Nga Bruno Rexhaj


opinionGjatë ritualit të përditshëm çdo mëngjes më shoqëron shtypi i ditës, teksa po shfletoja, midis faqesh tek rubrika opinion më vrau syrin një shkrim që është botuar në gazetën Panorama, ku një deputet i parlamentit shqiptar me një dashuri deri në kufijtë e përkëdheljes i drejtohej votuesit (sovranit), që sipas tij kishte bërë mëkatin më të madh që nuk e kishin votëbesuar edhe njëherë atë dhe partinë e tij.


Marrë shkas nga ky opinion i z. Gent Strazimiri që titullohej I dashur Sovran më detyroi ti kthehem me disa përgjigje, që pashmangshmërisht imponohen nga pyetjet dhe çështjet e shtruara nga z. Strazimiri, që përveç mandatit të deputetit, atë ditë dukej sikur ishte mandatuar edhe nga një katedër morale për të gjykuar moralisht sovranin në zgjedhjen e tij.

Jam i ndërgjegjshëm se të flasësh në emër dhe me gojën e dikujt tjetër nuk është asnjëherë etike, madje është e rrezikshme dhe shpesh herë demonstron mungesë edukate, por kur një individ merr përsipër ti drejtohet në mënyrë të vrazhdë, ta fyej, ta shajë dhe ta përdhosë në çdo aspekt, moralin dhe dinjitetin e një kategorie të caktuar njerëzish (sovranit), atëherë si pjesë integrale e shoqërisë civile, ndërgjegjja qytetare më detyron ta tejkaloj veten dhe ti përgjigjem në emër të sovranit, asaj pjesë që nuk ka votuar Strazimirin dhe PD-në. Duke u zhveshur nga çdo kompleks modestie, refuzoj të klasifikohem tek ajo kategori personash që pretendojnë se mendimi im është i drejtë dhe i saktë saqë duhet me patjetër të përfaqësojë edhe mendimin e tjerëve, që edhe po ta mendoja prapë se prapë jam askushi për ta bërë diçka të tillë. Së pari me një ndjenjë përuljeje i kërkoj ndjesë gjithë votuesve (sovranit) që kanë votuar kundër Strazimirit, kërkoj ndjesë që po shkruaj në emër të tyre, ose të paktën atyre që mendojnë si unë. Në shtetet perëndimore të cilat kanë një demokraci të konsoliduar as nuk mund të imagjinohet që dikush aq më tepër një i zgjedhur ta gjykojë popullin për zgjedhjen e tij. Ndërkohë në Shqipëri si vendi ku absurditeti është ulur këmbëkryq, fatkeqësisht, shohim që një deputet merr kurajon dhe gjykon votuesin, madje jo vetëm aq por vlerësimi arrin deri në një përbuzje të neveritshme ndaj popullit të tij, kjo vetëm për faktin se ky popull kësaj radhe vendosi të mos votonte Strazimirin dhe Partinë Demokratike për të qeverisur mandatin e ardhshëm. Edhe njëherë ndjesë që më duhet të mbështillem më mantelin e sovranit dhe të marr përsipër të jap disa përgjigje në emër të tij.


Çfarë mëkati paskam bërë unë (sovrani) kësaj radhe? Pse sot më etiketon si të pavlerë dhe të pamoralshëm ndërkohë që jam po njëjti sovran që të zgjodhi e mbajti ty dhe shokët e tu në pushtet për 8 vjet. Cilat janë arsyet që unë (sovrani) bëra një zgjedhje të tillë? Gjatë shkrimit tuaj i dashur Strazimir përmendët një sërë arsyesh që unë paskam gabuar rëndë në verdiktin e tim, dhe si rrjedhojë e këtij gabimi, ti legjitimohesh për të më gjykuar, fyer, dhe sharë? Nëse ti i referohesh faktorëve të jashtëm që tjetërsojnë vullnetin e sovranit, (parasë apo benefiteve tjera të pushtetit) që fatkeqësisht në realitetin shqiptar sot më shumë se kurrë janë gdhendur në kulturën e shoqërisë sonë, dhe për këtë duhet të falënderojmë ty dhe qeverisjen tuaj për rrënjosjen e këtij standardi demokratik për tjetërsimin e vullnetit të votuesit. Ndoshta ke të drejtë kur konstaton në shkrimin tënd se është e pamoralshme që vlera ime është jo më shumë se 50 mijë lekë, aq sa sipas mikut tënd kushton pazari i një prostitute nëpër rrugët e Riminit, natën vonë. Njerëzisht nuk e besoj se ka ndonjë prostitutë e cila kur ka qenë fëmijë ka ëndërruar që në të ardhmen të mund të rreshtohet në formacionin famëkeq të prostitucionit, por arsyet kanë qenë nga më të ndryshmet, kryesisht problemet socialo-ekonomike zënë vendin e parë, dhe besoj se kaq gjë duhet ta dini i dashur Strazimir.

