Komisionet

Fotografia e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, e cila u hoq pak muaj më parë nga sallat e komisioneve parlamentare në Kuvend, do të zëvendësohet së shpejti me stemën e Kuvendit të Shqipërisë. Burimet bëjnë të ditur se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka porositur shtypjen e rreth 20 stemave, të cilat në formën e fotografive do të vendosen në krye të komisioneve parlamentare përgjatë mbajtjes së mbledhjeve. Simboli i Kuvendit pak kohë më parë u vendos edhe në sallën e konferencave të Parlamentit dhe tashmë gjendet pas shpinës së çdo deputeti i cili zgjedh institucionin e Kuvendit për të bërë deklaratën e tij. Në këtë mënyrë, pritet që Kuvendi edhe në formë dhe në dekor të marrë rolin e tij si institucioni më i rëndësishëm në vend dhe vendimmarrësi kryesor sipas Kushtetutës së vendit tonë. Pak kohë më parë ishte media e cila zbuloi se Kryetarja e Kuvendit, Topalli, kishte hequr fotografinë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, nga muret e komisioneve parlamentare, duke shënuar precedentin e parë të mospërdorimit të fotografisë së kreut të shtetit në institucionet e vendit. Këtë vendim, zyra e shtypit të Kuvendit e konsideroi si normal, ndonëse për rreth katër vite me radhë të drejtimit të Kuvendit nga Topalli, kjo fotografi ka qenë pjesë e çdo salle në Parlament. Arsyetimi i Kuvendit në lidhje me vendimin për ta hequr foton, lidhej me faktin se në asnjë vend të botës ku ekzistonte sistemi parlamentar, nuk përdorej fotografia e kreut të shtetit nëpër muret e Kuvendit. Por tashmë duket se muret nuk do të vijojnë të qëndrojnë bosh dhe fotot e Presidentit do të zëvendësohen me ato të stemës së vetë Kuvendit. Nga ana tjetër, institucionet e tjera të rëndësishme të vendit vijojnë të mbajnë në muret e tyre fotografinë e Presidentit. Një foto e Presidentit aktual, Bamir Topi, gjendet aktualisht në sallën e mbledhjeve të qeverisë në Këshillin e Ministrave. Po kështu fotoja është shumë e përdorur edhe në organet e sistemit gjyqësor në vend.






#