Ishte ai që e paralajmëroi i pari në një intervistë të para pak ditëve në Supersport dhe tashmë pret që të dalë fjala e tij. Edhe pse nuk e shpreh plotësisht, Sulejman Starova e lë të kuptohet që titulli i sezonit 2015-2016 që iu hoq Skënderbeut nga komisioni i Etikës duhet ti jepet Partizanit. Në përfundim miqësores ndaj Prishtinës, trajneri i të Kuqve, shkëputi një mendim edhe për këtë çështje edhe pse tashmë të gjithë janë pritje të vendimit që do të japë komisioni i Disiplinës.


Avash avash po dalin fjalët e mia. Megjithatë siç e shikoni, ne jemi në heshtje shtypi. Deri tani nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë, pasi po presim që pas komisionit të Etikës, Disiplina të japë vendimin sic dëshiron ta japi. Mendoj që shkallët e ankimimit kanë përfunduar sepse është një vendim i formës prerë që vjen nga Lozana, ky është prononcimi im fillestar.


I kënaqur me paraqitjen e skuadrës në sfidën ndaj Prishtinës, por vëmendja është e gjitha te dueli i kësaj të Enjteje ndaj bullgarëve të Botev Plovdiv në turin e parë të Europa League, me trajnerin e 15-herë kampionëve që vlerësoi maksimalisht kundërshtarin.


Përgjithësisht jam i kënaqur e realizuam programin stërvitor për të përballuar këtë ndeshje.Lojtarët morën minutat e nevojshme për të përballur të Enjten e ardhshme ndeshjen ndaj Botev-it. E kemi njohur kundërshtarin, sipas mendimit tonë bëhet fjalë për një skuadër të fortë dhe renditja në vendin e 7-të në kampionat nuk ka të bëjë. Botev ka lojtarë të mirë në përbërje, është një skuadër që mbrohet mirë dhe di të aplikojë në mënyrë të shkëlqyer kundërsulmin. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, duhet të jemi të durueshëm edhe publiku jonë të jetë i zjarrtë.


Nga merkato te grupet e Europa Leagues, edhe pse nga Partizani janë larguar shumë lojtarë cilësorë gjatë kësaj vere, Starova beson te projekti i klubit dhe ëndërron grupet e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Europë me Të Kuqtë.


Objektivi i klubit është të ndërtojë një skuadër për të dalë kampion, edhe kjo do kohën e vetë, pasi për të zëvendësuar këta lojtarë nuk është e lehtë. Prisnim rikthimin e Torasës por ai nuk na u përgjigj edhe për çështje familjare. Shpresojmë ende se mund të kthehet Ekuban, ndërkohë që klubi po bën tentativa serioze për objektivin tjetër që është kampionati. Do kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv ndaj Botev, besojmë te këta lojtarë që kemi dhe te kualifikimi. Por ne kërkojmnë të kalojmë një tur por po ndërtojmë një skuadër për të shkuar deri në grupet e Europa Leagues.


24 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)