 2.9%.


Nga sondazhi rezultoi se 31% e zgjedhësve me banim në Shqipëri e përkrahin bllokimin e zgjedhjeve nga opozita, në rast se nuk krijohet një qeveri teknike para zhvillimit të tyre (shihni grafikët). E përkthyer në numër zgjedhësish, kjo përqindje na tregon se një inisiativë e tillë e opozitës ka rreth 680 mijë përkrahës brenda vendit. (Për krahasim, partitë që janë sot në opozitë morën 660 mijë vota më 2013-ën dhe 620 mijë vota më 2015-ën).


Sidoqoftë, në lidhje me ekonominë, 68% e banorëve të Shqipërisë në moshë votimi (rreth 1 milion e 500 mijë) mendojnë se një bllokim i mundshëm i zgjedhjeve nga opozita do të kishte pasoja afatgjata për ekonominë shqiptare (shihni grafikët).


Drejtuesit e opozitës duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë opinion mbi pasojat ekonomike të një bllokimi të mundshëm të zgjedhjeve (mund të kenë zhvilluar edhe vetë sondazhe opinioni), por sidoqoftë, përderisa kanë përkrahjen e rreth 680 mijë votuesve, duken të vendosur ti shkojnë deri në fund bllokimit të zgjedhjeve, në qoftë se Rama nuk e pranon krijimin e një qeverie teknike para zhvillimit të tyre.


Nga ana tjetër, ky i fundit duket i vendosur që të mos lëshojë pé, përderisa 60% e zgjedhësve janë kundër kërkesës së opozitës. Vërtet Rama bëri katër ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, por këto ndryshime nuk do të çojnë në një qeveri teknike kabineti do të mbetet përsëri politik. Sidoqoftë, jo çdo gjë varet nga Rama


Qeveria aktuale mbahet në këmbë falë edhe 20 votave që ka LSI-ja në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe në qoftë se situata percipiton keqazi, Meta mund të bëjë thirrje për të gjetur një zgjidhje që do të siguronte zhvillimin normal të zgjedhjeve. Përveç argumenteve institucionalë (bllokimi i vettingut, bllokimi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës), ai mund të sjellë edhe argumentin ekonomik të mësipërm (edhe Meta zhvillon sondazhe).


Por a do ti bashkohet Meta një ditë kërkesës së opozitës për qeveri teknike? Kjo mbetet për tu parë. Sidoqoftë, përpara se ti bashkohet asaj kërkese (nëse i bashkohet), Metës do ti duhet të sigurohet paraprakisht se bëhen 71 vota në Kuvend, për ta zëvendësuar Ramën me një kryeministër teknik.


Sepse Rama duket i vendosur që të rrijë në karrigen kryeministrore, për aq kohë sa nuk bëhen 71 vota në Kuvend kundër tij