Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka vlerësuar dje gjashtë dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë, duke hedhur poshtë qëndrimin e socialistëve, një ditë më parë. 

Duke folur në një prononcim për mediat, anëtari i komisionit të Ligjeve, i njohur edhe si një nga mbështetësit e Presidentit Topi u shpreh: "Jam njohur edhe me deklarimet e kolegëve të opozitës përsa i përket qëndrimeve të tyre për dekretet e Presidentit, duke aluduar se këta kandidatë nuk plotësojnë kriteret ligjore, mendoj krejt ndryshe dhe mendoj se Presidenti i Republikës ka ndjekur të gjitha kriteret ligjore të caktuara", tha Sula. Megjithatë sipas deputetit të PD-së, nëse komisioni i Ligjeve gjatë shqyrtimit të emrave, do të vërejë se ndonjëri prej tyre nuk plotëson kriteret, një gjë e tillë do t'i bëhet e ditur kreut të shtetit. "Do t'i bëhen sugjerime Presidentit të Republikës, ku përgatitet një raport dhe shkruhet, në rast se ekziston mospërmbushja e kritereve. Do jetë Presidenti i Republikës, i cili më pas do të reagojë nëse do të tërheqë dekretet e tij", tha Sula. Gjithsesi, sipas tij, procedura e zgjedhur këtë herë nga ana e Topit ka qenë më transparente, se ajo e herës së parë, kur pesë dekretet u rrëzuan.