21 janariGjykata e Strasburgut hap dosjen e 21 Janarit.


Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u drejton katër pyetje autoriteteve shqiptare, ndërsa kërkon dokumentacionin për hetimet dhe gjykimin, në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar.


Kështu, saga gjyqësore për përgjegjësit e vrasjeve të 21 Janarit, shkeljen e procedurave të gjykimit, zhdukjen dhe manipulimin e provave, rrëzimin e fakteve dhe devijimin e ekspertizave, më në fund, ka mbërritur dhe ka vënë në lëvizje Gjykatën Evropiane, raporton Shqiptarja.com.


Katër vjet pas padisë së familjarëve të viktimave, Gjykata e Strasburgut ka hapur çështjen më të nxehtë dhe sensitive të viteve të fundit.


21 Janari është konsideruar si një ndër krimet më të rënda shtetërore, në trajektoren e historisë së pluralizmit shqiptar, ku u ekzekutuan katër qytetarë të pafajshëm, ndërsa u plagosën edhe gjashtë të tjerë.


Drejtësia shqiptare nuk gjeti asnjë fajtor për ekzekutimet dhe plagosjet e qytetarëve para zyrës së ish-kryeministrit Sali Berisha.


Por, teksa Gjykata e Lartë vijon të mbajë peng prej tre vitesh dosjen, për shkak të pafuqisë së saj përballë politikës, tashmë fjalën e fundit për zbatimin e procedurave gjyqësore për 21 Janarin, do ta thotë Gjykata e Strasburgut.


Shqiptarja.com ka zbuluar dokumentin e parë zyrtar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të datës 23 Mars 2016, për çështjen Ana Veizi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, për 21 Janarin, ku kërkohet rihapja e kësaj çështje.