Përvoja e spitaleve të qytetit të Durrësit për vetëfinancim brenda të sistemit të Sigurimeve Shoqërore, duket se do të shtrihet edhe në qytetin e Elbasanit. Një kërkesë e tillë është bërë dje para prefektit të Elbasanit nga ana e kreut të spitaleve Arben Paralloi. "Na ka nxitur një kronikë në "Top-Media" për përvojën që jep spitali i qytetit të Durrësit dhe kërkojmë që sistemi i vetëfinancimit të shtrihet edhe në qytetin tonë", ka deklaruar Paralloi. Ky i fundit nuk ka nguruar të riprezantojë gjendjen e mjerueshme të godinave spitalore të maternitetit dhe të kirurgjisë, më tepër për shkak të degradimit të godinave, pa lënë mënjanë shërbimin jo të kënaqshëm spitalor që, herë-herë, i drejton pacientët për shërbime në laboratorë privatë. "Vetëm aplikimi i shpejtë i sistemit të vetëfinancimit mund të ndryshojë tërësisht pamjen e mjerueshme të spitaleve tona dhe u pret rrugën abuzimeve të bluzave të bardha", ka shtuar drejtori i spitaleve të Elbasanit. Sipas tij, shumë shpejt kjo nismë do t‘u bëhet me dije gjithë stafeve dhe ekipeve mjekësore të të gjitha spitaleve të Rrethit të Elbasanit dhe do të hartohet edhe studimi nga një ekip mjekësh, bashkë me krerët e shërbimit parësor. Nga ana tjetër, ky ndryshim shërbimesh në të gjitha spitalet e Elbasanit, mund edhe të pritet mirë nga komuniteti, pavarësisht nga kostoja e një pacienti, përderisa cilido i shtruar, veç mjekut që e gjen në spital, çdo gjë tjetër ose duhet ta marrë me vetë, ose duhet ta blejë në farmacitë private, herë-herë edhe më "urdhër" të mjekut kurues. Paralloi ka sqaruar se në këtë studim-propozues pritet përgjigjja e dikasterit ministror që të funksionojë edhe në shërbimin spitalor të Rrethit të Elbasanit.