NATO e shqetësuar





Komandanti Mark Ficxherald: KFOR-i do të reagojë nëse strukturat bëhen të dhunshme. NATO nuk dha mbështetje për strategjinë e veriut



Megjithëse nuk tregoi hapur mbështetjen ndaj strategjisë së Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe qeverisë së Kosovës për veriun, Aleanca e Atlantikut të Veriut ka shprehur shqetësim për strukturat paralele serbe, që sipas saj përbëjnë një kërcënim për sigurinë në vend. Gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti i krahut jugor të NATO-s, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, tha se KFOR-i do të reagojë, nëse këto struktura kthehen në të dhunshme. “çdo strukturë paralele është kërcënim për sigurinë dhe ambientin e qetë. Pikësëpari, institucionet që nuk janë në përputhje me rezolutën 1244 janë ilegale dhe paraqesin kërcënim për sigurinë. Siç e ka thënë edhe sekretari, ne në NATO jemi të interesuar për çdo gjë që i kontribuon një Kosove demokratike dhe më të bashkuar”, tha Ficxherlad, i pyetur nëse NATO-ja do ta mbështesë strategjinë për veriun. “Si përfundim, ne jemi këtu për të zbatuar 1244-in dhe këto gjëra që kërcënojnë sigurinë janë gjëra për të cilat ne shqetësohemi. Shumë nga këto gjëra i përkasin nivelit politik dhe kërkojnë zgjidhje politike. Nuk mund të them se KFOR-i do të jetë atje në përpjekje për ta vënë në zbatim, por do të jemi këtu, duke vëzhguar, do të jemi këtu të gatshëm për të reaguar nëse këto gjëra kthehen në të dhunshme”, ka thënë Ficxherald në një konferencë të përbashkët për gazetarë me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler. Një ditë pas dyvjetorit të pavarësisë, komandanti i lartë i NATO-s tha se situata e sigurisë në këtë periudhë ka shënuar përmirësim. “Institucionet e Kosovës arritën një moment historik të mërkurën dhe më duhet të them se në dy vitet e kaluara, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është përmirësuar në mënyrë të dukshme”, ka theksuar Ficxherald, duke sqaruar se reduktimi i mëtejshëm i forcave paqeruajtëse do të bëhet varësisht nga situata në terren. Që nga një shkurti në Kosovë kanë mbetur vetëm 10 mijë trupa të KFOR-it. Komandanti Ficxherald ka thënë se, ndërkohë, disa përgjegjësi të fushës së sigurisë do t’u barten institucioneve vendase. Por ai nuk ka sqaruar nëse të tilla përgjegjësi do të marrë edhe FSK-ja, e cila po vazhdon të trajnohet nga oficerët e NATO-s. Ndërsa në Kosovë, Forca e Sigurisë së Kosovës konsiderohet si ushtria e ardhshme e vendit, Ficxherald njoftoi se, në të vërtetë, janë institucionet e Kosovës ato që do të vendosin për të ardhmen e kësaj force. “Ne kemi thënë se do të kemi përgjegjësi ekzekutive deri në arritjen e kapaciteteve të plota. Kemi vlerësuar se kjo mund të zgjasë 2-4 vjet. Pastaj u përket institucioneve sesi do ta zhvillojnë më tej këtë forcë. Përgjegjësia jonë është që ta bëjmë plotësisht funksionale, gjë që duket se do të ndodhë në 2011-2012”, pohoi ai. Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, nuk ka preferuar të flasë për ndryshimin e misionit të FSK-së në të ardhmen. Trupat e KFOR-it, si përgjegjësit kryesorë të sigurisë, vazhdojnë të ruajnë disa nga objektet fetare ortodokse, gjë kjo e paraparë me rezolutën 1244. Por admirali Ficxherald ka paralajmëruar se, ndërkohë që trupat e KFOR-it po shkurtohen, një pjesë e përgjegjësisë për ruajtjen e këtyre e monumenteve mund t’i kalojë Policisë së Kosovës.




