Kimete-Berisha-150x150Nga Kimete Berisha


 


Vetullat vizore të Enver Hoxhajt po shkojnë duke u ngritur përpjetë e më përpjetë. Kur vetullat çohen përpjetë, dihet çka e pret atë që ia ka mësyer Enveri.


I rreptë u tregua me Urtak Hamitin, të birin e Sabri Hamitit. Urtaku, i dehur në muajin e Ramazanit, i ka dhënë mesazh Kroacisë evropiane se shqiptarët lëre që nuk agjërojnë, por edhe dehen nga pikëllimi pse ende nuk e kanë gjetur Zotin.


Pasi e përjashtoi nga puna Urtakun, pa i dhënë rast të sqarohet, se a ka pirë me arsye apo pa arsye, a ka qenë viktimë e dehjes kundër vullnetit, a i ka qit dikush diçka në pije për ta tërbuar, se bandat e PDK-së dinë të të dehin e të të tërbojnë!


Enver Hoxhaj nuk u përmbajt dot pa e shprehur gëzimin që ia ndjeu loçka e tij kur dëgjoi se sa i paedukuar është i biri i Sabri Hamitit, e jo Urtaku, se Urtaku asgjë nuk ka punuar në jetën e tij që të na bëjë ta duam apo ta urrejmë.


Pastaj, në nxemje e sipër, brenda ditës, vetullat e Enver Hoxhajt e arritën nirvanën. Kur i treguan (se nuk e ka ditur), kur e pa vajzën zeshkane me këmbë përmbi tavolinë në ambasadën e Kosovës në Bernë.


Merre me mend, ajo ka guxuar dhe i ka vënë këmbët mbi tavolinë! Ani pse, askush tjetër në zyre nuk po shihet.


Kjo foto nuk flet sa njëmijë fjalë, sepse nuk e shënon orën kur është realizuar. Ndoshta zyrtarja ka qenë në kohën e pauzës, duke i pushuar këmbët e saj. Kushdo do të kishte mundur ta bëjë këtë foto nga xhami i derës së zyrës. Secili koleg që është munduar për shembull ta përvetësojë për shtrat, e ajo e ka refuzuar, ka mundur t’i hakmerret në këtë mënyrë primitive.


Bota perëndimore ka shpikur qindra karrige dhe jastëkë të butë për të pushuar këmbët gjatë orarit të punës. Doktorët kardiovaskularë rekomandojnë gjithë punëtorët e botës, sidomos ata që vuajnë nga sëmundja e venave (damarëve) të gjakut që të pushojnë këmbët e tyre gjatë qëndrimit në zyrë, në mënyrë që ti shpëtojnë trombozës.


Në institucione ka edhe zyrtarë me aftësi të kufizuara, dhe ekziston ligji që i mbron ata. Ka zyrtarë që janë të çalë dhe nuk mund i mbajnë këmbët si manekinë, siç ka dëshirë Enveri.


Nuk ka zyrtar në botë, përfshirë Enver Hoxhajn, që nuk i ka pushuar këmbët e tij gjatë orarit të punës në zyrë.


Enveri nuk priti që ta formojë një komision që ta hetojë mënyrën se si i mban këmbët zyrtarja në zyrë, por menjëherë ka kërkuar që të ndëshkohet ajo zyrtare, për të cilën media tha që është e privilegjuar, demek duhet të jetë e dashura e ambasadorit.


Që morali i një zyrtareje të shtetit nëpërkëmbet pamëshirshëm e që ia prishë asaj punët në jetën e saj personale, Enver Hoxhaj nuk mërzitet, se vet është i martuar dhe i lumtur!


Gjatë mandatit të tij, Enver Hoxhaj kurrë nuk është treguar më punëtor i Ali Babës, sesa tani. I erdh dita me tregu se sa i ashpër është. Qesharak deri në fund me rokadat e ambasadorëve anonimë, ambasadorëve pa biografi, të cilët i mban nga tre muaj në një ambasadë dhe pastaj ua ndërron shtetin, derisa ata të kënaqen duke e shëtitur botën. Të gjithë evropianët e shëtisin botën me mjete transporti, por vetëm ambasadorët e Ali Babës e shëtisin Evropën me ambasada.


Kollaj e ka me djem e me vajza të reja, po pse s’po provon t’ia tregojë muskujt atij që duhet, Sulltanit.


Ambasadori në arrest i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi është akuzuar për krime, dhe vendin e tij s’guxon as ta përmendë që ta zëvendësojë me një tjetër.