Triumfin e tij në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Rexhep Tayyip Erdogan, e ka quajtur “trofe të natës për demokraci”. Kjo është një mënyrë për t’i përshkruar gjërat. Por, ajo tjetra është se Erdogan po e përdor suksesin e tij në vendvotime për ta lëvizur vendin e tij kah politika joliberale, që do ta shkatërrojë demokracinë.
Votimi i së dielës ka shënuar herën e parë që turqit në mënyrë direkte e kanë zgjedhur presidentin. Zoti Erdogan, i cili tash e 11 vjet ka shërbyer si kryeministër, ka mbledhur 52 për qind të votave, 13 pikë më tepër se Ekmeleddin Ihsanoglu, kandidat i dy partive kryesore opozitare, Partisë Republikane Popullore (CHP) dhe Partisë Lëvizja Kombëtare (MHP).
Selahattin Demirtas, nga Partia Popullore Demokratike pro-kurde, u rendit në vendin e tretë me vetëm 10 për qind të votave.
Ashtu si në zgjedhjet lokale në muajin mars, në të cilat Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdoganit, i ka mbajtur komunat kryesore, disa media opozitare me të shpejtë kanë shprehur dyshime për mashtrim zgjedhor. Përderisa mashtrimi asnjëherë nuk mund të përjashtohet, arsyetimi me akuza është simptomatik për gjendjen e opozitës, e cila ka dështuar për ta avancuar një axhendë serioze, për të garuar me të arriturat e AKP-së, në vende pune dhe rritje ekonomike.
GDP-ja e Turqisë është rritur katër herë gjatë dekadës së fundit, që është burimi kryesor i popullaritetit të zotit Erdogan, shkruan “Wall Street Journal”.
Por, ende ekzistojnë pak pyetje lidhur me atë se Erdogan dhe AKP-ja po i dëmtojnë institucionet e demokracisë turke.
Qeveria e Turqisë gjatë muajve të fundit është përpjekur t’i ndalë rrjetet “YouTube” dhe “Twitter”. Është sjellë në mënyrë brutale me protestuesit paqësorë, i ka shkarkuar ose ua ka ndërruar vendet punës mijëra gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të zbatimit të ligjit, që konsideroheshin se nuk ishin sa duhet luajalë. E ka merituar nderimin e keq se është burgosësi më i madh i gazetarëve në vitin 2012 dhe 2013, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Tani mund të bëhet edhe më keq.
Zoti Erdogan tashmë ka premtuar transformimin e Presidencës në një zyre energjike ekzekutive nga funksioni aktual ceremonial që e ka tani. Presidenti në largim, Abdullah Gul, që ka më tepër instinkte liberale, nuk do të shërbejë si moderues i ndikimit të Erdoganit.
Meqë nuk do të ketë figurë brenda AKP-së, e cila mund të ballafaqohet me aftësinë dhe karizmin e tij, zoti Erdogan me gjasë do të jetë shef ndaj çdokujt që mund të shërbejë si Kryeministër i ardhshëm i Turqisë.
Një gjë pozitive mund të jetë zgjidhja e çështjes së tensioneve afatgjata të Turqisë me minoritetin kurd. Erdogan e ka lançuar një proces produktiv të paqes me kurdët, të cilët në vitet e fundit janë lejuar ta përdorin identitetin e tyre kulturor dhe gjuhësor, në mënyrë që ishte e paimagjinueshme para disa vjetësh. 
Por, kudo tjetër në rajon, ai është më pak konstruktiv. Në drejtimin e zotin Erdogan, Turqia është paraqitur si mbështetësja kryesore e Hamasit, duke e strehuar personin Saleh al-Arouri, operativist i dyshuar për orkestrimin e rrëmbimit të tre të rinjve izraelitë, më herët këtë verë.
Ankaraja, po ashtu mund të synojë afrim me Teheranin, pasi tashmë e ka ndihmuar regjimin iranian me shmangien e sanksioneve, duke mundësuar transaksione “gaz për ar” në vlerë prej miliarda dollarësh.
Turqia është anëtare e NATO-s dhe për një kohë të gjatë ishte shtyllë e rregullit amerikan në Lindjen e Mesme, ose së paku, nga ajo që ka mbetur.
As administrata ‘Obama’, e as Bashkimi Evropian nuk mund të fajësohen për largimin e zotit Erdogan nga standardet perëndimore të hapjes dhe moderimit, por Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta thërrasin atë nëse ai vazhdon me sjelljet e keqtrajtimit të të drejtave individuale. 

(d.d/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)