europe


Suedia bëhet vendi i parë i Bashkimit Europian që konfirmon zyrtarisht votën pro Shqipërisë në mbledhjen e 19 dhjetorit të Këshillit të Ministrave të BE, ku do të diskutohet propozimi i Komisionit Europian që vendi ynë ta marrë statusit e vendit kandidat.


Patrik Svensson, i dërguari me punë i Suedisë në Tiranë, në një intervistë për Top Channel deklaron se qeveria së bashku me partitë politike të vendit skandinav janë pro Shqipërisë në marrjen e vendit kandidat.


Mund t’ju them se Suedia, pas konsultimeve të kujdesshme, gjithashtu një rishikimi me shumë kujdes të progres-raportit nga Komisioni, arrin në përfundimin se pozicioni ynë është pro rekomandimit të Komisionit për Këshillin e Ministrave te BE, që Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat. Kështu ne jemi pro këtij rekomandimi, tha Svensson.


Suedia bën pjesë në ato vende, të cilat kanë shprehur skepticizëm në proceset integruese të Shqipërisë. Diplomati Svensson tregon se çfarë e shoi këtë skepticizëm.


Në rastin konkret, për Shqipërinë ne mendojmë se çfarë i është kërkuar nga progres-raporti 2012 ka gjetur realizim. Prandaj ne mendojmë se çfarë thuhet në progres-raport, mbështetet në fakte të forta. Kjo na bën të besojmë se ka ardhur koha që Këshilli të aprovojë statusin e vendit kandidat. Natyrisht nuk mund të themi se gjithçka është përmbushur pasi keni përpara një rrugëtim të gjatë drejt integrimit. Në të tilla kushte ne presim një progres të mëtejshëm në të gjitha drejtimet e adresuara nga Komisioni. Jo vetëm në ato 5 prioritete që lidhen me ligjzbatimin, të renditura qartësisht nga Komisioni. Pra, ju duhet një progres akoma më i madh për hapin tjetër për çeljen e negociatave për anëtarësim, tha Svensson.


Duke iu përgjigjur pyetjes se a jeni të kënaqur me përpjekjet e deritanishme të qeverisë shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dy prej rekomandimeve kryesore të progres-raportit 2013, Svenson tha: Mund ti përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë. Po, është bërë progres kur flasim për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, gjë e cila është vlerësuar nga komisioni në progres-raport. Ky progres është realizuar prej qeverisë së shkuar dhe qeverisë së re, paçka se nuk ka shumë kohë që ka marrë detyrën. Qeveria e re e ka nisur punën duke ndërtuar përpjekje konstruktive. Qeveria e re është duke u marrë me këto çështje në mënyrë tejet serioze duke demonstruar vendosmëri në arritjen e progresit gjatë kësaj kohe të shkurtër në qeverisjen e vendit dhe ka arritur progres.


Vota pro e Suedisë shihet në qarqet e diplomacisë shqiptare si një ogur i mirë, i cili do të shërbejë si një pikë kthese, ndoshta edhe për ato vende të tjera si Holanda, Gjermania apo Britania e Madhe, të cilat kanë skepticizëm ndaj proceseve integruese të Shqipërisë./TCH