Mësohet se rikonstruksioni i stadiumit Roza Haxhiu do të fillojë në mesin e muajit shtator, duke detyruar verdhjeshilët ti luajnë takimet e Kampionatit dhe Kupës në qytetin e Beratit


Nga JULIAN KASAPI


Ndërkohë që Lushnja është duke u stërvitur në këtë fazë përgatitore, stafi teknik i skuadrës është në bisedime për të gjetur ndonjë ekip, me të cilin mund të zhvilloj takimin miqësor të radhës. Në mungesë të saj, për momentin verdhjeshilët janë duke luajtur ndeshje brenda grupit, ku mund të shihet edhe gjendja fizike e futbollistëve. Ndërkohë mësohet se duke nisur nga data 22 shtator, lushnjarët duhet të lëshojnë ambientet e stadiumit Roza Haxhiu, pasi ky i fundit ka nevojë për një rikonstruksion. Takimi me Elbasanin, që përkon me datën kur do të fillojnë punimet në shtëpinë e Lushnjes do të zhvillohet në qytetin e Beratit, stadium, i cili do të presë edhe sfidat e tjera të verdhjeshilëve, deri sa impianti i ri të jetë gati. Këtë vit me ndihmesën nga donatorët dhe bashkisë së qytetit në Roza Haxhiu kanë mbërritur deri në këtë moment këta futbollistë: Portieri Spaho nga Flamurtari, mbrojtësit Prela dhe Grizha nga Burreli, Ndoni dhe H. Korreshi nga Skrapari, mesfushorin Erlind Korreshi nga Bylisi dhe sulmuesi Galica nga Elbasani. Por, ka pasur edhe largime, të cilat kanë kushtëzuar edhe mundësinë e afrimit të ndonjë futbollisti tjetër në kampin lushnjar. Këto largime, së bashku me trajnerin Malko drejt Kamzës janë: Portieri Bejte dhe sulmuesi Sefa te Besa, mbrojtësi Ruço dhe mesfushori Përnezha te Kamza, mesfushori Gjoni te Tomori, mbrojtësi Bufasi te Himara, ndërsa Xhafa ende nuk ka gjetur skuadër, pasi nuk ka rënë dakord për të qëndruar në Lushnjë.