Opozita dhe ekspertët: Kërkesë absurde



KEK-u kërkon rritjen e çmimit të energjisë


Kërkesa e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për ngritje të tarifave të reja të energjisë elektrike për 14 për qind konsiderohet absurde nga opozita dhe ekspertët. Ata theksojnë se në këtë kompani janë investuar miliona euro prej 10 vjetësh, por ajo vazhdon të importojë energji elektrike nga shtetet e rajonit. Ditë më parë, KEK-u ka dërguar kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ngritjen e tarifave për 14,6 për qind, me arsyetimin se kjo rritje i nevojitet të mbulojë shpenzimet. Avni Arifi, këshilltar i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosova vazhdon të jetë vendi i parë në rajon për çmimin e lartë të energjisë, ndërsa po ashtu vazhdon të jetë edhe shteti që ka vendin e parë në rajon për gjendjen më të rëndë ekonomike. “Qeveria e Kosovës në vitin 2008 ka dhënë 60 milionë euro për import të rrymës. Në vitin 2009 ka dhënë 80 milionë euro për import të energjisë elektrike, në 2010 nuk e di shifrën sa është e paraparë, mirëpo po flasim për rreth 200 milionë euro që Qeveria e Kosovës i ka dhënë KEK-ut për import të rrymës”, ka thënë Arifi, cituar nga “Kosova Press”. Kryetarja e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Myzejene Selmani, mendon se ngritja e tarifave të energjisë elektrike po i shkon për shtati dikujt. “Në projektbuxhetin e vitit 2010, Kuvendi i Kosovës jep subvencion diku 60 milionë euro vetëm për import dhe 140 milionë euro për riparimet që mund të ndodhin brenda KEK-ut. Dhe aplikimi i KEK-ut me 14,6 për qind në Zyrën e Rregullatorit për ngritje të tarifave nuk e di kujt i shkon për shtati, duke marr parasysh që gjendja e qytetarëve, gjendja ekonomike është shumë e rëndë”, ka thënë Selmani. Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga ana e KEK-ut, për Safet Gërxhaliun, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe ekspert i ekonomisë, është absurditeti më i madh që po ndodh në Kosovë. “Kërkesa për ngritjen e tarifave 10 deri në 15 për qind është kulmimi i absurditetit dhe i imoralitetit në Kosovë. E them këtë për arsye kur dihet fare mirë se sa është investuar në KEK, sa miliona janë avulluar, se në çfarë forme menaxhohet KEK-u, dhe se çka prodhohet në KEK tjetër, përveç territ dhe të kërkohet në këtë drejtim ngritja e çmimit të rrymës vërtet është e tepërt”, ka thënë Gërxhaliu. Arritjen e kërkesës në ZRRE e konfirmon edhe Adelina Murtezaj, zëdhënëse e këtij institucioni. Sipas saj, ekspertët janë duke shqyrtuar këtë kërkesë dhe më 25 shkurt do të dalë raporti. Pas kësaj date do të priten 10 ditë komentet e palëve të interesuara për tarifat e reja. çmimi i energjisë në Kosovë është më i shtrenjti në rajon me 9.33 centë për një megavat, ndërsa drejtuesit e KEK-ut kërkojnë ende ngritjen e tarifave. Ky është shqyrtimi i katërt i tarifave të energjisë elektrike nga ana e ZRRE-së. Vitin e kaluar shoqëria civile kishte kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike nëpërmjet peticionit, të cilin e kishin përkrahur mbi 10 mijë qytetarë. Por këto nënshkrime nuk ishin marrë parasysh nga Parlamenti i Kosovës, gjë që kishte shtyrë shoqërinë civile të ankohet në institucionet e larta europiane. Përderisa në vitin 2008 çmimi i energjisë elektrike ishte shtrenjtuar për 5 për qind, në vitin 2009 çmimi ishte rritur mesatarisht për 2.5 për qind.




“Republika e Kosovës është tashmë një realitet”



Inaugurohet presidenti kroat, Sejdiu në ceremoni, Tadiç bojkoton



Ivo Josipoviç u inaugurua dje në postin e presidentit të Kroacisë, duke premtuar luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së popullatës. Ai është presidenti i tretë prej pavarësisë së Kroacisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Ashtu siç pritej, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Zagreb, gjatë së cilës u takua me homologët e tij nga rajoni dhe përfaqësues të shteteve të tjera. Ndërsa presidenti serb, Boris Tadiç, vendosi të bojkotojë inaugurimin, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Sejdiut. Në mesin e afro 70 delegacioneve shtetërore morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zelko Komsiç, si dhe presidenti maqedonas, George Ivanov. Pas ceremonisë së inaugurimit, Sejdiu zhvilloi një takim të veçantë me presidentin e ri kroat, gjatë të cilit përsëriti gatishmërinë e Republikës së Kosovës, që edhe më tutje të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat me Kroacinë. “Interes i veçantë i bashkëpunimit do të jetë nxitja e investimeve të bizneseve të dy vendeve dhe që Kroacia të ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftim nga Zyra e Presidentit të Kosovës. Nga ana e tij, Josipoviç ka rikonfirmuar qëndrimin e Kroacisë për të mbështetur shtetin e ri, duke theksuar se Republika e Kosovës është një realitet tashmë i pranuar ndërkombëtarisht. “Përvojat tona në procesin e deritashëm të përgatitjes për anëtarësim në BE jemi të gatshëm që t’ua ofrojmë, në mënyrë që Kosova të bëjë hapa më të shpejtë në këtë drejtim”, citohet të ketë Josipoviç. Presidenti Sejdiu u takua edhe me presidentin slloven Danillo Tyrk, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen që ky Lubjana mund t’i japë Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike. “Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë për arritjen e standardeve, që kërkohen për integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO, kurse Sllovenia është një shembull i mirë i plotësimit të këtyre standardeve”, ka thënë Sejdiu. Ndërsa presidenti slloven ka siguruar presidentin kosovar se vendi i tij do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe aspiratat e saj për integrimet euroatlantike. Gjithashtu ai ka theksuar se Sllovenia do të nxisë bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, duke nxitur biznesin slloven të investojë edhe më tutje në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Zagreb, Sejdiu ka biseduar edhe me homologun e tij maqedonas, George Ivanov, i cili theksoi angazhimin e Maqedonisë për të mbështetur Kosovën në procesin e integrimeve euroatlantike. “Rajoni ynë ka perspektivë europiane dhe ne do të punojmë së bashku që vendet tona të jenë sa më parë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”, ka thënë ai. Një takim të veçantë, Sejdiu ka pasur me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Karl Bild, në të cilin theks i veçantë iu kushtua proceseve aktuale në Kosovë, të cilat, siç u theksua në takim, vazhdojnë të njohin rezultatet veçmas në zbatimin e Planit të Presidentit Ahtisari. Ata kanë biseduar edhe për mundësinë që, krahas Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të punohet më shumë, në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës.