Subvencion për prodhimet organike. Këtë parashikon Ministria e Bujqësisë për vitin që vjen. Skema subvencionuese deri në 50% të vlerës do të aplikohet për certifikimin e produkteve bujqësore organike. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Burimeve dhe Ofrimit të Shërbimeve, Irfan Tarelli, e cilësoi mjaft të rëndësishëm këtë nismë gjatë prezantimit të projektit “Për Zhvillimin e Bujqësisë Organike” në takimin me specialistët. “Zhvillimi i Bujqësisë organike në vendin tonë, është një ndër prioritet e dikasterit të bujqësisë”, tha Tarelli. Ai nënvizoi se, në këtë kuadër përmes projektit për subvencionimin e bujqësisë do të përfshihet për herë të parë dhe mbështetja e fermerëve me fonde falas për certifikimin e produkteve bujqësore organike.