Sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, firmosi gjatë merkatos dimërore një kontratë “faraonike” me klubin elitar egjiptian, Al-Ismaili, aktualisht në vendin e tretë në kampiontin e këtij vendi (32 pikë pas 18 ndeshjesh).


Ish-lojtari i Vllaznisë luajti fazën e parë me Ordusporin, skuadër turke e Kategorisë së Dytë, por e prishi kontratën për shkaqe tërësisht financiare dhe që lidhen me situatën jo të mirë të klubit turk. Shkodrani 22-vjeçar luajti 10 ndeshje me Ordusporin, duke shënuar 2 gola. Më parë Sukaj ka luajtur në Turqi edhe me Hacettepe.


Transferimi, që kap vlerën e 1.1 milionë eurove, është bërë i mundur falë ndërhyrjes së një prej menaxherëve më të njohur aziatik dhe gjithashtu ish-futbollistit të Vllaznisë, Uliks Kotrri. Në bazë të saj, sulmuesi shkodran do të marrë një shumë prej 366 mijë eurosh në sezon.


Në fakt, Sukaj, i cili është i huaji i dytë në skuadër, së bashku edhe me sulmuesin tunizian, Mohamed Selliti, ende nuk e ka bërë ndeshjen e tij të parë zyrtare me klubin egjiptian, pasi sipas tij, ende ka disa probleme të pa mbyllura me klubin turk.


“Besoj se këto ditë mbyllen dhe do të jem i gatshëm në dispozicion të trajnerit nga java tjetër. Nuk kam humbur shumë takime, pasi janë zhvilluar gjatë këtij viti vetëm 3 javë, pasi Egjipti shkoi deri në finale të Kupës së Afrikës”.


Egjipti është një eksperiencë e re për ish-sulmuesin e Shpresave. “Tani jam ambientuar pothuajse plotësisht. Në fillim e pata pak të vështirë. Është një vend krejt ndryshe nga ato Europiane, përfshirë dhe Shqipërinë. Jam tepër i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Ka emër të madh, strukturë të përkryer klubi dhe besoj se do të më ndihmojë në karrierë”.


Në lidhje me nivelin e futbollit egjiptian, Sukaj shton: “Me thënë të drejtën futbolli këtu është shumë i fortë dhe shumë teknik. Egjipti fitoi Kampiontin Afrikan ne Angola kete vit. Egjipti ka stadiume të mëdhenj dhe me kushte të shkëlqyera, gjë që të bëjnë të ndihesh një futbollist profesionist. Të bësh karrierë në këtë kampionat është një vitrinë e madh drejt Europës”.


Gjuha egjiptiane, e sidomos e shkruara e saj është një problem tjetër për Sukajn. “Është shumë e vështirë ta mësosh. Shkrimi të duket në pamje të parë i pakuptimtë. Gjithsesi, disa shprehje të jetës së përditshme, por dhe të folurës sportive i di. Zor se e mësoj arabishten. Klubi më ofroi edhe kurse të posaçme për të mësuar gjuhën, por të them të drejtën jam përqendruar te futbolli. Për fat të mirë komunikoj anglisht. Në Turqi kalova një vit e gjysmë dhe e mësova atë. Piramidat? Të jetosh në Kajro dhe të mos i vizitosh ato është krim. Kam qenë tri herë. Mrekullohesh”, - përfundon sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj.


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 05 Mars 2010








Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili