Qeveria britanike vihet përsëri në shënjestër të sulmeve kibernetike. Numri i këtyre sulmeve vlerësohet si shqetësues nga agjencia britanike e kundërzbulimit të të dhënave informatike. Objekt i sulmeve kanë qenë të dhëna të ndjeshme në kompjuterat e qeverisë: Informacione të Ministrisë së Mbrojtjes, informacione teknologjike por dhe të dhëna të firmave të inxhinierisë. Ndërkaq një numër sulmesh të pasuksesshme kanë pasur si shënjesër dhe Ministrinë e Jashtme Britanike.





Në skenën e këtyre sulmeve, Sekretari i Jashtëm Uilliam Hague organizon
Konferencën e Londrës për Cyberspace, pas kritikave se ministrat kanë
dështuar në trajtimin me seriozitet të kërcënimeve kibernetike. Në
konferencën dyditore që fillon nesër pritet të marrin pjesë dhe
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton si dhe ekspertë të
teknologjisë  informatike në rang botëror. Sekretari Hague i ka
vlerësuar këto sulme si vjedhje të pronës intelektuale, kundër
mirëqenies ekonomike e sociale të Britanisë së Madhe.



Një vit më parë, shënoheshin rreth një mijë sulme kibernetike kundër
qeverisë së Britanisë së Madhe. Sekretari i jashtëm Hague në muajin
shkurt denoncoi  infektimin e rrjetit kompjuterik qeveritar me virusin
"Zeus" pas hapjes së një emaili që thuhej se ishte dërguar nga Shtëpia e
Bardhë. Tashmë siguria kibernetike është kthyer në prioritet të
qeverisë së Londrës me fonde që arrijnë në 650 milionë paund. Rreth 20
përqind e kësaj shume është destinuar në mënyrë specifike për projektet e
infrastrukturës së rrjetit.



Delina Bitraku