KRUME-Spitali civil i qytetit të Krumës nuk ka mjek kirurg dhe sallë operacioni. Ndërhyrja e fundit kirurgjikale në këtë spital është bërë në vitin 1974 dhe që nga ajo kohë dyert e sallës së operacionit janë të mbyllura. Fakti bëhet i ditur nga vetë drejtuesit e spitalit të cilët thonë se nga mungesa e sallës së operacionit dhe mjekut kirurg, banorët e rrethit të Hasit për një ndërhyrje kirurgjikale janë të detyruar që të shkojnë në Gjakovë.

"Në spitalin e Krumës, që nga viti 1974 nuk ka funksionuar salla e kirurgjisë apo mikrokirurgjisë. Në të gjitha kohërat ne kemi bërë kërkesa të njëpasnjëshme duke ua nisur ministrave përkatës, por deri më tani asgjë nuk është bërë. Ne mbulojmë një terren shumë të vështirë, madje edhe një pjesë shumë të madhe të Tropojës", deklaron Shkëlzen Ibra, nëndrejtor i spitalit të Krumës. Ai shprehet se banorët e kanë zgjidhur situatën duke ju drejtuar spitalit të Gjakovës, që është më afër se ai i Kukësit. "Në dimër një banor i sëmurë me apendisit nga fshatrat e Hasit nuk ka asnjë shans që të shkojë i gjallë në Kukës, por Zoti na ka ndihmuar. Duke qenë afër me Kosovën, megjithëse nuk ka asnjë marrëveshje institucionale, banorët e kanë zgjidhur privatisht duke shkuar në spitalin e Gjakovës", tregon Ibra.

Nëndrejtori i spitalit të Krumës, thotë se ky rreth është braktisur tërësisht nga pushteti qendror i Shqipërinë, ndërsa ka bërë apel që të rivihet në funksion shërbimi i kirurgjisë në këtë institucion shëndetësor. "Ndonëse ne nuk jemi spital rajonal, por mbulojmë një popullsi prej 25 mijë banorësh. I kemi të gjitha specialitetet e tjera, por kemi shumë të domosdoshëm repartin e kirurgjisë edhe për shkak të infrastrukturës rrugore. Është shumë qesharak fakti se jemi ndër rrethet që jemi të braktisur dhe nuk jemi të lidhur më Shqipërinë. Është emer-gjente vënia në funksion e repartit të kirurgjisë", tha Shkëlzen Ibra.

(d.b/GSH/BalkanWeb)