Specialistë të fushave mjekësore nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës gjatë kësaj jave kur në Prishtinë mbahet "Java e shëndetësisë kosovare - turke", bazuar në një marrëveshjen bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë.

Ekspertët më eminentë nga Turqia që do të vijnë në Kosovë janë nga fusha e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.

"Java e shëndetësisë kosovare - turke" që fillon sot dhe zgjat deri më 28 shkurt, sivjet organizohet për herë të tretë dhe gjatë kësaj jave ekspertët mjekësor nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për pacientët nga Kosova dhe për ta mbështetur shëndetësinë kosovare, krahas ndërhyrjeve, edhe me ligjërata, seminare dhe diskutime profesionale.