Ishte 16 tetori i vitit të kaluar, kur Kukësi mposhti Teutën me rezultatin 4-2 dhe që nga ai moment, nuk ka arritur të fitojë më në kampionat, në Zeqir Ymeri. Duket se as Peter Pacult nuk ka arritur të gjejë kurën e për të sjellë fitoret në shtëpi, të verilindorëve, që deri para pak muajsh e kishin kthyer stadiumin e tyre në një fortesë të pamposhtur.


Nëse javën e kaluar Kukësi arriti të rrëmbejë një barazim 1-1 përballë Flamurtarit, këtë herë vendasit u mposhtën në shtëpi me rezultatin 0-1 nga Kamza e Ramazan Ndreut. Një gol i shënuar nga Rezi në minutën e 70, rezultoi vendimtar në këtë takim, që pa kamzalinjtë të largoheshin me 3 pikë dhe Kukësin të dështojë të ndezë festën në Zeqir Ymeri.


Në minutat në vijim, Kukësi e rriti intensitetin dhe arriti të godasë edhe shtyllën, me anë të Donjet Shkodrës, por pa arritur të ndryshojë shifrat e rezultatit. Kjo ishte edhe humbja e parë për skuadrën e Kukësit, nën drejtimin e Peter Pacult, që erdhi me shumë bujë në fund të vitit të kaluar, për të zënë vendin e serbit Milinkoviç.


Pas këtij triumfi, Kamza shkon përkohësisht në vendin e 4-t, me 29 pikë, po aq sa ka edhe Kukësi i vendit të 3-të. nga ana tjetër, verilindorët mbeten tashmë 14 pikë larg kreut, çka mund të përkthehet në një dështim në mbrojtjen e titullit kampion.


Ndaj Lushnjës nuk i lejohej gabimi dhe Vllaznia arriti të marrë maksimumin e pikëve, falë një fitoreje 0-2. Vendimtar ishte sulmuesi shkodran i ardhur në janar nga Partizani, Xhevahir Sukaj që dërgoi 2 herë topin në rrjetën e Spahos, në 45-minutëshin e dytë.


Pjesa e parë në Roza Haxhiu ishte shumë e vakët, me të dy skuadrat që synonin më shumë të mos gabonin dhe sulmonin me kujdes. 45-minutëshi i dytë nisi me një tjetër ritëm, ku Lushnja shkoi shumë pranë golit, që në minutën e 46, por Sherri priti bukur goditjen me kokë të Gavës.


Rezultati u zhbllokua në minutën e 64-t, nga ana e Sukajt, që pas asistit të Gilman Likës, u lirua mirë në zonë dhe goditi me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetë.


11 minuta më pas, ishte sërish Sukaj që tentoi të godasë portën, por topi u ndal me dorë nga mbrojtësi i verdhejeshilëve, Prenci, duke bërë që gjyqtari Xhaja të akordojë penallti. Ekzekutimin e 11-metërshit e mori përsipër sërish Sukaj, që nuk gaboi përballë Spahos, duke shënuar golin e qetësisë për skuadrën e Gjokës, që momentalisht shkon në vendin e 8, jashtë zonës së ftohtë.


10 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)