Atëherë a e ke pyetur ndonjëherë veten, meqë unë jam po i njëjti elektorat, pse vlera e ime paska rënë kaq shumë krahasuar me dy zgjedhjet pararendëse, dhe pse tashmë që nuk të kam votuar ty, unë nuk vlej më shumë se ajo prostituta në rrugët e Riminit, çfarë ndikoi që të më bjerë pazari kaq shumë?


I dashur Strazimir ndoshta parfumosja e tepërt nga pushteti ua bllokoi shqisat e nuhatjes deri në atë pikë saqë nuk arritët ta kuptoni se në çfarë gjendjeje e keni katandisur këtë shtet gjatë këtyre viteve. I dashur Strazimir kur u rikthyet në pushtet në 2005 erdhët me sloganin shpresëdhënës Me duar të pastra dhe prandaj të besova që të qeverisësh dhe të më përmirësosh imazhin brenda dhe jashtë vendit, nga katrahura që e kishte kapluar këtë vend, por në fakt koha tregoi që motoja juaj nuk e kaloi asnjëherë idenë e motos.


I dashur Strazimir gjatë këtyre tetë viteve, arroganca e shtetarëve më detyroi ti nënshtrohem tekave sadiste të pushtetit, që më edukuan me idenë se pjesëmarrja në mitingjet e PD-së ishte detyrë për mua, sepse këtu ku unë banoj, vendorët më kërcënonin me heqjen e ndihmës ekonomike në rast se nuk shkoja.


I dashur Strazimir ndoshta kostumet e shtrenjta dhe jeta mondane në suitat luksoze të Tiranës, nuk u lejon të shihni në sy realitetin, sepse ajo ndihma ekonomike edhe pse qesharake për ju, ajo i gëzonte fëmijët e mi ngaqë mjaftonte për të blerë pak kilogram miell që të paktën më siguron bukën deri në gjysëm të muajit.


I dashur Strazimir sa herë që vjen dimri, palltot e gjata me gëzof të porositur dhe kollarisja juaj i bën karshillëk edhe vatrës së zjarrit që është e skalitur artistikisht, nuk lë ta provosh egërsinë e dimrit, por ndryshe nga ju situata ime familjare më detyron të bëhem klient i rregullt i spitaleve, por sapo trokas te dera që përveç acarit drithërues më sfidon me çnjerëzinë e tij mjeku apo infermieri, i cili të vetmin Zot që i beson është paraja dhe me gjak ndër dhëmbë më duhet ti gjej diku borxh ato të mallkuara euro, ngase ai shërbim mjekësor është jetik për fëmijën tim. Afërmendsh lehtësisht mund të konstatosh, se fatkeqësisht, spitalet sot janë kthyer në disa gërmadha që shushunjëzat (jo të gjithë) po thithin për ditë gjakun e këtij populli.


I dashur Strazimir ndërsa për çdo gjë që ka të bëjë me administratën ti e rregullon me telefon, ndërsa unë sa herë që më nevojitet një dokument në komunën/bashkinë ku unë jetoj, e kam të kotë ta mësyj sepse veshja më tradhton, dhe si për inat ata e lexojnë shumë mirë paraqitjen time, dhe rrjedhimisht nuk mund të mbaroj punë sepse statusi im social nuk është në gjendje të justifikojë shërbimin që ata ofrojnë.


I dashur Strazimir, makinat luksoze për ju dhe shokë tuaj sjanë gjë tjetër veçse numra që asnjëherë nuk i llogaritet vlera, por unë edhe pse me njëmijë stërmundime e kam blerë një të vogël që e ka humbur shkëlqimin, prapë se prapë nuk mund të qarkullojnë pa lek në xhep nga droja se polici rrugor kërkon hisen e tij, ku portreti i tij është kthyer në një taksambledhës privat dhe barrën e hijes që ai bën në diell duhet ta paguaj unë.


I dashur Strazimir me sakrificën njerëzore arrita ta çoj fëmijën tim në universitet, por profesori (disa) nuk do tia dijë për mundin dhe përkushtimin ndaj mësimit, sepse sistemi i vlerësimit është në varësi të përmbajtjes së zarfit që së paku duhet ti kalojë 200 euro.


I dashur Strazimir unë nuk di se për cilin shërbim administrata jote ka ndenjur pa më futur dorën në xhep, që shumë herë më është dashur ta mbush nga huaja e dikujt tjetër, sepse ti e krijove një sistem të tillë vlerash. Ndërkohë që paralelizmat janë të ndaluara të bëhen me vendet e botës demokratike, sepse atje shërbimi është detyrë ndaj qytetarit dhe duhet të ofrohet falas nga shteti, madje edhe atje ku prostitutat nuk vlejnë më shumë se 50 euro, ndërsa shteti që ti ndërtove i ka fshirë nga fjalori moral këto nocione.


I dashur Strazimir marrëdhënia e njëan