Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka sjellë në vëmendje një anketim të kryer nga Dhomat Gjermane të Tregtisë, në lidhje me situatën e biznesit në vendin tonë.


Të dhënat e anketës tregojnë se 51 për qind e tyre janë të pakënaqur me situatën ekonomike në vend, duke theksuar se në këto vite ka një përkeqësim për mjedisin e biznesit.


Nxitur nga këto shifra, Spahiu thekson se jo vetëm shqiptarët, por dhe biznesi gjerman thotë: Rama Ik!


Postimi i Spahiut


Propaganda e KM-s bie në çdo fjalë që ai thotë.


Ja si shprehen të anketuarit nga Dhomat Gjermane të Tregtisë për Europën Qendrore dhe Lindore për Shqipërinë, ku 51% e të anketuarve e shohin atë të përkeqësuar.


Pyetjes se sa të kënaqur janë bizneset me faktorët që kanë ndikuar, u janë përgjigjur:


Pozitivisht: kostoja e punës, produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve, arsimimi akademik, disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar.


Negativisht: siguria ligjore, administrata publike, parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca e tenderëve publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.


Fare thjeshtë kuptohet që nuk janë problem shqiptarët, si të pakualifikuar, paarsimuar apo të pamotivuar.


Problem dhe përkeqësim shihet në aspekte që i takojnë Qeverisë ku problemi madhor mbetet KORRUPSIONI, pa përjashtuar luftën ndaj krimit apo transparencën në tendera.


Problem mbetet dhe e ardhmja, pasi 43% mendojnë që situata do të përkeqësohet dhe 45% mendojnë që nuk do të ndryshojë.


Asnjë shpresë përmirësimi.


Pra, jo vetëm shqiptarët, por dhe biznesi gjerman thotë: Rama Ik!