Rikthehet pas afërsisht 10 muajsh me gol në Kategorinë Superiore Xhevahir Sukaj (për herë të fundit kishte realizuar me Vllazninë në fitoren 1-5 në Korçë) . Sulmuesi shkodran, që iu bashkua në janar Flamurtarit, pas eksperiencës jo të suksesshme te Laçi (luajti vetëm dy ndeshje në Superiore gjatë pjesës së parë të sezonit) shënoi golin e vetëm për ekipin vlonjat në barazimin e papritur 1-1 me Kastriotin në Vlorë.


Një goditje e bukur me kokë pranë zonës së portierit, me nuhatjen e një sulmuesi race, që gjithsesi ka humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm.


Flamurtari, në minutat në vijim e uli ndjeshëm ritmin, kjo edhe për meritë të Kastriotit, që nuk u dorëzua për asnjë moment, madje në minutën e 54-t Marku barazoi me kokë në zhvillimet e një këndoreje, duke e futur në tension ekipin vlonjat.


Edhe pse dominuan në lojë dhe me raste, kuqezinjtë, për meritë edhe të portierit Çekrezi, që u shfaq vendimtar me disa pritje, nuk arritën ta gjenin golin e fitores, duke ndarë pikët me krutanët. Ky barazim më shumë se për renditjen i vlen për moral Kastriotit, që gjithsesi beson se mund ta parakalojë Luftëtarin, që deri në këtë pikë të sezonit ka grumbulluar 5 pikë më shumë.


Gazeta Shqip