Deputeti demokrat Dashnor Sula tha dje se reforma në drejtësi është e domosdoshme, ndërkohë që konfirmoi se mbështet variantin që Prokuroria të jetë një institucion i pavarur. 

Gjatë një prononcimi për mediat, Sula u shpreh se, "përderisa Prokuroria bën pjesë në sistemin gjyqësor, ajo është një pushtet i pavarur", ndërkohë që, sipas tij, ka disa modele mbi mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm që mbeten për t'u diskutuar". "Kemi modelin amerikan, ku Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Presidenti ose modelin maqedonas, ku zgjidhet nga Kryeministri. Kjo ngelet për t'u diskutuar, por personalisht mendoj se nëse shikohet mundësia që të trajtohet si pjesë e ekzekutivit, do të kemi shumë akte që duhen ndryshuar dhe do të kemi probleme të tjera", tha Sula, duke konfirmuar qëndrimin e tij që Prokuroria të jetë një institucion i pavarur. Duke u ndalur më gjerësisht te reforma në drejtësi, Sula u shpreh se, "duhet nisur me ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive të shkallës së parë, dhe kjo ka nisur që me kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm".