Autori i Lajmit: Redaksia




Njerëzit në vendin tonë janë të predispozuar të kenë frikë, madje, edhe të shfaqin gjendje të ankthit. Më të prekur nga këto çrregullime janë të rinjtë. Në një takim mes specialistëve psikiatër të vendit u theksua se stresi, depresioni dhe ankthi nuk duhen neglizhuar, pasi mund të kenë pasoja serioze. Pasiguria për një të ardhme, pamundësia për një punë të qëndrueshme, strehimi, gjendja ekonomike, por edhe një sërë faktorësh të tjerë, sipas psikologëve, ndikojnë në krijimin e stresit, depresionit dhe ankthit. Jo pak, por 20 % e popullatës shqiptare është e predispozuar të vuajë nga çrregullimet e ankthit. Të rinjtë janë më të rrezikuarit nga këto sëmundje. Sipas një studimi të bërë nga mjeku psikiatër Pasho Maksuti, rezulton se studentët janë kategoria më e ekspozuar ndaj stresit dhe çrregullimeve të ankthit. "Në fakt, stresi, depresioni por edhe ankthi po rritet gjithnjë e më shumë në popullatë dhe faktorët janë të ndryshëm duke filluar nga problemet sociale deri tek predispozita gjenetike për ti përballuar këto çrregullime",- pohojnë psikologët, duke shtuar se problem i madh mbetet rinia, pasi janë më të ekspozuar ndaj këtyre çrregullimeve. Nëse nuk kurohen si duhen nga mjekët specialistë, këta të fundit thonë se gjendja shëndetësore e të sëmurëve rëndohet edhe më tej ndaj askush nuk duhet të jetë neglizhent ndaj këtyre sëmundjeve. Mjekët thonë se simptomat shfaqen në forma të ndryshme si në fizik, por edhe në personalitetin e njeriut. Sipas mjekëve specialistë, gjatë momentit që njerëzit përjetojnë ankth, frikë, kjo gjë, nëse është në nivele të larta, mund të shoqërohet me një seri simptomash, si: vështirësi në frymëmarrje, gjendje të ftohti ose të nxehti, rrahje të shpejta zemre ose rendim zemre, ndjenjë mbytjeje, djersitje, marrje mendsh, të fikët dhe plot shenja të tjera. "Nëse vërehen këto simptoma kemi të bëjmë me një rast të pastër çrregullimi të ankthit. Më konkretisht, me një çrregullim paniku, i cili në shumicën e rasteve është i shoqëruar me agorafobi ose me ndonjë fobi specifike si, psh, fobi sociale",- shpjegojnë mjekët psikiatër.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010