Pas krizës që kishte kapluar spitalet e vendit dhe kryesisht ato të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pritet që të pajisen me nga pak nga të gjitha llojet e medikamenteve. Kjo është arritur, pasi ka përfunduar procedura për prokurimin e tyre. Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se pas përfundimit të kësaj procedure, QSUT-ja do të pajiset me 104 medikamente nga 183 që kishte nevoja spitali. Ndërkohë pritet që në muajin tetor të fillojë edhe furnizimi me medikamentet e blera.


Medikamentet


Pasi është parë situata aktuale dhe nevojat spitalore ka përfunduar procedura e prokurimit të medikamenteve. MSH-ja sqaron se pas kësaj procedure pritet që të nisë furnizimi i spitaleve, i cili nuk premtohet që të kryhet para muajit tetor. Duke parë listën e prokuruar me 104 medikamentet, gazeta “standard” u interesua tek specialistë të shëndetësisë në lidhje me sëmundjet që marrin përsipër këto ilaçe të trajtojnë.


Sipas tyre, lista është mjaft e pasur dhe ka nga të gjitha llojet e medikamenteve që nevojiten, si për të dhënë ndihmën e parë, si dhe për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.


“Lista ka pak nga të gjitha llojet e medikamenteve. Themi se është menduar që asnjë sëmundje të mos lihet pa trajtuar, por jo me kurën e plotë trajtuese, e cila është mjaft e domosdoshme për një pacient që shtrohet në spital”, – shprehen specialistët. Ata theksojnë se në listë gjenden edhe medikamente të shtrenjta, si dhe medikamente që trajtojnë sëmundje si të zemrës, tensionit, stomakut, tiroideve, shqetësimet nervore, diabetin, kancerin.


Por kryesisht në këtë listë gjenden qetësuesit, antibiotikët, pomadat, tubetet, si dhe ultrakortenët për alergji. Sipas tyre, 104 medikamentet e listës marrin përsipër të trajtojnë nga pak nga të gjitha sëmundjet, por jo duke u garantuar pacientëve kurën e plotë.


Kriza


Deri më tani është arritur që të mbyllen procedurat dhe ashtu siç e konfirmojnë burime pranë MSH-së është arritur që të shpalleshin oferta fituese 20 kompani farmaceutike për kontraktimin e 104 medikamenteve me një vlerë prej 688.170.600 lekë nga 707.387.800 lekë që ishte fondi limit i planifikuar.


Procedurat për blerjen e tyre kanë më se një muaj e gjysmë që kanë nisur. Por edhe pas përfundimit të tenderëve dhe procedurave, furnizimi i spitaleve kërkon sërish kohën e vet. Siç mësohet nga këto burime është tejet e vështirë që furnizimi i spitaleve të vendit të bëhet para muajit tetor.


Ndërkohë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ndërprerë punën e saj normale, duke anuluar ndërhyrjet kirurgjikale për në shtator. E megjithatë, kthimi i bluzave të bardha në punë në vjeshtë, si dhe nisja normalisht e operacioneve, sërish do të ndeshen në shtator me mungesën e ilaçeve.