Para procesit të akreditimit, shpërndarjes së parave sipas punës, në 2014-n do të bëhet licencimi
Të dhëna
Akreditimi - Spitalet në të gjithë vendin duhet të akreditohen për të informuar pacientët se cilat nga qendrat shëndetësore ofrojnë më shumë siguri, cilësi, standarde sipas një modeli pikëzimi
Licencimi - Vitin e ardhshëm, të gjitha ato institucione që nuk do të plotësojnë as kushtet minimale, do të përfshihen në kategorinë e institucioneve ineficiente që nuk përmbushin funksionin
Paratë - Pas listimit të spitaleve nga më i miri te më pak i miri, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, financuesi i shëndetësisë bën edhe ndarjen e parave në bazë të punës dhe nivelit
Lorina Mixha
Spitalet shtetërore në të gjithë vendin që nuk do të plotësojnë standardet dhe kushtet minimale për të mbajtur emrin Qendra Shëndetësore do të mbyllen vitin e ardhshëm. Ndërkohë që procesi i parë që do të nisë në vitin 2014, është licencimi i të gjitha qendrave shëndetësore. Nëse nuk plotësojnë standardet minimale do të mbyllen, nëse do të kualifikohen përfshihen menjëherë në procesin e dytë, atë të akreditimit për ofrimin e cilësisë dhe sigurisë. Procesi i akreditimit, matjes së shërbimit shëndetësor të ofruar për pacientët shqiptarë sot nuk ka nisur ende, por pritet që procesi të nisë vitin e ardhshëm, bashkë me reformimin e qendrave shëndetësore, ato që kanë nevojë për tu përmirësuar, për tu reformuar apo për tu shkrirë tërësisht.
Licencimi
Dje, në një takim, ekspertë të shëndetësisë kanë diskutuar lidhur me spitalet në vend dhe çfarë është e domosdoshme të kryhet. Kështu, pacientët shqiptarë do ta dinë se cilat janë spitalet që punojnë më mirë, që ofrojnë cilësi shërbimi, pastërti, siguri, por edhe që kanë shfrytëzim më të madh apo burime njerëzore më të kualifikuara në një specialitet të caktuar.
Licencim do të thotë zbatim i të paktën standardeve minimale, pa të cilat institucionet nuk do të mund të funksionojnë. Por kemi trashëguar të gjitha spitalet, të cilat nuk kanë një pjesë të standardeve minimale, tha Isuf Kalo.
Përpara procesit të akreditimit, institucionet shëndetësore duhet të plotësojnë kushtet për licencën. Pavarësisht se ato kanë vite që ekzistojnë në shërbim të pacientëve shqiptarë, ato duhet të ofrojnë kushtet më minimale, ndërkohë që në realitet shumë prej tyre nuk i kanë dhe sërish vazhdojnë të jenë të hapura.
Ky ka qenë qëndrimi i kreut të Qendrës së Akreditimit, cilësisë dhe sigurisë në institucionet shëndetësore, Isuf Kalo.
Sipas tij, është e nevojshme që në buxhetet që miratohet të ketë një zë të veçantë vetëm për cilësinë dhe sigurinë.
Korrupsioni
Ndërsa përfaqësuesit e shëndetësisë e kanë cilësuar akreditimin e këtyre institucioneve si një mekanizëm që lufton korrupsionin.
Nga ana tjetër, mendohet se procesi i akreditimit sjell edhe kontroll më të madh lidhur me çështjet e korrupsionit në sistemin shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar që të skicojë dhe të identifikojë mekanizmat antikorrupsion dhe ne besojmë që mekanizmi i akreditimit është mekanizëm i rëndësishëm që ndërhyn në sistem për të luftuar korrupsionin në shëndetësi, tha Gazmend Bejtja, drejtues në Ministrinë e Shëndetësisë.
Përfaqësuesit e grupit që merren me hartimin e dokumentit që do të përdoret për akreditimin e institucioneve shëndetësore, u shprehën se duhet të ketë një mirëmenaxhim në spitale, pasi edhe kjo është pjesë e këtij procesi.
Procesi i akreditimit për sa u përket ambienteve, teknologjisë apo cilësisë së shërbimit nuk ka nisur në asnjë spital publik, ndërkohë që akreditimi është një proces që po prek vetëm personelin shëndetësor.
Ky shkrim Spitalet mbyllen nëse splotësojnë kushtet minimale u publikua me pare te Gazeta SHQIP.