Bluzat e bardha bëjnë padi në gjykatë ndaj Agjencisë së Pronave për dy hektarë truall brenda territorit

Dy hektarëve truall brenda territorit të Spitalit Ushtarak në Tiranë u ka dalë “pronari”, duke futur në konflikt përfituesit e tyre dhe administratën e spitalit. çështja ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës. Paditës në këtë rast është Spitali Ushtarak Qendror Universitar, ndërsa e paditur është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Baza e konfliktit është një truall me sipërfaqe prej 21841 metra katrorësh, për të cilën AKK-ja ua ka kthyer trashëgimtarëve të Sheh Ali Pazarit, ndërsa Spitali Ushtarak në Tiranë pretendon se trualli duhet të regjistrohet në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Gazeta “Shqip” kontaktoi me drejtorin e Spitalit Ushtarak, zotin Bedri Mihaj, i cili tha se problemi daton që në vitin 2002, para se ai të merrte këtë post. Ai tha se çështja është në gjykatë dhe pret një vendim nga togat e zeza, megjithëse çështja është prej disa vitesh për gjykim. Pa dashur të komentojë pretendimet e pronësisë, Mihaj tha se problemi është i mbartur.


Padia

Spitali Ushtarak Qendror Universitar ka depozituar pranë Gjykatës së Tiranës një padi për shfuqizimin dhe ndryshimin e aktit administrativ. çështja mban numrin 10640 dhe padia është regjistruar më 23 qershor 2010. Të paditur janë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe shtetasit Dritan Llanaj dhe Klarinda Maliqi. Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës së Tiranës, objekti i padisë është “Shfuqizimi i pikës 1 të vendimit numër 232 datë 6 korrik të vitit 2000 të AKKP-së Tiranë për pjesën e truallit të ndodhur brenda territorit të Spitalit Ushtarak Qendror Universitar”. Administrata e spitalit kërkon çregjistrimin e truallit prej 21841 m2 të bërë në favor të trashëgimtarëve të Sheh Ali Pazarit, të cilët e kanë tjetërsuar në favor të shtetasve Dritan Llanaj dhe Klarinda Maliqi. Gjithashtu, Spitali më i madh Ushtarak në vend kërkon edhe regjistrimin e këtij trualli në favor të Ministrisë së Mbrojtjes. Padia është hedhur në short në Gjykatën e Tiranës dhe gjyqtarja e kësaj çështje është Farije Budo.


Spitali

Spitali Ushtarak në Tiranë është “copëtuar” hera-herës nga qeveri të ndryshme. Në vitin 2000 AKKP-ja njohu si pronar të ligjshëm trashëgimtarët e Sheh Ali Pazarit, me një vendim të çuditshëm të cilësuar nga administrata e spitalit. Disa vjet më vonë, qeveria ka dhënë me qira 15 mijë metra katrorë truall për ndërtimin e një spitali privat brenda ambienteve të spitalit ekzistues, madje me një VKM të dhënë në datën 18 tetor 2006. Pas kësaj periudhe brenda Spitalit Ushtarak operojnë edhe disa spitale private, ndërsa problemet ligjore me këtë pronë-truall nuk kanë të sosur, duke i shndërruar ambientet e tij shumë të pëlqyeshme për investitorët në fushën e mjekësisë.








#