Olympique Marseille ka bërë startin më të mirë në 50 vitet e fundit në Ligue 1. Ekipi ka fituar gjashtë duelet e para në sezonin e ri. Por, Marseille nuk është se vetmja skuadër që ka nisur mbarë edicionin e ri. Me bilanc të qindpërqindtë janë aktualisht edhe Barcelona, Juventus, Bayern Munich, Eintracht Frankfurt dhe Olympiakos, edhe pse me më pak ndeshje të zhvilluara.

Thonë se dita e mirë shihet në mëngjes. Nuk ka asgjë më të mirë se nisma e mbarë e një sezoni të ri. Këtë e ka bërë në efekt të plotë skuadra Olimpique Marseille. Ekipi ka fituar gjashtë duelet e para në Ligue 1, starti më i mirë në 50 vitet e fundit.

Marseille mposhti Evian Thonon Gaillardin 1-0 të dielën. Morgan Amalfitano realizoi me kokë në minutën e 33-të dhe ngriti skuadrën në kuotën e 18 pikëve, katër para Olympique Lyonit që barazoi 1-1 në Lille.

Marseille është ekipi i parë që fitoi gjashtë ndeshjet e para në Ligue 1 pas Monacos që kishte bërë start të ngjashëm në fillim të edicionit 1960-61. Në fund të atij sezoni, Monaco fitoi titullin e kampionit.

Tri ditë pas barazimit në përballjen e vështirë me Fenerbahcen në Europa League, te Marseille u vërejt lodhja dhe vështirësia në krijimin e rasteve për shënim kundër Evianit, që renditet i 17-ti.

“Ishte duel i vështirë, ne paguam çmimin e përballjes së vështira nga e enjtja”, deklaroi kapiteni Steve Mandanda për beIN SPORT. “Ne fituam me zemër. Kemi bërë një fillim të mbarë por ka edhe shumë deri në fund të sezonit”, u shpreh ai.

Por, Marseille nuk është skuadra e vetme nga ligat kryesore evropiane që ka bërë fillim të furishëm. Start pozitiv në sezonin e ri ka bërë edhe Barcelona. Ekipi i trajnerit Tito Vilanova të shtunën mbrëma fitoi 2-0 ndaj Granadës, fitorja e tyre e pesë nga po aq xhiro në La Liga.

Gjiganti katalan, humbi titullin e kampionit të Spanjës sezonin e kaluar nga Real Madridi por me startin e sivjetmë mund të shpresojë se do ta rikthejë atë në Nou Camp duke pasur parasysh se madrilenët kanë humbur dy prej katër dueleve të tyre të para.

Në Serie A, Juventusi e vazhdoi formën me të cilën e mbylli sezonin e kaluar kur rrëmbeu Scudetton. Ekipi i Antonio Contes ka fituar katër duelet e para dhe aktualisht kryeson në renditje me 12 pikë, dy më tepër se Napoli.

Në Bundesligë, Bayern Munichu ka triumfuar në katër xhirot e para të sezonit të ri, por befasisht bilanc të qindpërqindtë ka edhe skuadra e promovuar këtë edicion, Eintracht Frankfurt. Në Kampionatin grek, Olympiakos kryeson me katër fitore nga po aq ndeshje.

Ekipi i Leonardo Jardimit e la pas vetes zhgënjimin e humbjes 2-1 nga Schalke në Ligën e Kampionëve duke mposhtur me rezultat të thellë 4-1 Panthrakikosin. Olympiakos kryeson me 12 pikë nga katër xhiro, tri më tepër se PAOK Salonika.